‘Ndaleni marshimin e inteligjencës artificiale’/ Si ta lexojmë mesazhin e Musk dhe liderëve të tjerë

‘Ndaleni marshimin e inteligjencës artificiale’/ Si ta lexojmë mesazhin e Musk dhe liderëve të tjerë

20:25, 29/03/2023
A+ Aa A-

Elon Musk dhe 1 mijë liderë të tjerë në fushën e teknologjisë, përfshi këtu bashkëthemeluesin e Apple, Steve Wozniak, kanë bërë thirrje që të pezullohet marshimi i inteligjencës artificiale, pasi është i rrezikshëm. Por a është alarmante situata?

Nga Chris Vallance, BBC

Figurat kryesore të inteligjencës artificiale duan që të pezullohen eksperimentet me sistemet e fuqishme të Inteligjencës Artificiale, mes frikës së përbën një kërcënim për njerëzimin.

Ata kanë nënshkruar një letër të hapur, e cila paralajmëron për rreziqet e mundshme dhe thekson se gara për të zhvilluar sisteme të Inteligjencës Artificiale ka dalë jashtë kontrollit.

Shefi i Twitter-it, Elon Musk është ndër ata që duan që trajnimi i IA mbi një kapacitet të caktuar, të ndalet për të paktën gjashtë muaj.

Bashkëthemeluesi i Apple, Steve Wozniak dhe disa studiues të tjerë të DeepMind e kanë nënshkruar letrën.

OpenAI, kompania që qëndron pas ChatGPT, publikoi së fundmi GPT-4, një teknologji më moderne, e cila ka impresionuar vëzhguesit me aftësinë e saj për të bërë detyra të tilla si përgjigjet mbi pyetjet rreth objekteve në foto.

Letra nga Instituti për të Ardhmen e Jetës kërkon që të pezullohet përkohësisht zhvillimi pikërisht në këtë nivel, duke paralajmëruar në letrën e tyre për rreziqet që mund të paraqesin sistemet më të avancuara në të ardhmen.

“Sistemet e IA me inteligjencë konkurruese njerëzore mund të paraqesin rreziqe të thella për shoqërinë dhe njerëzimin,” thuhet në letër.

Instituti për të Ardhmen e Jetës është një organizatë jofitimprurëse, e cila thotë se misioni i saj është të ‘drejtojë teknologjitë transformuese larg rreziqeve ekstreme në shkallë të gjerë dhe drejt përfitimeve për jetën’.

Musk, pronar i Twitter dhe shef ekzekutiv i kompanisë së makinave Tesla, është këshilltar i jashtëm i organizatës.

Inteligjenca artificiale e avancuar duhet të zhvillohet me kujdes, thotë letra, por në vend të kësaj, ‘muajt e fundit, laboratorët e Inteligjencës Artificiale janë përfshirë në një garë jashtë kontrollit për të zhvilluar mendje dixhitale më të fuqishme se askush tjetër- madje edhe se krijuesit e tyre- që mund të kuptojnë, parashikojnë ose kontrollojnë në mënyrë të besueshme’.

Letra paralajmëron se IA mund të mbushë kanalet e komunikimit me dezinformacione dhe të zëvendësojë vendet e punës me automatizim.

Letra vjen pas një raporti të fundit nga banka investuese Goldman Sachs, e cila thotë se ndërsa IA ka të ngjarë të rrisë produktivitetin, miliona vende pune mund të automatizohen.

Megjithatë, ekspertë të tjerë i thanë BBC se efekti i IA në tregun e punës është shumë i vështirë për t’u parashikuar.

Në mënyrë më spekulative, letra pyet: “A duhet të zhvillojmë mendje jonjerëzore, që përfundimisht mund të jenë më të mëdha, më të zgjuara dhe mund të na zëvendësojnë ne?”

Në një postim të fundit në një blog, OpenAi paralajmëroi për rreziqet nëse Inteligjenca e përgjithshme Artificiale do të zhvillohet në mënyrë të pamatur.

“Një IA e gabuar mund të shkaktojë dëme të mëdha në botë, një regjim autokratik me një superinteligjencë vendimtare mund ta bëjë këtë gjithashtu”.

OpenAI nuk e ka komentuar letrën. BBC i ka pyetur nëse e mbështesin këtë thirrje.

Musk ka qenë bashkëthemelues i OpenAI- megjithëse dha dorëheqjen nga bordi para disa vitesh dhe ka postuar mesazhe kritike për drejtimin aktual të saj.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco