Nga Thomas L. Friedman - NYT/
Nëse më parë nuk ishte e qartë, tani është e pamohueshme. Presidenti Trump dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu nisën një luftë me Iranin duke supozuar se do të shkaktonin një ndryshim të shpejtë dhe të lehtë regjimi. Ata e nënvlerësuan shumë aftësinë e udhëheqjes së mbetur iraniane për të mbijetuar dhe kapacitetin e saj ushtarak jo vetëm për t'u shkaktuar dëme Izraelit dhe aleatëve arabë të Amerikës, por edhe për të bllokuar rrugën më të rëndësishme në botë për transportin e naftës dhe gazit.
Kjo po i shkakton dëm serioz ekonomisë globale, përfshirë tregun amerikan të aksioneve, dhe Trump nuk ka asnjë ide si të dalë nga rrëmuja që krijoi vetëduke nisur një luftë pa menduar pasojat. Është në fakt e turpshme të shohësh presidentin amerikan që ndryshon vazhdimisht qëndrim: nga deklaratat se udhëheqësit iranianë të mbetur pothuajse kanë pranuar çdo kërkesë të tij, se lufta është drejt fundit dhe Trump ka fituar, deri te pranimi se nuk e di si ta nxjerrë ngushticën e Hormuzit nga kontrolli i Iranit.Nëse aleatët perëndimorë të Amerikës, të cilët Trump nuk i konsultoi kurrë para luftës, nuk dërgojnë ushtritë dhe flotat e tyre për ta bërë punën në vend të tij, atëherë, sipas tij, është problem i tyre: Amerika ka gjithë naftën që i duhet. Kjo, përveç nëse Trump vendos të "zhdukë", fjala e tij e preferuar, bazën industriale dhe impiantet e shkripëzimit të Iranit derisa Irani të dorëzohet.
Shkurt, po shohim çfarë ndodh kur në Zyrën Ovale vendoset një njeri impulsiv dhe i paqëndrueshëm, i cili kandidoi për president kryesisht për t'u hakmarrë ndaj kundërshtarëve politikë. Më pas ai u rrethua nga një kabinet i zgjedhur për pamjen e jashtme dhe gatishmërinë për t'i qëndruar besnik Trump-it më shumë sesa Kushtetutës. Shto këtu edhe shumicat republikane në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senat, të gatshme t'i japin atij autorizime pa kufi, dhe rezultati është vendimmarrje e pakujdesshme dhe pa disiplinë, përfshirë nisjen e një lufte të madhe në Lindjen e Mesme pa asnjë plan për ditën pas saj.
Trump është si një fëmijë i rritur që luan me shkrepëse, ushtrinë më të fuqishme në botë, brenda një dhome të mbushur me gaz.
Sikur të mos mjaftonte kjo, kemi edhe sekretarin e mbrojtjes, Pete Hegseth, i cili mban bindje ekstreme nacionaliste të krishtera dhe, javën e kaluar, sipas raportimeve, zhvilloi një seancë lutjeje në Pentagon ku u lut që trupat amerikane të ushtronin "dhunë dërrmuese ndaj atyre që nuk meritojnë mëshirë… Ne i kërkojmë këto gjëra me besim të plotë në emrin e fuqishëm të Jezu Krishtit."
Me fjalë të tjera, tani janë luftëtarët tanë fetarë kundër atyre të Iranit.
Po të mos ishte kjo udhëheqja e vendit tim, dhe po të mos ishte Iraniforca më destabilizuese në Lindjen e Mesme, ndërsa transformimi i tij një objektiv i vlefshëm për popullin dhe fqinjët e vet, thjesht do të rrija dhe do ta shikoja shfaqjen, duke shijuar spektaklin e Trump-it që merr atë që meriton.
Por është vendi im. Një Iran me armë bërthamore është një kërcënim që mund të shkaktojë përhapjen e armëve bërthamore në gjithë Lindjen e Mesme. Dhe në fund, të gjithë do të përballemi me pasojat e asaj që meriton Trump.
Çfarë duhet bërë?
Trump duhet të heqë dorë nga plani i tij i paqes me 15 pika, i cili do të ishte jashtëzakonisht i vështirë për t'u zbatuar, dhe ta reduktojë në dy pika: Irani heq dorë nga më shumë se 431 kg uranium shumë të pasuruar, pothuajse në nivel për armë bërthamore, dhe në këmbim Shtetet e Bashkuara heqin dorë nga ndryshimi i regjimit.Më pas, të dyja palët bien dakord për t'u dhënë fund të gjitha armiqësive.
Kjo do të thotë: jo më bombardime amerikane dhe izraelite, jo më raketa iraniane dhe të Hezbollahut, jo më bllokadë të ngushticës së Hormuzit dhe, sigurisht, asnjë trupë tokësore amerikane që zbarkon në Iran.
"Duhet të kuptojmë se ajo që regjimi iranian dëshiron më shumë është të qëndrojë në pushtet, ndërsa ajo që Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli duan më shumë është që Irani të mos ketë bombë bërthamore," tha John Arquilla, ish-profesor i analizës së mbrojtjes në Naval Postgraduate School dhe autor i librit që pritet të botohet, "The Troubled American Way of War.""Të dyja palët mund të marrin atë që duan më shumë nëse janë të gatshme të heqin dorë nga ajo që duan më pak."Për Amerikën dhe Izraelin, çmimi i dytë pas eliminimit të uraniumit shumë të pasuruar të Iranit do të ishte ndryshimi i regjimit. Kjo tani nuk duket më e realizueshme, dhe Trump tashmë ka filluar të përgatisë terrenin për braktisjen e këtij objektivi. Ai u tha gazetarëve të dielën se, duke qenë se Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kanë vrarë tashmë dhjetëra drejtues të lartë iranianë, "ky në fakt është ndryshim regjimi."Sipas tij, udhëheqësit e rinj iranianë janë "një grup krejt tjetër njerëzish" dhe kanë qenë "shumë të arsyeshëm."
Sigurisht, kjo është absurde dhe shërben si mbulesë për faktin se Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli e mbivlerësuan shumë aftësinë e tyre për të rrëzuar regjimin iranian vetëm përmes fuqisë ajrore.
Ekipi i Trump-it, sipas raportimeve, ka negociuar përmes Pakistanit me kryetarin e parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, i cili ka lidhje të forta me Gardën Revolucionare Islamike të Iranit, që duket se është fuqia reale pas skenave.
Regjimi iranian i mbetur mund të jetë i gatshëm të shqyrtojë dorëzimin e uraniumit të tij në këmbim të mbijetesës.
Po, një milion probleme do të mbeteshin ende të pazgjidhura, por kështu ndodh kur përpiqesh të përdorësh forcën pa asnjë planifikim afatgjatë për të zgjidhur një problem kompleks.
Në përgjithësi, një problem kompleks përkufizohet si një problem që nuk pranon zgjidhje të shpejta apo përfundimtare. Ai përfshin shumë variabla të ndërlidhur mes tyre. Rezultatet nuk janë kurrë përfundimtare, vetëm më të mira ose më të këqija, ose thjesht mjaftueshëm të pranueshme. Çdo problem i tillë është në thelb unik, që do të thotë se nuk ekziston një model i gatshëm dhe perfekt për ta zgjidhur. Dhe zgjidhjet shpesh kanë pasoja të pakthyeshme, pra, vendimet nuk mund të zhbëhen lehtë.
Ky është ndoshta përkufizimi më i mirë që mund t'i bëhet problemit të Iranit.
Edhe pse mund të mos e ketë thënë kurrë drejtpërdrejt me këto fjalë, nëse shihen veprimet e presidentit Barack Obama ndaj Iranit, bëhet e qartë se ai e kuptonte se ishte një problem kompleks dhe se rruga më e mençur ishte të përqendrohej te interesi kryesor amerikan, ta siguronte atë dhe të mësonte të jetonte me aspektet e tjera të problemit, duke i zbutur ato sa më shumë që të ishte e mundur.
Kjo ishte logjika e marrëveshjes së vitit 2015 të Obamës me Iranin, Plani i aksionit të përbashkët global, i cili vendosi kufizime të verifikueshme ndërkombëtarisht mbi programin e pasurimit të uraniumit të vendit, si edhe vendimi për të bashkëjetuar me arsenalin në rritje të raketave balistike të Iranit dhe mbështetjen e tij për milici aleate në Liban, Siri, Jemen dhe Irak, të cilat nuk përbënin kërcënim të drejtpërdrejtë për Amerikën.
Marrëveshja bërthamore e Obamës funksionoi sipas planit. Kur Obama u largua nga detyra, kufizimet mbi kapacitetet e pasurimit bërthamor të Iranit, të verifikuara nga inspektorë ndërkombëtarë, nënkuptonin se Irani, edhe nëse do të dilte nga marrëveshja, do t'i duhej të paktën një vit për të prodhuar material të mjaftueshëm për një kokë bërthamore, duke i dhënë botës kohë të mjaftueshme për të reaguar.
Megjithatë, Trump, me nxitjen e Netanyahu-t, e tërhoqi në mënyrë të njëanshme SHBA-në nga marrëveshja në vitin 2018. Por ai nuk krijoi kurrë një strategji alternative efektive për të parandaluar Iranin të siguronte uranium të mjaftueshëm për një bombë. Administrata Biden u përpoq të rregullonte pasojat e vendimit të Trump-it, por nuk arriti ta bindte Iranin të pranonte.
Kur Trump u rikthye në pushtet, ai sërish neglizhoi krijimin e një alternative. Kështu, Irani kaloi nga të qenit rreth një vit larg prodhimit të një bombe nën marrëveshjen bërthamore të Obamës, në vetëm disa javë larg saj, falë tërheqjes së pamenduar të Trump-it nga strategjia e Obamës pa një zëvendësim efektiv. Dhe tani, me këtë luftë, Trump e ka shndërruar situatën në një problem vërtet, vërtet kompleks.
Pikërisht për këtë arsye duhet ta mbajmë zgjidhjen sa më të thjeshtë. Amerika duhet të japë garanci se do t'i japë fund luftës, do ta lërë regjimin në fuqi, do të ndalojë shkatërrimin e infrastrukturës iraniane dhe madje do të ofrojë një lehtësim të pjesshëm të sanksioneve të naftës, nëse Irani dorëzon të gjithë materialin e tij fisil pranë nivelit për armë dhe ndalon të gjitha armiqësitë nga ana e tij. Çdo gjë tjetër shtyhet për një ditë tjetër. (Ndërkohë, një regjim iranian shumë i dobësuar do të detyrohej të ishte më i përgjegjshëm ndaj popullit të vet.)
Trump do të ishte jashtëzakonisht me fat nëse udhëheqësit e mbetur të regjimit iranian do të thoshin po. Është një tregues i paaftësisë së Trump-it fakti që tani ata mbajnë në duart e tyre fatin e tij./ NYT – Syri.net
© SYRI.net