Viti 2022 ishte më i nxehti në shumë shtete, po vera 2023 si do të jetë?

Viti 2022 ishte më i nxehti në shumë shtete, po vera 2023 si do të jetë?

11:06, 20/06/2023
A+ Aa A-

Ngrohja globale po përparon më shpejt se sa pritej në Europë. Sipas raportit vjetor të Organizatës Botërore Meteorologjike dhe Shërbimit të Ndryshimeve Klimatike Copernicus, temperatura mesatare në kontinent është 2.3 gradë më e ngrohtë se sa ishte në fund të shekullit të 19-të.

Temperaturat janë rritur që nga vitet 1990, duke thyer rekorde në disa raste. Ngrohja ka qenë e pabarabartë gjeografikisht, duke arritur rreth 2 gradë mbi mesataren në pjesën më të madhe të Europës Perëndimore dhe madje tejkalon 3.5 gradë në rajonet afër Arktikut.

Vera e vitit 2022 ishte më e nxehta e regjistruar në shumë vende europiane. Sipas raportit, dukuritë ekstreme të lidhura me motin (stuhitë, përmbytjet, zjarret, rrëshqitjet e dheut dhe valët e të nxehtit) shkaktuan më shumë se 16,000 viktima dhe prekën drejtpërdrejt 156,000 njerëz.

Drejtori i Copernicus, Carlo Buontempo, tha se ka të ngjarë që ekstremet e nxehtësisë të jenë më të shpeshta dhe më intensive në të gjithë rajonin.

Europa është kontinenti me ngrohjen më të shpejtë në botë, sipas raportit, dhe është ngrohur dy herë më shpejt se mesatarja globale për katër dekadat e fundit. Kontinenti ishte jo vetëm i nxehtë, por edhe jashtëzakonisht i thatë. Thatësira e vazhdueshme dhe temperaturat e larta nxitën përhapjen e zjarreve.

Me ardhjen e El Niño – një fenomen klimatik ku uji më i ngrohtë përhapet më tej dhe qëndron më afër sipërfaqes duke çliruar më shumë nxehtësi në atmosferë dhe duke krijuar më shumë lagështirë – shkencëtarët janë të shqetësuar se në vitin 2023 mund të ndodhin ekstreme klimatike më të theksuara.

Megjithatë ka ende shpresa. Raporti zbuloi se energjia e rinovueshme gjeneroi më shumë energji elektrike sesa gazi fosil për herë të parë vitin e kaluar, ku era dhe dielli përbënin 22.3% të energjisë elektrike të BE-së, ndërsa gazi fosil përbënte 20% dhe energjia e qymyrit 16%.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco