Ligjvënësit amerikanë paralajmërojnë për rrezikun në rritje të Kinës

Ligjvënësit amerikanë paralajmërojnë për rrezikun në rritje të Kinës

19:28, 01/10/2020

UASHINGTON – Ligjvënësit amerikanë po paralajmërojnë për rrezikun në rritje nga Kina.

Në dy raporte të veçanta, të publikuara të mërkurën, kritikohen agjensitë amerikane të zbulimit dhe politikanët se shpresuan më tepër se ç’duhej në nocionin se rritja e tregtisë dhe ndërveprimit me Kinën, do ta shtynin rrjedhimisht Pekinin të përshtatej me vlerat perëndimore.

Raportet thonë se Shtetet e Bashkuara janë duke u munduar vetëm të reagojnë ndërsa përballen me rrezikun real të zëvendësimit nga Kina në skenën botërore.

“Janë shumë gjëra që rrezikohen”, thuhet në një raport të redaktuar të qarkulluar nga demokratët në Komisionin e Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve. “Në rast se nuk bëhet një rishpërndarje domethënëse e burimeve, qeveria e Shteteve të Bashkuara dhe komuniteti i zbulimit nuk do të arrijnë rezultatin e nevojshëm për të mundësuar konkurencën e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara me Kinën në skenën globale për dekadat e ardhshme”, thotë raporti.

Raporti i Komisionit të Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve, i mbështetur tek qindra orë dëshmish të zyrtarëve të zbulimit dhe tek rishikimi i mijëra vlerësimeve, kritikon agjensitë amerikane të zbulimit se u fokusuan më tepër se ç’duhet në misionin e tyre kundër terrorizmit dhe se dështuan t’i përshtaten rreziqeve të një bote në ndryshim.

“Ndërsa Shtetet e Bashkuara ishin të zëna në luftën me al-Kaidan, ISIS-in dhe bashkëpunëtorët, degët dhe ndjekësit e tyre, dominimi i pasfiduar i Uashingtonit në sistemin global u zvenit”, thotë raporti.

Për t’u përballur më mirë me Kinën dhe rreziqet e tjera që po shfaqen, raporti thotë se agjensitë amerikane të zbulimit duhet të shfrytëzojnë më mirë informacionin e disponueshëm në internet, mediat sociale dhe gjetiu.

Raporti gjithashtu thotë se zyrtarë amerikanë të zbulimit duhet t’u kushtojnë më shumë vëmendje rreziqeve jo të menjëhershme dhe joushtarake “si shëndeti global, siguria ekonomike dhe ndryshimet klimatike”.

Gjithashtu, raporti bën thirrje për një fokus më të madh tek rekrutimi dhe përgatitja e “brezit të ardhshëm të analistëve për Kinën”, siç përshkruhen nga raporti.

“Lajmi i mirë është se ende kemi kohë për t’u përshtatur”, tha në një deklaratë Kryetari i Komisionit të Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve, Adam Schiff. “Është shpresa ime që komuniteti i zbulimit do të bashkëpunojë ngushtë me komisionet e mbikqyrjes nga Kongresi për t’i realizuar këto ndryshime me shpejtësi”.

Një raport i dytë i publikuar po të mërkurën, këtë radhë nga ligjvënësit republikanë, kishte gjithashtu kritika, duke rekomanduar më shumë se 400 ndryshime në strategjinë e Uashingtonit për Kinën.

“Për të ruajtuar demokracinë dhe lirinë në mbarë botën, Shtetet e Bashkuara duhet të veprojnë me vendosmëri me aleatët tanë për të rifituar avantazhin e iniciativës”, thotë raporti i Grupit të Punës për Kinën.

Ideologjia e Partisë Komuniste Kineze (PKK) “po dëmton parimet themelore të sistemit ndërkombëtar dhe po rrezikon sigurinë dhe begatinë e amerikanëve”, thuhet në raport. “Mëshira dhe mirëkuptimi ndaj PKK-së dhe axhendës së saj shtypëse nuk është më një opsion”.

Raporti u bën thirrje politikëbërësve të shtojnë operacionet e kundërzbulimit ndaj Kinës dhe të sigurohen që zinxhiri i furnizimit për mjekësinë dhe për sigurinë kombëtare të mos mbështetet më tek mallrat kineze.

Raporti gjithashtu rekomandon rritjen e shpenzimeve për t’u përballur më mirë me aftësitë bërthamore të Kinës, si dhe forcat saj të armatosura konvencionale që vazhdojnë të rriten.

“Për mbi 40 vjet, jemi përpjekur t’i sjellim në familjen e kombeve, si një partner i përgjegjshëm, por ata refuzojnë të sillen me përgjegjësi”, tha në një deklaratë Kryetari i Grupit të Punës për Kinën, Michael McCaul./ VOA/

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco