Rusia/ Mosnjohja e Lukashenkos shkel ligjin ndërkombëtar

Rusia/ Mosnjohja e Lukashenkos shkel ligjin ndërkombëtar

15:24, 25/09/2020
A+ Aa A-

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se vendimi i Bashkimit Evropian (BE) dhe disa vendeve të tjera evropiane për mosnjohjen e legjitimitetit të presidentit bjellorus, Alexander Lukashenko, "është në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar".

Në një deklaratë për gazetarët në kryeqytetin Moskë, Peskov, vlerësoi vendimin e BE-së dhe të disa vendeve evropiane për të mos njohur legjitimitetin e Alexander Lukashenko i cili filloi detyrën duke u betuar më 23 shtator.

"Këto vendime janë në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar. Këto vendime, nuk kontribuojnë kategorikisht në zhvillimin e dialogut. Vendet në fjalë do të ngadalësojnë dhe do të vështirësojnë dialogun me Bjellorusinë. Në të vërtetë, këto janë ndërhyrje indirekte në punët e brendshme të Bjellorusisë", tha Peskov duke bërë të ditur se "nuk i mirëpresin" vendime të tilla.

Kjo nuk do të ndikojë në marrëdhëniet mes Rusisë dhe Bjellorusisë, tha Peskov, duke shtuar se "Bjellorusia dhe Rusia janë vende sovrane që formojnë marrëdhëniet e tyre të pavarura prej vendeve të tjera".

Alexander Lukashenko që prej vitit 1994 është zgjedhur president 5 herë njëra pas tjetrës dhe në zgjedhjet e mbajtura më 9 gusht u deklarua që ai fitoi sërish me 80,1 për qind, ndërsa kundërshtarja e tij Svetlana Tikhanovskaya mundi të marrë 10,12 për qind.

Opozita nën kryesimin e Tikhanovskaya kundërshtoi rezultatin e zgjedhjeve dhe pas zgjedhjeve filluan protestat nën organizimin e opozitarëve me pretendimin se në "zgjedhje ka mashtrime". Në protestat që vazhdojnë, protestuesit krahas zgjedhjeve të reja kërkojnë edhe ndryshimin e kushtetutës së vendit.

Lukashenko pas zgjedhjeve presidenciale që fitoi, filloi detyrën e tij duke bërë betimin më 23 shtator.

Krahas BE-së, Gjermania, Polonia dhe Ukraina njoftuan se nuk e njohin legjitimitetin e Lukashenkos.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco