Wizz Air pezullon fluturimet drejt Moldavisë për arsye sigurie

Wizz Air pezullon fluturimet drejt Moldavisë për arsye sigurie

11:24, 28/02/2023
A+ Aa A-

Wizz Air ka pezulluar fluturimet drejt Moldavisë për arsye sigurie. Linja ajrore hungareze me kosto të ulët tha të hënën se do të ndalojë fluturimet për në kryeqytetin moldav Kishinau nga 14 marsi. Kjo për shkak të shqetësimeve për sigurinë e hapësirës ajrore të vendit.

Autoriteti i aviacionit civil të Moldavisë e ka përshkruar vendimin si të papritur dhe për të ardhur keq.

Pse Moldavia konsiderohet e pasigurt?

Tensionet midis Rusisë dhe Moldavisë janë rritur muajt e fundit pasi raketat ruse që synojnë Ukrainën kanë hyrë në hapësirën ajrore të Moldavisë.

Ekziston gjithashtu frika se Rusia mund të intensifikojë përpjekjet për të destabilizuar vendin, i cili po lëkundet nga lufta në Ukrainën fqinje. Autoritetet kanë fajësuar Kremlinin për nxitjen e protestave antiqeveritare, diçka që Rusia e mohon.

Ministri i Jashtëm moldav Niku Popesku tha të mërkurën se vendi i tij ishte i përgatitur për një "spektër të plotë kërcënimesh".

Wizz Air deklaron se siguria e pasagjerëve dhe ekuipazhit të saj mbetet "përparësia numër një". Kompania shton se "pas zhvillimeve të fundit në Moldavi dhe rrezikut të rritur, por jo të afërt, në hapësirën ajrore të vendit, Wizz Air ka marrë vendimin e vështirë por të përgjegjshëm për të pezulluar të gjitha fluturimet për në Kishinau nga 14 marsi".

Autoriteti i aviacionit civil të Moldavisë thotë se autoritetet moldave ishin informuar me email për vendimin e Wizz Air, duke shtuar se linja ajrore kishte kërkuar miratimin për orarin e saj veror të fluturimeve më 14 shkurt dhe e mori atë të hënën.

Wizz Air do të bëjë fluturime zëvendësuese nga Rumania fqinje

Wizz Air tha në një deklaratë se do të ndërmerrte fluturime shtesë nga qyteti rumun Iasi - rreth 150 km larg nga Kishinau - për zëvendësim. Këto do të përfshijnë një shërbim të ri për në Berlin dhe më shumë fluturime për në Barcelonë, Milano Bergamo, Bologna, Romë Ciampino, Romë Fuimicino, Dortumand, Larnaka, Londër Luton dhe Treviso.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco