Nga Leo Lewis - FT/
"Landslide" (rrëshqitje dheu, ose në kuptimin figurativ 'dërrmuese') është përdorur shpesh për të përshkruar fitoren rekord të Sanae Takaichi-t në zgjedhjet e së dielës: një triumf që e vendos atë në krye të një supermaxhorance të madhe në dhomën e ulët të parlamentit. Por ky përshkrim nuk e kap thelbin e vërtetë. Rrëshqitjet e dheut ndodhin në shtresën sipërfaqësore të tokës; zgjedhjet prekën themelet.
Është folur shumë për përmasat shtypëse të mandatit të Takaichi-t, që i jep dhomës së ulët fuqinë të anashkalojë dhomën e lartë nëse dëshiron. Është folur më pak për sa shumë ka lëvizur Japonia për të arritur këtë rezultat dhe çfarë do të thotë realisht.
Nga Donald Trump, Xi Jinping dhe liderë të tjerë të huaj, te menaxherët globalë të fondeve, pronarët e dyqaneve të vogla, rekrutuesit ushtarakë dhe radhët tashmë të fryra të Partisë së saj Liberaldemokrate, të gjithë së shpejti do ta kuptojnë, në praktikë, se si do t'i ndikojëfuqia e paprecedentë e Takaichi-t për të folur në emër të një kombi dhe për të nxjerrë ligje me vendosmëri.
Por përqendrimi vetëm te pasojat e menjëhershme rrezikon të humbasë pamjen e madhe. Pavarësisht kontrollit të fortë të Takaichi-t mbi politikat dhe manifestit të detajuar, ajo bëri fushatë në terma të gjerë. Kishte diçka për të gjithë. Disa menduan se po votonin për uljen e çmimit të ushqimeve; disa për stimuj për rritjen e inflacionit; disa për reformë fiskale; disa për reformë kushtetuese. Detajet konkrete të politikave nuk ishin pjesë e mandatit.
Po ashtu, pavarësisht sinjaleve për emigracionin, koston e jetesës dhe shtrëngimin buxhetor, kjo nuk ishte një refuzim i zemëruar i statu kuosë. Një parti që ka qenë në pushtet për shumicën e 70 viteve të fundit fitoi sërish. Dhe, megjithëse Takaichi është karizmatike, publiku nuk po i jepte një shpërblim sipërfaqësor për më shumë karizëm në politikë.
Japonia, me gjasë, i ka dhënë Takaichi-t një mandat për realizëm. Llojin e realizmit mbi të cilin kompanitë dhe familjet japoneze kanë ndërtuar jetën e tyre, por që politika shpesh ka zgjedhur ta minimizojë. Ky ishte një votim për ta marrë vendin ashtu siç është dhe për të provuar ta bëjë atë ashtu siç mund të jetë, në vend që, si shumë para saj, ta marrë Japoninë ashtu siç do të donte të ishte dhe pastaj të pengohet nga realiteti. Për një vend që po inkurajohet të besojë te pikat e tij të forta, kjo është potencialisht shumë çliruese.
Takaichi i ftoi votuesit të përqafojnë realizmin, si atë të dhimbshmin (Japonia ka investuar më pak se sa duhet në veten e saj), ashtu edhe atë frymëzuesin (Japonia është shumë më produktive nga sa duket). Japonia ka probleme (demografia, konkurrentë agresivë), por ka edhe mjetet për t'i zgjidhur (zgjuarsinë, talentin teknologjik). Mund të funksionojë ose jo, por ky ishte një akt guximi si nga Takaichi, ashtu edhe nga votuesit e saj.
Pesha e madhe e këtij mandati bie qartësisht mbi kryeministren. Ajo e fitoi këtë fitore madhështore, jo LDP-ja, dhe ligjvënësit i detyrohen asaj fuqinë e tyre kolektive. Nëse mandati është vërtet për realizëm, ajo duhet ta dorëzojë atëtani. Sado joshëse të ketë qenë gjatë fushatës të krijohej një "armik" nga të huajt, realizmi dikton se Japonia e korporatave nuk mund të mbijetojë gjatë pa punëtorë të importuar.
Në thelb, votuesit nuk i dhanë vetëm një mandat për realizëm rreth Japonisë, por edhe rreth botës ku ajo jeton tani, duke lënë pas logjikën e pacifizmit dhe zakonin e vjetër të shkëmbimit të idealizmit me pragmatizmin. Japonia ndodhet në një pozicion unikisht të rrezikshëm, por plot mundësi, mes SHBA-së së Trump-it dhe Kinës së Xi-së. Votuesit duket se e kanë humbur durimin me pretendimin e kahershëm se kjo nuk është kështu.
Kur Trump vendosi tarifa ndaj aleatit të tij më të afërt në Azi dhe më pas e detyroi të angazhonte shuma gjigante për t'i ulur ato, tronditja e zgjoi Japoninë ndaj një realiteti që ajo e kishte shmangur prej vitesh. Kur komentet e Takaichi-t për një pushtim hipotetik kinez të Tajvanit dhe kërcënimin e pashmangshëm për Japoninë zemëruan Pekinin, japonezët u rreshtuan qartësisht me realizmin që kryeministrja e tyre e kishte të vështirë ta shmangte.
Fuqia e mandatit të Takaichi-t nuk qëndron vetëm te pranimi nga votuesit se rendi global po ndryshon shpejt dhe në mënyrë kërcënuese, por edhe te shpejtësia dhe vendosmëria me të cilën ata ia besuan asaj detyrën për t'u përshtatur me këtë ndryshim. Pak demokraci të tjera kanë qenë kaq efikase.
Basti i Takaichi-t në zgjedhje nuk ishte vetëm se ajo mund të ringjallte fatin e LDP-së dhe të rimerrte kontrollin e parlamentit. Ishte se Japonia ishte gati të pranonte tri ndryshime të mëdha njëherësh. Në një periudhë të shkurtër, vendi ka humbur sigurinë e rendit global pas Luftës së Dytë Botërore dhe parashikueshmërinë e aleancës strategjike pas Luftës së Ftohtë. Njëkohësisht, Takaichi dëshiron që Japonia të ripërcaktojë veten ekonomikisht, dhe të deklarojë se ka mbyllur përfundimisht epokën pas flluskës ekonomike: të zymtë, pa oreks për rrezik, grumbulluese parash dhe plot dyshime për veten.
Një transformim i tillë kërkon që Japonia të ecë më krenare se sa ka bërë për dekada. Takaichi tani ka mandatin për ta bërë këtë realitet.
© SYRI.net