Itali, mafiozi i burgosur mendohet se përdori dron për të futur armë në qeli

Itali, mafiozi i burgosur mendohet se përdori dron për të futur armë në qeli

13:37, 21/09/2021
A+ Aa A-

Mendohet se një i burgosur në Itali ka përdorur dron për të futur një armë në burg përpara se të qëllojë të burgosurit e tjerë, thanë autoritetet.

Burri 28-vjeçar-i cili ka lidhje me mafian Camorra në Napoli qëlloi tre herë drejt të burgosurve të tjerë përmes shufrave të qelisë. Nuk ka raportime për ndonjë të lënduar.

Incidenti ndodhi në burgun e sigurisë së lartë Frosinone, rreth 100 kilometra në juglindje të kryeqytetit, Romë.

Besohet se i burgosuri kishte qëlluar me armë zjarri mbi të burgosurit me të cilët kishte pasur një zënkë disa ditë më parë.

"Ai kërcënoi një roje duke i kërkuar çelësat e qelisë," tha Donato Capece, sekretar i përgjithshëm i unionit autonom të burgjeve Sappe.

"Kolegu në qoshe duhej t’i jepte çelësat, por i burgosuri nuk arriti ta hapte derën," shtoi ai.

28-vjeçari gjithashtu kishte futur një telefon celular në burg për të kontaktuar avokatin e tij, para se të dorëzohej tek autoritetet.

Ai dorëzoi armën dhe telefonin, por jo pa hequr kartën SIM më parë dhe duke e gëlltitur atë, tha Capece.

"Ne supozojmë se arma mbërriti me dron, por ne nuk kemi asnjë konfirmim për këtë," shtoi ai.

Incidenti ishte i fundit në një seri që ka ngritur shqetësime mbi menaxhimin e dobët të burgjeve në Itali.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco