Blinken në selinë e NATO-s: Dëshirojmë të ringjallim Aleancën

Blinken në selinë e NATO-s: Dëshirojmë të ringjallim Aleancën

12:14, 23/03/2021
A+ Aa A-

Bliken

Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Anthony Blinken deklaroi se ka ardhur në Bruksel për të treguar mbështetjen e "palëkundur" të vendit të tij për NATO-n.

Blinken në selinë e NATO-s ku ai ka ardhur për herë të parë për takimin e ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s, zhvilloi një konferencë për media me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

"Sot kam ardhur këtu për të njoftuar angazhimin e palëkundur të SHBA-së ndaj Aleancës", tha Blinken i cili shtoi se vendi i tij dëshiron të rindërtojë partneritetet kryesisht me aleatët e NATO-s.

"Dëshirojmë të ringjallim Aleancën e cila është e fortë dhe efektive ndaj kërcënimeve në të kaluarën ashtu edhe ndaj kërcënimeve të ditëve të sotme", tha Blinken.

Lidhur me tërheqjen e forcave ndërkombëtare nga Afganistani, Blinken tha se shqyrtimi i kësaj çështjeje vazhdon. "Ndoshta dhe më e rëndësishmja është se unë kam ardhur këtu për të dëgjuar dhe për t'u konsultuar sepse kjo është ajo që bëjnë aleatët", tha ai.

Sa i përket tërheqjes së ushtarëve amerikanë nga Afganistani, Blinken tha: "Ne shkuam në Afganistan bashkë, u përshtatëm bashkë dhe do të largohemi bashkë kur të vijë koha e duhur. Këtu ka një fjalë të përbashkët, e cila është uniteti. Presidenti Biden tha se do të jetë e vështirë të arrihet më 1 maj tërheqja e cila është dita e fundit. Por, SHBA-ja pavarësisht se çfarë bën ajo do të veprojë duke ditur se çfarë mendojnë aleatët e saj".

Kreu i NATO-s, Stoltenberg theksoi rëndësinë e marrjes së vendimit së bashku për tërheqjen nga Afganistani. Ai tha se bisedimet e paqes në Afganistan janë rruga e vetme e zgjidhjes së problemeve politike në vend.

Pasi shprehu kënaqësinë lidhur me përpjekjet e SHBA-së për rigjallërimin e bisedimeve të paqes, Stoltenberg kërkoi nga talebanët që të ulin dhunën dhe të ndalin mbështetjen e grupeve terroriste ndërkombëtare.

" Duhet të punojmë së bashku. Edhe ky takim siguron platformën e nevojshme për këtë", tha Stoltenberg.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco