Arrestohet ish-presidenti i Gjeorgjisë, Mikheil Saakashvili

Arrestohet ish-presidenti i Gjeorgjisë, Mikheil Saakashvili

19:22, 01/10/2021
A+ Aa A-

Ish-presidenti i Gjeorgjisë Mikheil Saakashvili është arrestuar vetëm disa orë pasi ishte kthyer nga mërgimi, në prag të zgjedhjeve lokale në shtetin e Kaukazit.

Saakashvili është arrestuar dhe është dërguar në polici. Vendndodhja e Saakashvilit ka qenë e panjohur për disa orë. Ai postoi një video në rrjetin social Facebook mëngjesin e së premtes, duke thënë se është në qytetin Batumi, pas 8 viteve që ishte larguar nga shteti i Kaukazit Jugor.

Saakashvili, i cili ka jetuar gjatë në Ukrainë, ka thënë më herët gjatë kësaj jave se ai planifikon të niset drejt Tbilisit për të ndihmuar në “ruajtjen e shtetit” në ditën e zgjedhjeve. 

Mikheil Saakashvili njihet si pro-perëndimor. Ai udhëhoqi Gjeorgjinë si president nga viti 2004 e deri në 2013, por më vonë u dënua në mungesë për akuza korrupsioni, të cilat ai i mohon. Saakashvili është kryetar i një force politike të quajtur 'Lëvizja e Forcave të Reja' e themeluar në ekzil. 

Saakashvili ndryshoi planet
Saakashvili në deklaratën e bërë më 27 shtator tha se në Gjeorgji do të kthehet më 2 tetor me linjën ajrore Kiev-Tbilisi dhe kishte publikuar edhe biletën e fluturimit. Kryeministri gjeorgjian, Irakli Garibashvili në lidhje me deklaratën e Saakashvilit ka thënë se "Përgjigjja është e thjeshtë, atij do t'i përgjigjet shteti. Saakashvili sapo të hyjë në territorin tonë, sapo të shkelë me këmbë, menjëherë do të arrestohet dhe do të burgoset".

Saakashvili në arrati që nga viti 2013
Prokuroria e Gjeorgjisë kishte lëshuar urdhër-arresti ndaj Saakashvilit të cilin e akuzonte për shpërndarjen e tubimit të opozitarëve në vitin 2007, konfiskimin e pronës së themeluesit të kanalit televiziv, Imedi, Badri Patarkachishvili, për korrupsion dhe shpërdorim detyre si dhe për rrahje të një deputeti. Gjykata e Tbilisit në vitin 2018 e dënoi Saakashvilin me 3 vjet burg për abuzim me pushtetin për faljen e një rasti vrasjeje.

Pas përfundimit të detyrës së tij si president në vitin 2013, Saakashvili u largua dhe iku në SHBA.

Më pas ai shkoi në Ukrainë, ku presidenti i atëhershëm i Ukrainës, Petro Poroshenko, në maj të vitit 2015 i kishte dhënë atij shtetësi të Ukrainës. Saakashvili gjithashtu ishte emëruar si guvernatori i Odesës por dha dorëheqje nga kjo detyrë në vitin 2016.

Atij më 4 dhjetor 2015 iu hoq shtetësia e Gjeorgjisë. Saakashvili në Ukrainë e themeloi partinë 'Lëvizja e Forcave të Reja', që ishte në opozitë.

Më 26 korrik 2017 atij iu hoq edhe shtetësia e Ukrainës, por presidenti i këtij vendi, Volodymyr Zelensky, vitin e kaluar sërish i dha shtetësinë.

Saakashvili është kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Reformës Kombëtare të Ukrainës që nga viti 2020.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco