Nga Hélène de Lauzun/
Viti 2025 mbyllet me trishtim për miliona francezë dhe admirues në mbarë botën: Brigitte Bardot, ajo grua hijshme dhe e paturpshme në mënyrën e saj, nuk është më.
Ajo u nda nga jeta mëngjesin e 28 dhjetorit, në moshën 91-vjeçare, pak muaj pas miqve të saj të shquar të një epoke tashmë të shkuar – Alain Delonit të pashëm dhe Claudia Cardinales madhështore.
Në javët e fundit të jetës së saj, disa alarme shëndetësore e kishin mbajtur shtypin në gatishmëri. Madje ishte shpallur e vdekur një apo dy herë, por Bardot i priste këto lajme të rreme me një të qeshur të sinqertë dhe me atë shkujdesje që e kishte karakterizuar deri në fund. Megjithatë, më në fund, Zoti e thirri pranë vetes këtë zonjushë të palodhur, gjysmë engjëll e gjysmë djall.
Për breza të tërë, Brigitte Bardot ishte mishërimi i gruas franceze. Jashtëzakonisht e bukur dhe e pathyeshme, herë elegante e sofistikuar, herë boheme me flokët që i valëviteshin në erë; kapriçioze dhe e vrullshme, gati për t’u ankuar apo për të qeshur me zë të lartë; plot jetë dhe pasion në gjithçka që bënte. Ajo ishte thellësisht e dashuruar me lirinë – një liri që nuk negociohej dhe që nuk mund të shtypej as nga morali i vjetër, as nga ai i ri.
E lindur në vitin 1934, Brigitte Bardot fillimisht u orientua drejt baletit klasik dhe më pas hodhi hapat e parë si modele. Në kopertinën e revistës Elle u vu re nga regjisori Marc Allégret dhe u dashurua me asistentin e tij, Roger Vadim, i cili në vitin 1952 i hapi dyert e kinemasë, kur ajo ishte vetëm 18 vjeçe. Fillimet i pati me role të vogla pranë emrave të mëdhenj të kohës si Sacha Guitry dhe René Clair. Në vitin 1956, ajo shpërtheu përfundimisht në ekran nën regjinë e bashkëshortit të saj Vadim, me filmin Et Dieu… créa la femme (Dhe Zoti krijoi gruan). Bukuria e saj verbuese magjepsi publikun dhe e çoi drejt një sërë rolesh të shumta. Ndërsa pamja e saj u adhurua pa rezerva, aftësitë e saj si aktore shpesh u pritën me skepticizëm. Por larg të qenit një figurë e cekët, Bardot ishte e para që i pranonte kufijtë e saj dhe u përpoq t’i kapërcente ata duke punuar me regjisorë të mëdhenj si Henri-Georges Clouzot (La Vérité), Louis Malle (Vie privée) dhe Jean-Luc Godard (Le Mépris).
Për francezët që e adhuronin, Bardot u bë gruaja par excellence. Vajzat e reja e imitonin dhe ëndërronin të dukeshin si ajo; burrat e ëndërronin natën dhe psherëtinin për të ditën. Ajo u shndërrua natyrshëm në fytyrën e Marianne-s, alegorisë së Republikës Franceze. A do ta çonte suksesi në Hollyëood? Kurrë. Bardot nuk mund ta braktiste Francën e saj të dashur. Ajo refuzoi të gjitha ofertat. “Nuk mund të largohesha për në Shtetet e Bashkuara. Edhe për gjithë arin e botës, ishte e pamundur”, deklaroi ajo për Vogue.
Në fillim të viteve ’70, BB e kuptoi se jeta para kamerave nuk i përkiste më. Në vitin 1975, ajo i dha fund përfundimisht karrierës së saj artistike. Në një intervistë për Le Monde në vitin 2021, ajo shpjegonte: “Fama nuk më përshtatej më. Kotësia e gjithë kësaj… më trajtonin si në cirk. Nuk mund të lëvizja, nuk mund të jetoja. Ishte gjithçka që urreja.”
Pas largimit nga skena, Bardot iu përkushtua plotësisht kauzës së jetës së saj: mbrojtjes së kafshëve. Lufta kundër gjuetisë barbare të fokave për gëzofin e tyre u bë një nga betejat e saj më simbolike. Në vitin 1986 u themelua Fondacioni Brigitte Bardot, që prej asaj kohe mbështet fushata të panumërta kundër vuajtjeve të kafshëve. “Kafshët më zhgënjejnë shumë më pak se njerëzit”, rrëfente ajo.
BB ishte një joshëse e lindur, e vetëdijshme për sharmin e saj dhe për trazirat që shkaktonte në zemrat e admiruesve. Megjithatë, ajo refuzonte të reduktohej në një ikonë të çlirimit seksual. “Nuk më intereson fare çlirimi i grave. Unë jam thjesht vetvetja”, shprehej ajo në Vogue. “Nuk isha kurrë skandaloze – bëja vetëm atë që doja.”
Paradoksi i Brigitte Bardot mbetet i gjallë edhe sot. Ajo ishte një pioniere: e minifundit, e Saint-Tropez-it që e shndërroi nga një fshat peshkatarësh në një mit botëror, dhe e mbrojtjes së kafshëve në një kohë kur askujt nuk i interesonte kjo kauzë. Ishte gjithashtu një figurë politike polemike, me bindje të forta të djathta, kritike ndaj emigracionit masiv dhe ideologjive moderne që, sipas saj, po shpërfytyronin Francën.
E dashuruar pas burrave virilë dhe e bindur në feminitetin e saj, Bardot nuk e njihte më veten në botën moderne. Pak para vdekjes, ajo shprehej me një ironi të hidhur: “Jeta sot e bën vdekjen të duket si diçka e jashtëzakonshme.”
Zoti mirëpriti në gjirin e Tij një nga krijesat më të bukura… dhe e fali këtë bijë të trazuar të Evës për mëkatet e saj njerëzore.
© SYRI.net