Fondi i Rimëkëmbjes nga Covid-19 i BE-së ka ndryshuar mënyrën se si Europa shpenzon paratë

Fondi i Rimëkëmbjes nga Covid-19 i BE-së ka ndryshuar mënyrën se si Europa shpenzon paratë

07:29, 25/06/2022
A+ Aa A-

Plani i Rimëkëmbjes.

Por kontinentin e presin prova të tjera në të ardhmen, shkruan The Economist.

Europa ka kaluar një sërë krizash në të shkuarën. Kur përgjigjja ndaj një krize të caktuar është funksionale, çka nuk është e lehtë në një bllok me 27 shtete, ka një shans të mirë që kriza të përfundojë.

Fondi i BE-së për Covid-19, i quajtur Next Generation EU, ose shkurt NGEU, u krijua në gjysmën e dytë të vitit 2020, për t’i ndihmuar vendet më të dobëta në Europën Lindore dhe Jugore, që të rimëkëmben plotësisht nga pandemia.

Ky fond ka disa elemente të reja. Si fillim, ai është i madh, me një vlerë 807 miliardë euro (958 miliardë dollarë), me çmimet e vitit 2021.

Pothuajse gjysma e kësaj shume duhet të paguhet në formë grantesh (pjesa tjetër si kredi të lira). Ai financohet nga borxhi dhe jo nga buxhetet ekzistuese të shteteve anëtare, duke shtuar një stimul të konsiderueshëm ekonomik.

Dhe pjesa më e madhe e parave të fondit, do të mundësohet vetëm pasi vendet të kenë ndërmarrë hapat e nevojshëm të reformave dhe të kenë përmbushur objektivat e investimeve, pra nuk do të jetë thjesht një transferim parash nga rajonet më të pasura, në ato më të varfra.

Kjo e bën këtë program një provë mbi mënyrën sesi mund të funksionojë BE-ja në të ardhmen. Deri tani, edhe anëtarët përgjithësisht të rreptë, si holandezët apo gjermanët, janë çuditërisht optimistë. Planet e reformave dhe të investimeve janë thelbësore, sipas zyrtarëve të Komisionit Europian.

Edhe në Poloni, fuqia e parasë duket se po funksionon: reformat e vështira në sistemin gjyqësor priten të përfshihen në programin polak, që do të finalizohet së shpejti. Disa reforma, si ato të tregut të punës, të miratuara nga Spanja në fund të vitit të kaluar, tashmë po tregojnë shenja suksesi në krijimin e më shumë vendeve të përhershme të punës.

Por shumë objektiva fillestare të planeve të tilla, janë relativisht të lehta për t’u arritur; ato zakonisht përfshijnë hapa si hapja e tenderave, ose fillimi i proceseve legjislative. Disa prej tyre mund të përfshijnë projekte që kanë filluar që në shkurt 2020, edhe nëse kanë përfunduar tashmë. Vetëm kur zbatimi të bëhet më i vështirë, shpenzimet të tejkalohen, ose qeveri me prioritete të ndryshme të vijnë në pushtet, atëherë qeverisja e fondit të rimëkëmbjes do të sfidohet vërtet.

Ecuria e Italisë do të ketë rëndësi të veçantë. Votuesit duhet të shkojnë në qendrat e votimit në pranverën e vitit 2023, duke i dhënë fund qeverisë së unitetit kombëtar të udhëhequr aktualisht nga Mario Draghi, politika kryesore e të cilit është zbatimi i programit. Qeveria e ardhshme mund të jetë më pak entuziaste për planet.

Afati i shpërndarjes së parave për Italinë duket se do të përballet me telashe: tre ndihmat më të mëdha, nga 11.5 miliardë euro secila, janë planifikuar të jepen përpara zgjedhjeve. Bllokimi aktual i reformës së konkurrencës në Parlament, tregon se sa lehtë mund të ngecin reformat, qoftë në Itali, apo gjetiu.

Komisioni ka për detyrë të gjykojë përputhshmërinë. Ai duhet të bëjë që fondi i rimëkëmbjes të funksionojë, në mënyrë që ky fond të veprojë si model për planet e ardhshme. Megjithatë, nëse rregullat tendosen së tepërmi, mbështetja e shteteve veriore do të venitet.

Zbatimi i planit

Zbatimi i planit aktual nuk është e vetmja çështje. Një problem tjetër është nëse fondi mund të përshtatet për të trajtuar çështjet e sotme më urgjente: luftën në Ukrainë; nxitjen për burime alternative të energjisë dhe inflacionin.

Marrim inflacionin. Ekspertët në Bruksel kishin parashikuar një inflacion prej 2% kur hartuan fondin. Me rritjen vjetore të çmimeve në nivele dyshifrore për shumë lëndë të para dhe energjinë, objektivat e investimeve që ishin rënë dakord më parë nga disa vende, tani mund të jenë të paarritshme.

Rishkrimi i planeve është diçka e mundur në teori (në kushte të rrepta), por konsiderohet si mjeti i fundit që duhet përdorur. Komisioni shpreson se qeveritë kombëtare do të përdorin fondet e tyre për të mbushur hendeqet.

Pyetja nëse skema po kontribuon në inflacion apo nëse po ndihmon në frenimin e tij, është e ndërlikuar. Disa argumentojnë se investimi i fondit të rimëkëmbjes, i kombinuar me reformat dhe dixhitalizimin për rritjen e konkurrencës, do të ulë presionet e çmimeve në një periudhë afatmesme.

Por në të njëjtën kohë, paratë shtesë u mundësojnë vendeve marrëse që të shpenzojnë më shumë për mbështetjen e ekonomisë, çka mund të rrisë inflacionin. Kriza energjetike është sfida e dytë.

Ndryshimet klimatike u theksuan në mandatin fillestar të fondit dhe të paktën 37% e ndihmës që do të marrë çdo vend, duhet të shpenzohet për projekte “të gjelbra”.

Por sulmi rus i ka ndryshuar prioritetet: siguria energjetike tani vjen e para. Shumë nga projektet ekologjike të miratuara, si izolimi i shtëpive apo energjia e rinovueshme, do ta bënin Europën më pak të varur nga lëndët djegëse fosile të huaja. Por të tjerat që nevojiten për të rritur sigurinë e energjisë, siç janë terminalet me gaz natyror të lëngshëm, janë të vështira për t’u realizuar në përputhje me udhëzimet e fondit.

Programi i ri i luftës

Në përgjigje të luftës, komisioni ka krijuar një program të ri, të quajtur REPowerEU. Vendet po udhëzohen që të shtojnë në planet e tyre, një kapitull të ri të sigurisë së energjisë, për të cilin po zbatohen standarde më të lira. Problemi është se si të financohet. Komisioni nuk mundet thjesht të marrë hua kur të dojë, siç mund të bëjë një qeveri sovrane.

Në vend të kësaj, ai duhet të “mobilizojë” paratë, siç thotë zhargoni i Brukselit, duke nënkuptuar riorganizimin e fondeve ekzistuese ose përdorimin e shumave të vogla si levë financiare për rritjen e investimeve private.

Kreditë e fondit të rimëkëmbjes, deri tani janë kërkuar nga vetëm shtatë vende, duke lënë 225 miliardë euro të papërdorura. Ridrejtimi i këtyre parave në kapitujt e sigurisë së energjisë, ofron një rrugëdalje.

Sfida e tretë është vetë lufta. Traktatet e BE-së nuk e lejojnë bllokun që të shpenzojë paratë e BE-së drejtpërdrejt për mbrojtjen. Por ka mënyra manovrimi. Nëse përfshihet hulumtimi ose forcimi i tregut të brendshëm, BE-ja mund të kontribuojë në projekte të lidhura me mbrojtjen. Në përgjigje të luftës, komisioni ka propozuar forcimin e prokurimeve të përbashkëta europiane, por me vetëm 500 milionë euro në dy vitet e ardhshme.

Traktatet e BE-së parashikojnë edhe ndihma financiare për vendet e treta, në këtë rast, për rindërtimin e Ukrainës. Komisioni po shqyrton një fond të ri rindërtimi për Ukrainën, mbështetur në fondin e rimëkëmbjes të Europës dhe ka sugjeruar për të përdorur bonot e emetuara zakonisht, si një mundësi financimi.

Qeveritë europiane nuk janë të gjitha në favor të kësaj ideje, por shkalla e problemit mund të kërkojë një përgjigje të gjerë europiane. Jacob Kirkegaard, nga Instituti Peterson për Ekonominë Ndërkombëtare, një institut kërkimor, argumenton se tani ekziston një shkallë europiane e ashpërsisë së krizave.
“Europa do të përdorë shpenzime të përbashkëta, të financuara nga borxhi, nëse arrihet një prag i caktuar krize. Dhe Ukraina do të jetë një prag i tillë, ashtu siç ishte pandemia”./ Monitor

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco