Nga Mattia Ferraresi - FT/
Papa Leoni e ka quajtur luftën e zgjedhur nga Donald Trump në Iran një "skandal për gjithë familjen njerëzore". Konflikti ka edhe një dimension të fortë fetar, pasi zyrtarë të administratës dhe drejtues ushtarakë përdorin retorikë fetare për të justifikuar luftën.
Në një shërbesë të fundit fetare në Pentagon, sekretari i mbrojtjes Pete Hegseth u lut për "një dhunë dërrmuese veprimi kundër atyre që nuk meritojnë mëshirë". Në atë që u duk si një qortim indirekt, Leoni tha se Jezusi "nuk i dëgjon lutjet e atyre që bëjnë luftë".
Lufta në Iran nuk është e vetmja pikë përplasjeje. Vatikani dhe Shtëpia e Bardhë janë në kundërshtim për politikën e emigracionit, sulmin ndaj Venezuelës, përplasjen e SHBA-së me Europën dhe shpërbërjen e institucioneve shumëpalëshe.
Selia e Shenjtë po ndjek gjithashtu me shqetësim në rritje situatën në Kubë. Shumë nga luftërat dhe goditjet e brendshme të Uashingtonit funksionojnë mbi softuerin e Palantir-it, prandaj Vatikani ka reaguar edhe kundër aleatëve të Trump-it në botën e teknologjisë.
Muajin e kaluar, investitori i teknologjisë Peter Thiel, i njohur për pikëpamjet e tij apokaliptike, mbërriti në Qytetin e Përjetshëm për të mbajtur leksionet e tij shumë sekrete, por të njohura, mbi antikrishtin dhe fundin e kohërave. Bota katolike e priti sikur të ishte një visigot që vinte për të plaçkitur qytetin.
Personalitete të Kishës e trajtuan bashkëthemeluesin e Palantir-itsi një apostat të rrezikshëm që duhej shmangur, jo si një të krishterë jokonvencional që meritonte të dëgjohej. Shtypi katolik e sulmoi si një pseudo-mendimtar të errët që promovon një teologji të shtrembëruar politike, ndërsa një teolog në një universitet papnor sugjeroi se vetë Thiel mund të ishte antikrishti.
U dhanë urdhra nga lart për të mbajtur larg teologët e mirëfilltë nga konferencat, dhe mediat italiane raportuan se në pallatin roman ku ligjëronte Thiel-i, shëtitësit elegantë me mustaqe të lyera ishin shumë më të shumtë se studiuesit e Biblës. Manjati ungjillor i teknologjisë u përjashtua në mënyrë jozyrtare nga një kishë ku ai as që bën pjesë.
Leksionet e Thiel-it sugjerojnë se antikrishti do të përpiqet të ngadalësojë përparimin teknologjik, duke e lidhur novacionin njerëzor me rregullore dhe kufizime morale. Papa Leoni XIV po i kushton vëmendje të veçantë zhvillimit teknologjik dhe inteligjencës artificiale.
Së shpejti pritet të publikohet një enciklikë me titull "Magnifica Humanitas", e cila do të reflektojë mbi vizionin katolik të natyrës njerëzore dhe marrëdhënien e saj me teknologjinë. Në përballjen përfundimtare mes përshpejtuesve të progresit dhe atyre që kërkojnë frenim, Thiel dhe Vatikani nuk mund të jenë më larg njëri-tjetrit.
Debati eskatologjik ka edhe një dimension të qartë politik. Thiel ishte një mbështetës i hershëm i Trump-it në vitin 2016 dhe e ka interpretuar rizgjedhjen e tij në vitin 2024 si një apokálypsis të mirëfilltë, një moment "zbulimi" të të gjitha gabimeve që qeveria e mëparshme kishte fshehur nga qytetarët.
Ai është gjithashtu mentor i zëvendëspresidentit JD Vance, i cili nisi rrugëtimin e tij drejt Kishës Katolike pasi mori pjesë në një leksion të Thiel-it. Së bashku me sekretarin e shtetit Marco Rubio, Vance është ndër katolikët më të njohur që drejtojnë një administratë që mund të jetë më në konflikt me mësimet e Kishës se çdo administratë tjetër në kujtesën e fundit.
Vance ka ndjekur nga afër marrëdhëniet me Selinë e Shenjtë dhe në disa raste është përplasur në mënyrë të ashpër me peshkopët amerikanë dhe përfaqësuesit e Vatikanit. Lidhja e fortë e Thiel-itme Vance-in nuk ka kaluar pa u vënë re nga zyrtarët e Vatikanit që e shmangën Thiel-in në Romë, një qytet ku, prej mijëra vitesh, betejat shpirtërore dhe ato tokësore shpesh janë ndërthurur.
Pritja e ftohtë ndaj Thiel-it nuk është vetëm rezultat i një mosmarrëveshjeje teologjike. Ajo pasqyron edhe rolin e tij të perceptuar si ambasador jozyrtar i Trump-it, duke zbatuar vullnetin e tij në tokë ashtu si në qiell.
Në atë që ndoshta synohej si një gjest vullneti të mirë, Trump e ftoi Leonin të vizitonte vendin e tij të origjinës për 250-vjetorin e pavarësisë; papa e refuzoi ftesën. Ndërkohë, peshkopët amerikanë kanë zgjedhur të mos rinovojnë marrëveshjet e bashkëpunimit me qeverinë federale për rivendosjen e refugjatëve dhe shërbimet për fëmijët emigrantë, ndërsa Vatikani refuzoi në mënyrë të qëllimshme t'i bashkohej Bordit të Paqes të Trump-it.
Presidenti amerikan duket se ka arritur një detyrë pothuajse të mrekullueshme: të bashkojë peshkopët amerikanë, historikisht të ndarë mes progresistëve dhe konservatorëve, në kundërshtim të përbashkët ndaj politikave të ndjekura nga një prej administratave amerikane me më shumë katolikë në përbërje.
Lufta në Iran po shndërrohet në një provë të fortë për marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Selisë së Shenjtë, e cila nuk humbet asnjë rast për të treguar kundërshtimin e saj ndaj këtij presidenti amerikan. / Financial Times – Syri.net
© SYRI.net