SHBA heq sanksionet ndaj Turqisë, Trump sigurohet se armëpushimi do jetë i përhershëm

SHBA heq sanksionet ndaj Turqisë, Trump sigurohet se armëpushimi do jetë i përhershëm

18:45, 23/10/2019
A+ Aa A-

Presidenti Donald Trump njoftoi se SHBA do të heqin sanksionet ndaj Turqisë, duke thënë se ai është informuar nga Ankaraja se armëpushimi i saj në ofensivën kundër kurdëve në Sirinë verilindore, do të jetë i përhershëm.

"Sanksionet do të hiqen nëse nuk ndodh diçka për të cilën ne nuk jemi të kënaqur", tha Presidentit Trump duke folur në Shtëpinë e Bardhë, raporton VOA. 

Turqia tha të martën se nuk ka "nevojë" ta vazhdojë ofensivën e saj ushtarake kundër kurdëve sirianë, duke thënë se SHBA i ka thënë Ankarasë se tërheqja kurde nga kufiri verior i Sirisë është e plotë.

Turqia e bëri njoftimin e saj disa orë pas përfundimit të armëpushimit pesë-ditor në ofensivën ushtarake turke në zonën e sigurt kurde në veri të Sirisë.

Kurdët sirianë luftuan përkrah forcave amerikane kundër terroristëve të Shtetit Islamik. Por Turqia i shikon ata si të lidhur me separatistët kurdë që luftojnë prej një kohe të gjatë për autonomi brenda Turqisë. Turqia i quan kurdët terroristë.

Turqia e nisi ofensivën e saj pasi Presidenti Trump urdhëroi gati të gjitha forcat amerikane të tërhiqeshin nga Siria veriore dy javë më parë.

Presidenti rus Vladimir Putin dhe homologu i tij turk, Rexhep Tajip Erdogan, arritën një marrëveshje të martën mbi kontrollin e përbashkët të rajonit kufitar sirian.

Videot e siguruara nga shërbimi kurd i Zërit të Amerikës tregojnë automjete ushtarake ruse duke hyrë në qytetin Kobani, në kufirin me Turqinë.

Sipas marrëveshjes, luftëtarët kurdë do të mbahen 30 kilometra nga i gjithë kufiri turko-sirian prej 440-kilometrash, dhe do të tërhiqen nga qytetet Manbij dhe Tel Rifaat.

Ndërkohë, sekretari amerikan i mbrojtjes Mark Esper mbërriti në Bagdad të mërkurën për bisedime me zyrtarët irakianë lidhur me arritjen e trupave amerikane të tërhequra së fundmi nga Siria veriore.

Shtatëqind ose më shumë trupa janë zhvendosur në Irakun perëndimor, ku tashmë ndodhet një kontigjent ushtarak amerikan prej 5,000 vetësh.

Kurdët e zemëruar e gjuajtën një kolonë amerikane me patate të kalbura ndërsa ajo drejtohej për në Irak.

Sekretari Esper ka thënë që trupat shtesë do të ndihmojnë në mbrojtjen e Irakut dhe do të jenë aty për të kryer operacione antiterroriste kundër kryengritësve të Shtetit Islamik brenda Sirisë.

Por qeveria e Irakut thotë se trupat nuk kanë leje të qëndrojnë në vend.

Gjatë vizitës së tij në Arabinë Saudite, shefi i Pentagonit tha se "përfundimisht destinacioni i tyre është kthimi përsëri” në Shtetet e Bashkuara.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco