Protesta e jelek-verdhëve, qeveria franceze pranon gabimet

Protesta e jelek-verdhëve, qeveria franceze pranon gabimet

17:16, 18/03/2019
A+ Aa A-

Protestat e jelek-verdhëve ishin shumë të ashpra dhe të dhunshme ndaj qeverisë së Makron. Presidenti i Francës ka njoftuar se do marrë masa që Parisi të mos dëmtohet më nga protestat e dhunshme.

Qeveria franceze u përball të dielën me kritika të ashpra për menaxhimin e rendit dhe sigurisë gjatë manifestimit të dhunshëm të jelekverdhëve.

Kryeministri Eduard Filip pranoi se qasja ndaj sigurisë një ditë më parë kishte qenë e gabuar dhe do të korrigjohet në të ardhmen, por vlerësoi reagimin e forcave policore ndaj protestuesve.

Deklaratat e kreut të qeverisë erdhën pas një takimi urgjent me presidentin Emmanuel Macron, i cili pas protestave të së shtunës anuloi një fundjavë pushimesh të planifikuar në malet Pireneje.

Ministria e Brendshme njoftoi se në demonstratat e së shtunës në Paris kishin marrë pjesë rreth 10 mijë persona, apo gati trefishi i pjesëmarrësve të një jave më parë, ndërsa në të gjithë vendin u organizuan mbi 30 mijë qytetarë në protesta antiqeveritare.

Sipas policisë vendase, protesta e së shtunës përshkallëzoi në dhunë e nxitur nga rreth 1,500 elementë ekstremistë, që i vunë flakën, bastisën dhe vandalizuan makina e dyqane luksoze të gjendura në bulevardin prestigjioz "Shomps-Elize".

Kryebashkiakja socialiste e Parisit, Anë Hidalgo, tha të dielën se ndjehej e dëshpëruar nga aktet e paprecedentë të bashkëqytetarëve të saj, por kërkoi shpjegime edhe nga qeveria.

Kjo ishte protesta më e dhunshme e jelekverdhëve pas asaj të 1 dhjetorit 2018.

Disa nga pjesëmarrësit në protestë mendojnë se të qenit paqësorë nuk u ka sjellë atyre asnjë avantazh në katër muajt e fundit, dhe se dhuna e tyre nuk mund të krahasohet me dëmet e mëdha që qeveria po shkakton me politikat e saj.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco