Papa në Kongo: Larg duart nga Afrika! Ajo të jetë protagoniste e fatit të vet

Papa në Kongo: Larg duart nga Afrika! Ajo të jetë protagoniste e fatit të vet

08:52, 01/02/2023
A+ Aa A-

“Poshtë duart nga Republika Demokratike e Kongos, poshtë duart nga Afrika! Mjaft me mbytjen e Afrikës: nuk është minierë për t’u shfrytëzuar, ose tokë për t’u plaçkitur. Afrika të jetë protagoniste e fatit të vet!... Afrika, buzëqeshje dhe shpresë e botës, të ketë më shumë rëndësi": kështu Papa Françesku, në takimin e tij me autoritetet, shoqërinë civile dhe Trupin Diplomatik në Kinshasa, gjatë ditës së parë të shtegtimit të 40-të apostolik, që do ta çojë edhe në Sudanin e Jugut, njoftoi Vatikani.

Papa Françesku mbërriti dje në Republikën Demokratike të Kongos, etapa e parë e udhëtimit të tij të 40-të apostolik ndërkombëtar. Ati i Shenjtë do të qëndrojë në kryeqytetin kongolez Kinshasa deri më 3 shkurt e më pas, do të shkojë në Sudanin e Jugut, së bashku me kryeipeshkvin anglikan të Canterbury-t dhe me moderatorin e Kishës metodiste të Skocisë, deri më 5 shkurt.

Papa mbërriti në Kinshasa, qytet me më se 15 milion e gjysmë banorë, në orën 15.00 dhe u prit në Pallatin e Kombit, rezidenca zyrtare e presidentit të Republikës, Felix Tshisekedi Tshilombo, biri i kreut të opozitës, veteranit Etienne Tshisekedi, që ndërroi jetë në vitin 2017. Zuri vendin e të atit, në krye të Partisë “Bashkimi për Demokracinë dhe Përparimin Shoqëror” në vitin 2018 e më 30 dhjetor të atij viti u zgjodh president. Pas tij, Françesku takoi autoritetet, shoqërinë civile dhe Trupin Diplomatik, në kopshtin e Pallatit të Kombit.

Shfrytëzimi i Afrikës "është një dramë për të cilën bota ekonomikisht më e përparuar - tha Papa Françesku në fjalimin e tij të parë në Kinshasa, në Republikën Demokratike të Kongos - shpesh mbyll sytë, veshët dhe gojën. Por ky vend dhe ky kontinent e meritojën të respektohen dhe të dëgjohen, meritojnë hapësirë ​​dhe vëmendje: larg duart nga Republika Demokratike e Kongos, poshtë duart nga Afrika! Mjaft me mbytjen e Afrikës: nuk është një minierë për t'u shfrytëzuar apo tokë për t'u plaçkitur.
Qoftë Afrika protagoniste e fatit të saj! Le t‘i kujtojë bota fatkeqësitë e shkaktuara gjatë shekujve në dëm të popullatës vendase - është apeli i Papës - dhe të mos e harrojë këtë vend e këtë kontinent. Afrika, buzëqeshja dhe shpresa e botës, të vlerësohet më shumë: të flitet më shumë, të ketë më shumë peshë dhe përfaqësim midis kombeve!”.

Shtegtar i pajtimit dhe i paqes

Të pranishmëve u drejtoi një fjalim me sfidat më të ndiera, por edhe më të ndërlikuara, që po përballon jo vetëm Republika Demokratike e Kongos, por e gjithë Afrika, në të cilën vendi ngjan “me një kontinent”, ku “toka merr frymë”, siç nënvizoi Ati i Shenjtë, duke iu referuar pozicionit qendror dhe shtrirjes prej më se 2 milion kilometrash katrore në hartë. Gjithsesi, kjo mushkëri e gjelbër e Afrikës, gjatë historisë, është “torturuar nga lufta, vijon të vuajë konflikte dhe migrime të detyruara brenda kufijve, si edhe forma të tmerrshme shfrytëzimi, të padenja për njeriun dhe krijimin”.

“E ndërsa ju kongolezë luftoni për të ruajtur dinjitetin dhe integritetin territorial kundër përpjekjeve të neveritshme për ta copëtuar vendin tuaj, - e bëri të qartë Papa që në fillim, qëllimin e vizitës së tij - unë vij tek ju, në emër të Jezu Krishtit, si shtegtar i pajtimit dhe i paqes. Desha me gjithë shpirt të jem këtu dhe, më në fund, vij t'ju sjell afërsinë, dashurinë dhe ngushëllimin e gjithë Kishës Katolike”.

