Koreja e Veriut lëshon raketën e gjashtë balistike brenda dy javësh Jugkoreanët u zgjuan me lajmin se Koreja e Veriut kishte hedhur dy raketa të tjera balistike me rreze të shkurtër veprimi

Koreja e Veriut lëshon raketën e gjashtë balistike brenda dy javësh

07:37, 06/10/2022
A+ Aa A-

Koreja e Veriut lëshoi ​​dy raketa të tjera balistike të enjten - lëshimi i gjashtë i tillë i ndaluar në më pak se dy javë.

Pheniani të mërkurën e përshkroi sulmin e tij të fundit "vetëm si masë kundërveprimi" ndaj stërvitjeve të përbashkëta ushtarake të SHBA-së dhe Koresë së Jugut.

Të martën, Pheniani lëshoi një raketë mbi Japoni, duke bërë që SHBA të kërkonte një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Në takim, SHBA-ja akuzoi Rusinë dhe Kinën se po e mbrojnë Veriun nga sanksione më të forta.

Duke kundërshtuar sanksionet e mëtejshme, Moska dhe Pekini i kishin dhënë Phenianit "mbrojtje të plotë", vërejti Ambasadori i SHBA në OKB.

Por përfaqësuesit kinezë dhe rusë thanë se rritja e dialogut ishte më e mirë se ndëshkimi.

Për dy muajt e fundit, SHBA, Koreja e Jugut dhe Japonia kanë mbajtur një sërë stërvitjesh të kombinuara, praktikohen se si të mposhtin dhe pengojnë një sulm të Koresë së Veriut. Këto stërvitje e kanë provokuar liderin e Koresë së Veriut Kim Jong-un, i cili i sheh ato si provë që armiqtë e tij po përgatiten për luftë.

Në deklaratën e saj, Koreja e Veriu e akuzoi SHBA-në për "përshkallëzimin e tensioneve ushtarake në gadishullin korean".

Të mërkurën, SHBA, Japonia dhe Koreja e Jugut kryen stërvitje të tjera, për të cilat thanë se ishin një kundërpërgjigje ndaj lëshimit të raketës së së martës. Shtetet e Bashkuara thanë se nuk kishte "asnjë barazpeshë" midis testimit të ndaluar të raketave dhe stërvitjeve të sigurisë.

SHBA-ja gjithashtu e dislokoi sërish,  aeroplanmbajtësen e saj USS Ronald Reagan pranë gadishullit korean.

Koreja e Jugut dhe Japonia thanë se raketa e parë e së enjtes, e lëshuar rreth orës 6:00 me orën lokale (21:00 GMT) fluturoi rreth 350 km me një lartësi maksimale prej 100 km, ndërsa raketa e dytë kishte një rreze fluturimi prej rreth 800 km në një lartësi prej rreth 50 km.

Furia e fundit e lëshimeve të kujton fuqimisht periudhën që çoi në testin e fundit të armës bërthamore në 2017.

Në atë kohë, siç po ndodh tani, kur nuk kishte dialog me SHBA-në, Koreja e Veriut testoi raketat mbi Japoni.

Imazhet satelitore tregojnë se Veriu ka hapur tunele në vendin e testimit bërthamor, të cilin kishte pretenduar se e shkatërroi në vitin 2018 gjatë një afrimi diplomatik jetëshkurtër me SHBA-në nën Presidentin Trump.

Muajin e kaluar, Koreja e Veriut rishikoi gjithashtu ligjet e saj bërthamore, me udhëheqësin Kim Jong Un që e shpalli vendin e tij një fuqi bërthamore "absolute”.

Me gjithçka që po ndodh, Kim duket se po pret një moment politikisht të përshtatshëm për të kryer testin e tij të shtatë bërthamor.

Analistët besojnë se një test ka shumë të ngjarë të ndodhë gjatë dritares prej tre javësh midis Kongresit të Partisë Komuniste në Kinë në fund të këtij muaji dhe zgjedhjeve afatmesme në SHBA në fillim të nëntorit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Bollku i Kimit06/10/2022 09:37

Tërë populli i dobët si tharë në tym, vetëm Kimi si bullafiq, si për të treguar që atje nuk vdes urie, por ka bollëk.

Shto koment

Denonco