Nga Simon Kuper - FT/
Është një parim i vjetër i mendimit politik se për të ndërtuar një identitet kolektiv të duhet një armik. Një kundërshtar i bën njerëzit të bashkohen. Hitleri e luajti këtë rol për Britaninë, dhe BRSS-ja për SHBA-në. Pas rënies së armikut sovjetik, u dobësua edhe uniteti amerikan.
Por BE-ja i fitoi armiqtë e jashtëm vetëm në dekadën e fundit: fillimisht brexit-istët, pastaj Vladimir Putini, me Kinën që rri në prapavijë, dhe tani, më në fund, armiku i përsosur, Donald Trump-i. Ai ndoshta ka bërë më shumë për të bashkuar Europën se sa ka bërë ndonjë europian. Mungesa e armiqve e kishte dobësuar prej kohësh Europën. Nuk dukej se kishte shumë arsye për të luftuar për këtë kauzë.
Kur së fundmi studiova themelimin e Komunitetit Ekonomik Europian (KEE) në vitin 1957, më bëri përshtypje që pothuajse askush nuk e kundërshtoi. Ja ku ishte një ideal shekullor, një Europë e bashkuar, që nuk ishte realizuar kurrë më parë, dhe megjithatë, kur disa udhëheqës, vendet e të cilëve sapo kishin luftuar mes tyre në një luftë të tmerrshme, ranë dakord për të, duke u konsultuar pak me votuesit, pothuajse të gjithë thanë: OK. SHBA-ja e mbështeti KEE-në, Britania e Madhe nuk u bashkua, por as nuk e kundërshtoi shumë, sovjetikët u shqetësuan më tepër për NATO-n, dhe shumica të mëdha parlamentare në gjashtë vendet themeluese ratifikuan krijimin e KEE-së.
Një bashkim ekonomik teknokratik, pa armiq, nuk ngjallte shumë emocione. Askush nuk do të vdiste për flamurin blu e të artë, dhe vetëm disa tifozë ekstremë të Ryder Cup e valëvitnin atë në ndonjë aktivitet sportiv. Në seriale dhe filma, heroi që luftonte "të këqinjtë" gjeopolitikë ishte pothuajse gjithmonë amerikan, jo europian.
Brexit u bë kërcënimi i parë potencialisht ekzistencial për BE-në. Shumë njerëz menduan se do të nxiste edhe dalje të tjera. Në vitin 2018, lideri i ekstremit të djathtë italian, Matteo Salvini, pak para se të hynte në qeveri, e krahasoi BE-në me "Titanikun që po mbytet". Si përgjigje ndaj këtij kërcënimi, mbështetja e qytetarëve për unionin u rrit në nivelin më të lartë që nga viti 1983, sipas sondazhit Eurobarometer të Komisionit Europian në pranverën e vitit 2018. Brexit i shoi lëvizjet për dalje nga BE-ja në kontinent.
Pastaj Putini zëvendësoi brexit-istët si armiku kryesor i Europës dhe ndihmoi në forcimin e unitetit europian. Deri në vjeshtën e vitit 2024, madje edhe para zgjedhjes së Trumpit, 74 për qind e të anketuarve nga Eurobarometri thanë se ndiheshin qytetarë të BE-së, niveli më i lartë në më shumë se 20 vjet.
Por Trump është armiku më i mirë deri tani. Nëse një ekip skenaristësh televizivë do të krijonte një zullumqar të përsosur, ai do të rrëmbente vendin e mbrojtësit tënd të besuar. Ai do të mbushte mendjet edhe të njerëzve që mendojnë për politikën vetëm pesë minuta në javë. Do të kërcënonte se do të të dëmtonte, siç bëri Trump gjatë "momentit të Groenlandës" në janar. Dhe do të mishëronte të kundërtën e idealeve të shpallura të grupit tënd, në këtë rast paqen dhe demokracinë.
Trump vjen edhe me një aradhë nën-zullumqarësh të shkëlqyer: oligarkët amerikanë të teknologjisë, produktet e të cilëve banojnë në psikikën europiane si asgjë tjetër më parë. Nuk kam parë kurrë më parë europianë që të ndiheshin kaq europianë.
Javën e shkuar mora pjesë në një takim elitar në Holandën shumë atlantiste, ku mendimi kryesor ishte se e kishim humbur SHBA-në dhe duhej të mbroheshim vetë. Një pjesëmarrës, Jaap de Hoop Scheffer, sekretar i përgjithshëm holandez i NATO-s nga viti 2004 deri në vitin 2009, tha se Europa nuk mund të mbrohej e vetme dhe se SHBA-ja ende e mbështet NATO-n, por shtoi: "Kam frikë nga braktisja, por e kam kaluar fazën e zisë."
Më pas pashë kryeministrat e Danimarkës dhe Groenlandës të flisnin në universitetin parizian Sciences Po, ku studentët e mbledhur, madje edhe disa gazetarë, u dhanë një duartrokitje në këmbë. Më në fund, Europa po prek zemrat. Nëse kontinenti tani po e çliron veten nga zotëria i tij amerikan, kjo është njëkohësisht e frikshme dhe emocionuese.
Këto nuk janë vetëm emocione elitash. Sondazhi i fundit Eurobazooka me 7498 europianë, i kryer për revistën franceze Le Grand Continent, është befasues. Shumica të mëdha mbështetën dërgimin e trupave europiane për të mbrojtur Groenlandën. 51 për qind thanë se Trump ishte armik i Europës; vetëm 8 për qind e quajtën mik. Tre për qind e demokratëve të krishterë gjermanë, atlantistët më të fortë, mendonin se ai ishte demokrat. Dhe, në mënyrë të pazakontë për një çështje të politikës së jashtme, ndërgjegjësimi për "momentin e Groenlandës" ishte pothuajse total.
Sondazhi identifikoi vetëm një grupim politik europian në mëdyshje për Trump-in: të djathtën ekstreme. Disa nga votuesit e saj e pëlqejnë, të tjerë jo. Ai po e ndan të djathtën ekstreme ashtu siç migracioni e ndau të majtën europiane. Gjithmonë kam dyshuar se Europa ekzistonte si diçka më shumë se një treg i vetëm i papërfunduar. Kjo mund të jetë duke ndryshuar. / Financial Times – Syri.net
© SYRI.net