Tokë diamantesh

Gjatë gjithë fjalës së tij, Françesku përdori simbolin e diamantit, që e shpreh mirë bukurinë e asaj toke afrikane. Vendi juaj, u tha kongolezëve, është vërtet një diamant i Krijimit, por ju jeni shumë herë më të çmuar se çdo pasuri e tokës dhe e nëntokës. Kisha dhe Papa, vijoi Ati i Shenjtë, kanë besim tek banorët e vendit, besojnë në të ardhmen e tyre, e cila duhet të jetë në duart e qytetarëve të Republikës Demokratike të Kongos. Që këtej, thirrja e Papës:

“Guxim, vëlla e motër kongoleze! Ngrihu, merr përsëri në dorë, si një diamant të pastër, gjithçka je, dinjitetin, thirrjen tënde për ta mbajtur në harmoni e në paqe shtëpinë ku jeton. Jetoje frymën e himnit kombëtar, duke ëndërruar dhe duke vënë në praktikë fjalët e tij: ‘Me punë të palodhur do të ndërtojmë një vend më të bukur se më parë; në paqe’… Prandaj, që nga fillimi i udhëtimit tim, dua t’ju bëj thirrje: çdo kongolez ta ndiejë detyrën për të luajtur rolin e tij! Dhuna dhe urrejtja të mos kenë më vend në zemrën apo në gojën e askujt, sepse janë ndjenja antinjerëzore dhe antikristiane, që paralizojnë zhvillimin dhe na kthejnë mbrapsht, në një të kaluar të errët”.

“Kolonializmi ekonomik “ dhe diamantet e përgjakura

Papa Françesku denoncoi shfrytëzimin ekonomik të kontinentit afrikan, duke folur për “kolonializmin ekonomik”, që pasoi atë politik e që nuk i lejon vendet të përdorin në favor të tyre pasuritë natyrore. Republika Demokratike e Kongos, e mirënjohur për diamantet, por edhe për ato, që prodhohen nga shfrytëzimi i njeriut, sidomos i fëmijëve e, që quhen “diamante të përgjakura”, meriton respekt, kujdes e hapësirë për t’u dëgjuar.

“Poshtë duart nga Republika Demokratike e Kongos, poshtë duart nga Afrika! – ngriti zërin me forcë Ati i Shenjtë – Mjaft me mbytjen e Afrikës: nuk është minierë për t’u shfrytëzuar, ose tokë për t’u plaçkitur. Afrika të jetë protagoniste e fatit të vet!... Afrika, buzëqeshje dhe shpresë e botës, të ketë më shumë rëndësi: të flitet më shumë, të ketë më tepër peshë e përfaqësim ndërmjet kombeve! T’i hapet rruga një diplomacie të njeriut për njeriun, të popujve për popujt, ku në qendër të mos vihet kontrolli i zonave dhe i pasurive, synimet ekspansioniste dhe shtimi i fitimeve, por mundësitë për zhvillimin e njerëzve”.

Jo asistencializëm, por zhvillim i gjithanshëm

Duket, denoncoi sërish Papa, sikur bashkësia ndërkombëtare është dorëzuar para dhunës, që e ka përfshirë prej vitesh popullin kongolez. Procesi i paqes, inkurajoi Françesku, duhet mbështetur me fakte e me impenjim konkret, jo me ndërhyrje asistencialiste, por me plane, që synojnë zhvillimin e gjithanshëm të zonës.

Duke kujtuar rezistencën e diamantit, në fund të fjalës së tij, Papa u kërkoi kongolezëve atë forcë shpirtërore, që i bën gjithnjë të ngrejnë kryet e të ecin përpara, sidomos, në të mirë të fëmijëve e të rinisë.

“Në emër të Krishtit, i cili është Zoti i shpresës, Zoti i çdo mundësie, që gjithmonë jep forcën për të filluar nga e para, në emër të dinjitetit dhe të vlerës së diamanteve më të çmuara të kësaj toke të mrekullueshme, që janë qytetarët e saj, dua t’i ftoj të gjithë në një ripërtëritje shoqërore të guximshme dhe gjithëpërfshirëse”.

Para se të përfundonte takimin më të rëndësishëm dhe krejt ditën e parë në Republikën Demokratike të Kongos, Papa Françesku premtoi lutje dhe e bekoi krejt kombin kongolez.

Më 1 shkurt, Ati i Shenjtë do të mbetet në Kinshasa, por do të shkojë në aeroportin e N’dolos, ku mund të mblidhen deri në një milion e gjysmë njerëz, për të kremtuar me ta meshën.

Pasdite, në orën 16.30, takimi me viktimat e Lindjes së vendit, në nunciaturën apostolike të kryeqytetit. Ndërsa, në orën 18.30, ai me përfaqësuesit e gjashtë shoqatave bamirëse, gjithnjë në nunciaturën apostolike.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco