Vija e kuqe: Zbulohen bisedimet sekrete midis Joe Biden dhe Xi Jinping

Vija e kuqe: Zbulohen bisedimet sekrete midis Joe Biden dhe Xi Jinping

10:03, 29/11/2022
A+ Aa A-

Nga Owen Matthews, SPECTATOR

Që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë, Kina ka luajtur një rol vendimtar – ndonëse duke ruajtur një profil të ulët publik – në vendimmarrjen strategjike në Washington e Moskë bashkë. Siç e kam përmendur fillimisht në librin tim të ri “Overreach” (Ekzagjerimi), ishte një ndërhyrje pas kuintave e miratuar nga Pekini që bëri SHBA të arrinte marrëveshjen që polakët të pajisnin forcat ajrore ukrainase me avionët sovjetikë MiG-29, në mars. Dhe që nga shtatori, një vorbull diplomacie personale e ministrit të jashtëm kines Wang Yi me NATO-n dhe SHBA çoi në një moment të rrallë akordi publik mbi Rusinë, kur Xi Jinping tha se bota “duhet të parandalojë një krizë bërthamore në kontinentin euroaziatik”, në një takim me Joe Biden në samitin e G20 në Bali.

Gjatë gjithë luftës, pozicioni i vërtetë i Kinës në raport me konfliktin Rusi-Ukrainë ka qenë i vështirë për t’u përcaktuar me saktësi, sidomos edhe sepse Pekini u ka thënë secilës prej palëve atë që ata donin të dëgjonin. Në mars, Wang u duk se po fajësonte SHBA për “rritje tensioni” dhe “mbjellje mosmarrëveshjes” me Rusinë. Muajin e kaluar, ai i tha homologut rus Sergei Lavrov, se “Kina do ta mbështesë fort palën ruse, nën udhëheqjen e Presidentit Putin, për bashkimin dhe udhëheqjen e popullit rus”, sipas televizionit shtetëror CCTV. Wang premtoi edhe se “Kina është e gatshme të thellojë kontaktet me rusët në çdo nivel”. Megjithatë, në shtator, gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Wang i tha Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, se Kina “qëndron mendjehapur për dialog e shkëmbime me NATO-n dhe është e gatshme për promovim të përbashkët të zhvillimit të shëndetshëm e të qëndrueshëm të marrëdhënieve dypalëshe... në frymën e ndershmërisë dhe respektit reciprok”.

Atëherë, në anën e kujt është në të vërtetë Pekini? E vërteta është që Kina ka mbështetur vazhdimisht vetëm njërën anë – të sajën. Por iluzioni i përkrahjes nga Kina ishte një nga keqllogaritjet e shumta që e çuan Vladimir Putin në rrugën e luftës. Në një samit në Pekin më 4 shkurt të këtij viti, Xi dhe Putin deklaruan “miqësi pa kufij” me asnjë “zonë të ndaluar” bashkëpunimi. Të dy liderët e deklaruan  nivelin e ri të partneritetit strategjik ruso-kinez si superior karshi aleancave të Luftës së Ftohtë. Pekini ishte i vetëdijshëm për planet e Rusisë për një operacion ushtarak, sipas një burimi me lidhje të ngushta të vjetra në udhëheqjen e lartë politike e ushtarake të Kinës. Por rusët e paraqitën operacionin e ardhshëm ushtarak si një “operacion i limituar për rimarrjen e një province ruse të humbur dhe për ribashkimin e Rusisë brenda kufijve historikë”. Kjo histori i përshtatej asaj të vetë Kinës me Tajvanin – ndonëse ishte bërë e qartë se operacioni rus nuk duhej të përplasej me Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit, të cilat përfunduan më 20 shkurt, katër ditë para invazionit.

Më e rëndësishmja, në një shtojcë konfidenciale të “miqësisë pa kufij” gjendje një garanci reciproke sigurie që Rusia e kishte kërkuar nga Kina për dekada por që nuk kishte mundur ta arrinte, bën të ditur burimi. Ashtu si Neni 5 i NATO-s – që thotë se sulmi mbi një vend anëtar është sulm kundër të gjithëve – Pekini dhe Moska i premtuan njëri-tjetrit vajtjen në ndihmë në rast invazioni të huaj në territorin e tyre dhe nëse përmbusheshin kushte të veçanta në lidhje me një invazion të tillë. Ky kusht jashtëzakonisht i zgjuar, i vendosur me këmbënguljen e kinezëve, do të përjashtonte efektivisht territoret e aneksuara kohët e fundit me luftë, pra e çlironte Pekinin nga çdo angazhim për t’iu përgjigjur sulmeve në territoret e aneksuara në Ukrainë.

Shkalla e operacionit ushtarak rus – në veçanti sulmi rrufe i mbajtur sekret kundër Kievit, për të cilin edhe Lavrov nuk kishte dijeni deri më 21 shkurt – e befasoi Pekinin. Ndonëse kinezët zyrtarisht e përkrahën Putinin diplomatikisht, duke fajësuar NATO-n për provokim konflikti, pati shqetësime të mëdha (e plotësisht të bazuara) se Putin e kishte ekzagjeruar dhe do të provokonte bashkimin e Perëndimit në një front, gjë që një sulm i limituar vetëm në Donbas do ta kishte shmangur. Kërcënimi i Putinit me armë bërthamore më 27 shkurt e alarmoi botën, përfshirë Kinën. Prioritet kyç për Pekinin ishte që konfrontimi NATO-Rusi të shmangte përshkallëzimin bërthamor dhe të ndihmonte në arritjen e armëpushimit, tha burimi, i cili ka kontakte personale të rregullta me liderët e Ushtrisë Çlirimtare Popullore. Tani Putin kishte luajtur – pakujdesshëm në sytë e kinezëve – kartën e tij më të rrezikshme që në fillim të konfliktit.

Kështu që, kur, disa ditë më pas, një përshkallëzim i mëtejshëm kërcënoi në formën e një oferte nga qeveria polake për t’i dhënë Ukrainës të gjithë avionët luftarakë të periudhës sovjetike MiG-29, kinezët u shqetësuan. Në të vërtetë, kishte pak gjasa që MiG-ët polakë të bënin shumë diferencë në fushën e betejës. 26 deri në 33 MiG-29 të Polonisë ishin prodhuar në fillim të viteve ‘80 për Forcat Ajrore të Gjermanisë Lindore dhe i ishin shitur Varshavës për shumën simbolike 1 euro secili në vitin 2003. Rumania, e cila zotëronte 20 avionë të ngjashëm MiG-29, i kishte dekomisionuar shumë vite më parë. Megjithatë, një vend i NATO-s që i siguronte Kievit avionë luftarakë të çfarëdo lloji, përfaqësonte një hap të rëndësishëm simbolik, nëse jo domosdoshmërisht të rëndësishëm operacional drejt përfshirjes së drejtpërdrejtë të NATO-s në konflikt. Fillimisht, Washingtoni ishte pozitiv. Por një ditë më vonë, më 8 mars, Pentagoni ndryshoi befas pozicionin e tij, duke e shpallur propozimin e Polonisë “të paqëndrueshëm”.

Çfarë ia ndryshoi mendjen Uashingtonit? Pjesërisht, ishte një iniciativë urgjente dhe konfidenciale në prapaskenë, e udhëhequr nga Instituti për Studime Strategjike Lindje Perëndim, me qendër në Mbretërinë e Bashkuar, që përfshin ish-udhëheqës evropianë dhe zyrtarë të lartë, dhe në fund e miratuar nga udhëheqja kineze. Që nga deklarata e 27 shkurtit e Putinit mbi gatishmërinë bërthamore, edhe UÇP kishte kontaktuar përmes kanaleve ushtarake-ushtarake (në kontrast me ato diplomatike apo politike) gjeneralë të rusë me të cilët kishin krijuar kontakte personale gjatë viteve të stërvitjeve të përbashkëta ushtarake dhe bisedimeve për prokurim ushtarak. Synimi i Pekinit ishte të sigurohej që edhe nëse do të kishte një vendim politik për të përdorur armët bërthamore, ushtria ruse do të këmbëngulte që t'i përmbahej doktrinës së saj ushtarake bërthamore për t'i përdorur ato vetëm nëse provokohej nga sulmet në tokën ruse. Nëpërmjet këtyre kontakteve jozyrtare, Washingtoni dhe UÇP ranë dakord – në mënyrë të pazakontë, duke pasur parasysh një përkeqësim të marrëdhënieve gjatë presidencës së Donald Trump – se nëse SHBA do të ndalonte marrëveshjen e MiG, gjeneralët e Pekinit do të bënin çmos për të zbutur kërcënimin bërthamor të Putinit në një nivel operacional. “Funksionoi”, thotë burimi kinez. “[SHBA] vendosi që dhënia e avionëve ishte një hap shumë i gjatë”.

Ndonëse kjo iniciativë në prapaskenë e fillimit të marsit nuk është raportuar më parë, fakti që SHBA mbajti qëndrim të kujdesshëm në furnizimin e Ukrainës me armë strategjikë gjatë luftës konfirmon se Washingtoni mbeti plotësisht i vetëdijshëm për shqetësimet e Kinës, të cilat i kishin edhe vendet më të mëdha në Bashkimin Evropian. Pavarësisht një përshkallëzimi dramatik në furnizime me pará dhe bazë ushtarake – përfshirë artilerinë 155mm dhe HIMARS – NATO është frenuar për furnizimin me avionë sulmi, helikopterë, tanke të standardit NATO, raketa beteje me rreze të gjatë dhe sisteme raketash cruise.

Në të njëjtën kohë, mbështetja kineze për Moskën mbeti po aq e kujdesshme. Pekini ofroi mbështetje diplomatike dhe informative – por përjashtoi bashkëpunimin e rëndësishëm ushtarak, duke i detyruar rusët të blenin dronë nga Irani, të “kanibalizonin” pajisjet elektronike shtëpiake për çipa kompjuterikë dhe të përpiqeshin të riblenin helikopterë, raketa dhe sisteme të mbrojtjes raketore nga klientët e tyre ushtarakë në gjithë vendet në zhvillim. Kërcënimi i sanksioneve nga SHBA mbi operacionet e tyre globale bëri që shumë banka kryesore kineze, si ICBC, Banka e Re për Zhvillim, dhe Banka Aziatike e Investimeve në Infrastrukturë të tërhiqnin kreditë dhe financimet nga Rusia. Edhe gjigantë kinezë të energjisë si Sinochem pezulluan të gjitha investimet dhe ndërmarrjet e përbashkëta ruse. Në gusht, UnionPay – ekuivalenti kinez i Visa dhe Mastercard –ndërpreu bashkëpunimin me bankat ruse, duke përmendur sanksionet. Motivimi material i korporatave të Pekinit për t'u tërhequr nga Rusia ishte i qartë: para luftës Kina bëri 100 miliardë dollarë tregti me Rusinë (duke u rritur me 30 miliardë dollarë të parashikuar këtë vit falë rritjes së importeve të naftës) por mbi 1.5 trilion dollarë me SHBA dhe BE.

Me dënimin e përbashkët që Biden e Xi i bënë kërcënimit me armë bërthamore në Bali në fillim të këtij muaji, mirëkuptimi i marsit tashmë është kthyer në politikë publike. Falë diplomacisë prej ndërmjetësi të Wangut, NATO dhe Kina janë rreshtuar në mënyrë efektive për të mos përshkallëzuar konfliktin Ukrainë-Rusi, sipas burimit kinez. Gjatë një sërë takimesh me udhëheqjen e NATO-s që nga fillimi i shtatorit, Wang u zotua të përdorte levën e konsiderueshme të Kinës në Moskë për të bindur Putinin nga përdorimi i armëve bërthamore, ndërsa në këmbim NATO ka pohuar se nuk do të dërgonte armë strategjike në Ukrainë.

Në samitin e Balit, Xi (i mbështetur nga kryeministri indian Narendra Modi) bëri thirrje publike për “rikthim në diplomaci dhe gjetjen urgjentisht të një zgjidhjeje paqësore”. Ky është një pozicion që ende nuk është pranuar zyrtarisht nga NATO, e cila këmbëngul se ukrainasit do të vendosin se kur do të vijnë në tryezën e bisedimeve. Por shumë zëra të lartë në NATO – për shembull Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të SHBA Mark Milley dhe Presidenti francez Emmanuel Macron – kanë sugjeruar në mënyrë të pavarur që Kievi duhet të përgatitet për bisedimet e paqes. Dhe garancitë e sigurisë së Kinës për kufijtë e Rusisë para pushtimit, të bëra në shkurt, mund të luajnë një rol të rëndësishëm në ndërtimin e një platforme për Kremlinin, si një kundërvënie ndaj garancive të mundshme të sigurisë të NATO-s për Ukrainën.

Çmimi i Kinës për misionin e saj paqeruajtës? Pekini shpreson të përmirësojë marrëdhëniet me NATO-n dhe Evropën e t’i japë fund një lufte të kotë që aleati i tij Putin filloi kaq marrëzisht. Në Ukrainë, Kina është, e thënë me fjalët e burimit, “duke u pozicionuar si shpresa e fundit për paqe në këtë botë”. Ukrainasit, të cilëve me shumë gjasa do t’u kërkohet të sakrifikojnë territor për paqen, mund të mos jenë dakord.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco