Lajmi i fundit

Mijëra shqiptarë të diasporës mbërrijnë në atdhe për protestën e sotme kombëtare

Pse Trump tregoi dhëmbët dhe kapi Maduron e Venezuelës. Dhe nuk ka të bëjë vetëm me drogën.

Pse Trump tregoi dhëmbët dhe kapi Maduron e Venezuelës. Dhe nuk ka të bëjë vetëm me drogën.

11:34, 05/01/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Jonathan Schanzer – NY Post/

Kapja e diktatorit venezuelas Nicolás Maduro nga administrata Trump të shtunën ishte një fitore për SHBA-në në dy drejtime: luftën kundër drogës dhe rivalitetin me fuqitë e mëdha si Kina dhe Rusia.

Për vite me radhë, lufta kundër drogës është zhvilluar brenda vendit, kryesisht me slogane që synonin të ndryshonin sjelljen e qytetarëve amerikanë.

Presidenti Trump e përmbysi këtë qasje të pasuksesshme në vitin 2025, kur filloi bombardimin e anijeve të trafikut të drogës që sillnin lëndë narkotike drejt Shteteve të Bashkuara.

Strategjia e tij ishte shumë e diskutueshme: edhe mbështetësit e fortë të ushtrisë amerikane dhe kundërshtarët e ashpër të bosëve të drogës u alarmuan nga përdorimi i forcës nga SHBA-ja në Karaibe.

Këtë fundjavë, Trump e çoi edhe më tej: ai rrëzoi një narkoshtet përmes ndryshimit të regjimit.

Si rrjedhojë, pritet që fluksi i drogave të rrezikshme drejt SHBA-së të ngadalësohet.

Efekti frenues i këtij operacioni nuk mund të nënvlerësohet. Kartelet dhe bosët e drogës që prej vitesh kanë helmuar SHBA-në tani e dinë se janë në shënjestër.

Sigurisht, ushtria amerikane do të vazhdojë të bombardojë anijet e tyre në det të hapur. Por ajo që i frikëson më shumë tani është mundësia që të kapen dhe të dërgohen në SHBA për t'u përballur me drejtësinë.

Megjithatë, mos prisni që të gjithë në SHBA ta përshëndesin këtë ngjarje historike.

Që prej dështimeve për të rindërtuar Irakun dhe Afganistanin, neo-izolacionistët në Uashington kanë paralajmëruar se Amerika duhet ta shmangë me çdo kusht ndryshimin e regjimeve.

Zërat e tyre kundërshtues pritet të dëgjohen në ditët dhe javët në vijim.

Për momentin, Trump synon që SHBA-ja ta drejtojë qeverinë në Venezuelë derisa të vendoset një qeveri e përshtatshme. Kjo, sigurisht, sjell rreziqe të mëdha.

Nëse Venezuela zhytet në kaos, fajin do ta marrë Trump-i. Nëse gjithë rajoni destabilizohet, edhe kjo do t'i ngarkohet presidentit.

A do t'i japë baza mbështetëse Trump-it mundësinë të përmirësojë dështimet e paraardhësve të tij në ndryshimin e regjimeve? Ai duket i vendosur ta provojë.

Në të vërtetë, debati për ndryshimin e regjimit është dytësor.

Rrëzimi i Maduros kishte të bënte me rikthimin e hemisferës perëndimore nën ndikimin e Shteteve të Bashkuara.

Maduro nuk ishte thjesht kreu i një narkoshteti. Ai ishte aleat i armiqve më të rrezikshëm të Amerikës.

Pak para se të kapej nga forcat speciale amerikane, Maduro ishte takuar në Karakas me një delegacion të lartë kinez.

Por regjimi i Maduros nuk ishte aleat vetëm i Kinës. Ai kishte lidhje të ngushta edhe me shtete problematike si Rusia, Kuba dhe Irani.

Edhe Turqia, një aleat i paqëndrueshëm i NATO-s, ka qenë në krah të regjimit të Maduros.

Qeveria e presidentit Rexhep Tajip Erdogan është anëtari i pestë i asaj që quhet "Pesëshja e famshme", vendet që e mbështetën sundimtarin venezuelas.

Një ose më shumë prej këtyre regjimeve mund të përpiqen të shfrytëzojnë boshllëkun e krijuar në Venezuelë.

Ata mund të mos arrijnë ta rikthejnë Maduron në pushtet, por mund të përpiqen ta bëjnë Amerikën të paguajë një çmim për rrëzimin e aleatit të tyre.

Administrata Trump duhet të tregojë forcë tani dhe t'i paralajmërojë që të qëndrojnë larg.

Nëse veprohet siç duhet, largimi i Maduros do të dobësojë ndikimin e kundërshtarëve të Amerikës në hemisferën tonë.

Ai do t'u heqë karteleve një pikë kyçe tranziti për dërgesat drejt SHBA-së dhe do t'u heqë armiqve tanë një aleat të rëndësishëm.

Nëse gjërat shkojnë kështu, nuk është një fillim i keq për vitin 2026. / New York Post – Syri.net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Më të lexuarat
Denonco