Europa është aq shumë pas Shteteve të Bashkuara në infrastrukturën digjitale, saqë praktikisht e ka “humbur internetin”, ka paralajmëruar një nga drejtuesit kryesorë europianë të sigurisë kibernetike.
Miguel De Bruycker, drejtor i Qendrës për Sigurinë Kibernetike të Belgjikës (CCB), i tha Financial Times se aktualisht është “e pamundur” të ruhen plotësisht të dhënat brenda Europës, sepse kompanitë amerikane dominojnë infrastrukturën digjitale.
“E kemi humbur krejt cloud-in. E kemi humbur internetin, le të jemi të sinqertë,” tha De Bruycker. “Nëse dua që informacioni im të jetë 100 për qind në BE… vazhdo të ëndërrosh,” shtoi ai. “Po vendos një objektiv që nuk është realist.”
Zyrtari belg paralajmëroi se mbrojtja kibernetike e Europës varet nga bashkëpunimi me kompani private, shumica e të cilave janë amerikane. “Në hapësirën kibernetike, gjithçka është tregtare. Gjithçka është në pronësi private,” tha ai.
Kjo varësi nuk është një “problem i madh sigurie” për BE-në, sipas De Bruycker, i cili drejton CCB-në që nga themelimi i saj një dekadë më parë. Por Europa, sipas tij, po mbetet pas në teknologji të reja kyçe, që po udhëhiqen nga SHBA-ja dhe vende të tjera. Këtu përfshihen cloud computing dhe inteligjenca artificiale, të dyja jetike për mbrojtjen e vendeve europiane nga sulmet kibernetike.
Europa duhet të ndërtojë kapacitetet e veta për të forcuar novacionin dhe sigurinë, tha De Bruycker, duke shtuar se legjislacioni si Ligji i BE-së për Inteligjencën Artificiale, që rregullon këtë teknologji në zhvillim të shpejtë, po “bllokon” novacionin.
Ai sugjeroi që qeveritë e BE-së duhet të mbështesin iniciativa private për të krijuar shkallë të madhe në fusha si cloud computing apo teknologjitë e identitetit digjital.
Kjo mund të ishte e ngjashme me mënyrën se si vendet europiane krijuan bashkërisht Airbus-in, tha ai: “Dekada më parë, të gjithë mbështesnin iniciativat e Airbus-it. Na duhet e njëjta nismë në nivel BE-je në fushën kibernetike.”
Sipas ekspertëve të IT-së, kompani si OVHcloud në Francë dhe Schwarz Digital në Gjermani tashmë ofrojnë infrastrukturë digjitale të rëndësishme.
Vendet e BE-së janë shqetësuar prej kohësh për varësinë nga gjigantët amerikanë të teknologjisë si Amazon, ndërsa po shtohen thirrjet për rritjen e “sovranitetit teknologjik” të Europës.
Megjithatë, De Bruycker tha se këto diskutime shpesh janë “fetare” dhe pa fokus të qartë. “Mendoj se në nivel BE-je duhet të përcaktojmë qartë se çfarë do të thotë sovranitet për ne në fushën digjitale,” tha ai.
“Në vend që ta përqendrojmë vëmendjen te mënyra si t’i ndalojmë ‘hipershkallëzuesit’ amerikanë, ndoshta duhet ta përdorim energjinë për të ndërtuar diçka tonën.”
Belgjika, si vend pritës i institucioneve të BE-së dhe NATO-s, ka qenë në shënjestër të sulmeve hibride të shtuara, që dyshohet se janë kryer nga Rusia. Që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Moska në vitin 2022, janë shtuar sulmet kibernetike dhe shkeljet e hapësirës ajrore belge me dronë.
Vitin e shkuar, Belgjika përjetoi pesë valë sulmesh DDoS që zgjatën disa ditë, ku pajisje të komprometuara mbingarkojnë faqet e internetit të bizneseve dhe institucioneve shtetërore për t’i nxjerrë përkohësisht jashtë funksioni. De Bruycker tha se këto sulme zakonisht synonin deri në 20 organizata të ndryshme në ditë dhe se pas tyre zakonisht qëndronin “haktivistë rusë”.
Edhe pse nuk është e qartë nëse Kremlini i sponsorizon drejtpërdrejt, sulmet zakonisht vinin si reagim ndaj deklaratave anti-ruse të politikanëve.
“Ndonjëherë… as nuk është një zyrtar belg, por një zyrtar i BE-së që ka thënë diçka në Bruksel dhe ata fillojnë të sulmojnë,” tha ai.
Edhe pse këto sulme janë shtuar, De Bruycker nuk i sheh si edhe aq të dëmshme dhe thotë se synojnë kryesisht funksionimin normal. “Janë të përkohshme, nuk vjedhin informacione. Thjesht prishin funksionimin normal të faqes apo portalit.”
Pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia, gjigantët amerikanë të cloud-it luajtën një rol kyç në shpëtimin e të dhënave nga sulmet ruse, tha ai.
Ai shprehu gjithashtu besim se bashkëpunimi me kompanitë amerikane do të vazhdojë për të luftuar aktorët keqdashës, pavarësisht se kompanitë e teknologjisë në SHBA janë afruar me administratën Trump, e cila ka sinjalizuar disa herë se mund të tërhiqet nga mbështetja e sigurisë së Europës. / Financial Times – Syri.net
© SYRI.net