Zelensky viziton Hagën ndërkohë shpërthime të reja tronditin Kievin Videot e mediave sociale ruse që shfaqin sulmin me dron të Kremlinit

Zelensky viziton Hagën ndërkohë shpërthime të reja tronditin Kievin

08:20, 04/05/2023
A+ Aa A-

Shpërthime janë dëgjuar në Kiev dhe qytete të tjera të Ukrainës, një ditë pasi Rusia akuzoi Ukrainën për kryerjen e një sulmi me dron në Kremlin. Sulme u raportuan gjithashtu në Zaporizhzhia dhe Odesa në jug.

Sulmet ajrore vijnë pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky do të flasë në Hagë, në kuadrin e një vizite të papritur në Holandë. Ai do të vizitojë gjithashtu Gjykatën Penale Ndërkombëtare, e cila po heton krimet e dyshuara të luftës ruse në Ukrainë.

Rusia ka akuzuar Ukrainën për përpjekje për të vrarë presidentin Vladimir Putin, por Zelensky nuk pranoi që vendi i tij ta ketë kryer atë sulm. Të mërkurën, ai tha: "Ne nuk sulmojmë Putinin apo Moskën. Ne luftojmë në territorin tonë. Ne po mbrojmë fshatrat dhe qytetet tona."

Zelensky  mbajti një fjalim në Finlandë, ku bëri një vizitë të papritur dhe u takua me homologun e tij finlandez Sauli Niinisto dhe liderët e Suedisë, Norvegjisë, Danimarkës dhe Islandës.

Gjatë vizitës së tij në Holandë, Zelensky pritet të takohet me kryeministrin holandez Mark Rutte. Mediat holandeze thanë se të dy ka të ngjarë të diskutojnë kërkesat e Zelensky për më shumë mbështetje ushtarake - domethënë armë me rreze të gjatë dhe avionë luftarakë.

Janarin e kaluar, zoti Rutte tha se furnizimi me avionë luftarakë nuk ishte tabu, megjithëse një veprim i tillë do të ishte "një hap tjetër i madh".

Pas sulmeve të supozuara me dron, Rusia kërcënoi se do të hakmerrej kur dhe ku e konsideronte të nevojshme. Të mërkurën, sulmet ruse në rajonin jugor Kherson të Ukrainës vranë 21 persona. Zyrtarët thanë se viktimat përfshinin klientë supermarketi dhe punonjës të një kompanie energjetike që po kryenin riparime.

Dhe në orët e para të mëngjesit të së enjtes, sirenat e sulmit ajror ranë në shumë rajone të Ukrainës. Shpërthime të forta u raportuan në Kiev dhe Odesa.

Në të njëjtën kohë, një dron goditi një rafineri nafte në Rusinë jugore, duke i vënë flakën një pjese të saj - më i fundit në një seri shpërthimesh, zjarresh dhe sulmesh me dronë që kanë ndodhur në Rusi gjatë javëve të fundit.

Disa komentatorë kanë argumentuar se sulmi i supozuar me dron në Kremlin ishte kryer nga brenda dhe ishte organizuar me qëllim nga Rusia.

Instituti për Studimin e Luftës tha se është "jashtëzakonisht e pamundur që dy dronë të kenë depërtuar në shtresa të shumta të mbrojtjes ajrore dhe të kenë shpërthyer ose të jenë rrëzuar pak mbi zemër të Kremlinit në një mënyrë që ofron imazhe spektakolare të kapura bukur nga kamera".

Ai tha se "Rusia ka të ngjarë të organizoi këtë sulm në një përpjekje për të sjellë luftën në shtëpi për një audiencë të brendshme ruse dhe për të vendosur kushte për një mobilizim më të gjerë shoqëror".

Yurii Ihnat, një zëdhënës i Forcave Ajrore të Ukrainës, tha se ai mendonte se Rusia kishte organizuar sulmin ndaj Kremlinit në përpjekje për të "treguar një lloj përshkallëzimi nga ana e Ukrainës".

Por komentues të tjerë nuk u pajtuan, duke thënë se Rusia do të kishte pak interes për ta bërë veten të duket "e dobët" duke organizuar një sulm që e bën Kremlinin të duket i prekshëm. Kjo do të çonte gjithashtu në pyetje se sa i mbrojtur është zoti Putin - dhe për efektivitetin e mbrojtjes ajrore ruse.

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco