30 minutat e fundit të jetës së George Floyd

30 minutat e fundit të jetës së George Floyd

21:11, 01/06/2020

BBC

SHBA është përfshirë nga protesta mbarëkombëtare pas vdekjes së një afro-amerikani gjatë një arresti policor. George Floyd, 46 vjeç, vdiq pasi u arrestua nga policia jashtë një dyqani në Minneapolis, Minnesota. Pamjet e arrestimit të tij më 25 maj tregojnë një oficer të bardhë të policisë, Derk Chauvin, duke i vënë këmbën në qafë zotit Floyd, teksa ishte i shtrirë në tokë. Chauvin, 44 vjeç, është akuzuar për vrasje.

Ngjarjet kryesore që çuan në vdekjen e zotit Floyd ndodhën brenda 30 minutash. Bazuar te dëshmitë okulare, pamjet video dhe deklaratat zyrtare, ja çfarë dimë deri tani:

Gjithçka nisi pas një raportimi për një kartmonedhë false 20-dollarëshe.

Një denoncim u bë mbrëmjen e 25 majit, kur zoti Floyd bleu një paketë me cigare nga dyqani Cup Foods.

Duke besuar se kartëmonedha ishte e falsifikuar, një punonjës i dyqanit e raportoi te policia.

Floyd jetonte në Minneapolis prej vitesh pasi ishte zhvendosur aty nga Houston, Texas, ku ka lindur. Së fundmi punonte si roje në qytet, por kishte mbetur pa punë si miliona amerikanë prej pandemisë së koronavirusit.

Floyd ishte blerës i rregullt i Cup Foods. Ai ishte një fytyrë e njohur, një klient i këndshëm, që nuk kishte shkaktuar kurrë probleme, tha pronari i dyqanit, Mike Abymayyaleh.

Por ai nuk ishte në punë gjatë ditës së incidentit. Ngjarjen e denoncoi punonjësi i tij adoleshent, pas dyshimeve.

Në një telefonatë te 911, të bërë në orën 20:01, punonjësi i tha operatorit se i kishte kërkuar sërish cigaret, por Floyd nuk ia dha.

Punonjësi tha se ai dukej i dehur dhe sikur nuk ishte në kontroll të vetes, thuhet në transkriptin e bisedës.

Menjëherë pas telefonatës, në orën 20:08, dy policë mbërritën. Floyd ishte bashkë me dy të tjerë në një makinë te qoshja.

Pasi iu afruan makinës, një prej oficerëve, Thomas Lane nxori armën dhe urdhëroi zotin Floyd të tregonte duart. Në një dëshmi për incidentin, prokurorët nuk shpjeguan se përse zoti Lane mendoi se ishte e nevojshme të nxirrte armën.

Prokurorët thanë Lane i vendosi duart mbi zotin Floyd dhe e tërhoqi jashtë makinës. Më pas, “Floyd i rezistoi në mënyrë aktive prangosjes”.

Pasi i vunë prangat, megjithatë, zoti Floyd u bë bashkëpunues, teksa zoti Lane shpjegoi se ai po arrestohej sepse kishte përdorur kartëmonedha false.

Kur oficerët tentuan ta fusin zoti Floyd në makinën e patrullës, nisi përplasja.

Rreth orës 20:14, Floyd nisi ‘të ngurtësohej, ra në tokë dhe u tha oficerëve se ishte klaustrofobik’, sipas raportit.

Në vendin e ngjarjes mbërriti zoti Chauvin. Ai dhe oficerët e tjetër u përfshinë në një përpjekje tjetër për të futur zotin Floyd në makinën e policisë.

Gjatë kësaj përpjekje, në orën 20:19, zoti Chauvin tërhoqi zotin Floyd nga ana e pasagjerit, duke bërë që ai të binte në tokë, thuhet në raport.

Ai qëndroi aty, i shtrirë, ende me pranga.

Ky është momenti kur dëshmitarët nisën të filmojnë zotin Floyd, që dukej se kishte dhimbje dhe ankth.

Këto momente, të fiksuara nga shumë telefona celularë dhe të shpërndarë gjerësisht në median sociale, ishin momentet e fundit të zotit Floyd.

Zoti Floyd u vu nën kontroll nga oficerët, kurse zoti Chauvin i vendosi gjurin e majtë mes kokës dhe qafës.

“Nuk mund të marr frymë,” thoshte vazhdimisht zoti Floyd, duke u lutur për nënën e tij në mënyrë të përsëritur ‘ju lutem, ju lutem, ju lutem’.

Për tetë sekonda dhe 46 sekonda, zoti Chauvin e mbajti gjurin në qafën e zotit Floyd, thuhet në raportin e prokurorëve.

Pas rreth gjashtë minutash në atë gjendje, zoti Floyd nuk po reagonte. Në videon e incidentit, ky është momenti kur Floyd ra në heshtje, teksa kalimtarët u kërkuan oficerëve të kontrollonin pulsin e tij.

Një nga oficerët e tjerë, JA Kueng, bëri pikërisht këtë gjë, duke kontrolluar kyçin e dorës së djathtë të zotit Floyd, por ‘nuk mundi të gjente një’. Megjithatë oficerët nuk lëvizën.

Në orën 20:27, zoti Chauvin e hoqi gjurin nga qafa. Pa lëvizje, zoti Floyd u vendos në një barrelë dhe u dërgua në spitalin Hennepin me një ambulancë.

Ai u shpall i vdekur rreth një orë më vonë.

Natën përpara vdekjes, zoti Floyd kishte folur me një prej miqve të tij më të ngushtë, Christopher Harris. Ai e kishte këshilluar zotin Floyd që të kontaktonte një agjenci të përkohshme punësimi.

Falsifikimi, tha ai, nuk ishte tipar i tij.

“Mënyra se si vdiq ishte e pakuptimtë,” tha Harris. “Ai u lut për jetën e tij. Kur përpiqesh shumë që të besosh te një sistem, një sistem që e di se nuk është projektuar për ty, kur kërkon vazhdimisht drejtësi me mjete të ligjshme dhe nuk e merr atë, atëherë duhet ta marrësh ligjin vetë në dorë”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco