Noam Chomsky përfaqëson gjithçka që nuk shkon me të majtën moralizuese

Noam Chomsky përfaqëson gjithçka që nuk shkon me të majtën moralizuese

13:25, 23/12/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Zoe Strimpel – The Telegraph/

Cikli i fundit i lajmeve ka ofruar pak arsye për kënaqësi dhe shumë arsye për dëshpërim. Por herë pas here ndodh diçka që, edhe nëse nuk të ngre humorin, të paktën të jep një ndjenjë kënaqësie ironike aq të fortë sa nuk mund të mos qeshësh me zë. Edhe nëse është ora 2 e mëngjesit dhe je shtrirë në shtrat me një filxhan çaji.

Kështu u ndjeva edhe unë kur pashë fotografinë e Noam Chomsky-t, tani 97 vjeç, ulur pranë Jeffrey Epstein-it në një avion privat, në njërën nga 68 fotografitë e publikuara këtë javë nga demokratët në komisionin mbikëqyrës të Dhomës së Përfaqësuesve.

Epstein-i është sot i njohur gjerësisht si një përbindësh, ndërsa përmasat e krimeve të tij vazhdojnë të dalin në dritë. Chomsky, gjuhëtar në MIT dhe një figurë kyçe e lëvizjes moderne post-koloniale pro Palestinës, është një lloj tjetër përbindëshi, trashëgimia e të cilit do të ushqejë rryma të errëta kulturore për shumë vite. Është e vështirë të gjesh një listë ideologjish më të dëmshme se ato të cilave Chomsky u ka kushtuar jetën.

Chomsky, një antikapitalist që urren Amerikën dhe Izraelin, është vetëshpallur prej kohësh "anarko-sindikalist" dhe/ose "libertar socialist". Anarko-sindikalizmi është një formë anarkizmi që e vendos sindikatën si mjet konflikti. Me fjalë të tjera, është një teatër i së majtës, që synon të tregojë mbështetje për sundimin, zakonisht të dhunshëm,  të proletariatit. Edhe libertarianizmi socialist është thellësisht antikapitalist. Chomsky e ka ndërtuar figurën e tij mbi sulmet ndaj "korporatokracisë elitare" dhe e paraqet veten si të detyruar të përdorë "privilegjin" e tij për ta destabilizuar atë, për shembull përmes lëvizjeve si Occupy.

Pikërisht për këtë arsye, prania e tij e rehatshme dhe plot vetëkënaqësi në avionin privat të Epstein-it, simbol i luksit kapitalist që ekziston falë asaj "korporatokracie elitare", është qesharake. Por kjo është një ironi e njohur për këdo që ka vëzhguar më shumë se një shekull hipokrizie marksiste.

Përtej kriminalitetit të Epstein-it, ka një dallim thelbësor mes tij dhe Chomsky-t. Epstein, me sa di unë, nuk pretendoi kurrë të ishte shenjtor, apo teoricien feminist, apo aktivist për të drejtat e grave. Chomsky, përkundrazi, e ka kaluar jetën duke predikuar moral dhe duke shpallur virtytin e tij.

Për një njeri që ia ka kushtuar gjithë veprimtarinë intelektuale luftës kundër vetë idesë së luksit elitar, pamja e tij kaq e rehatuar në një avion privat, dhe pikërisht në shoqërinë e një figure të tillë, është një ironi tepër e madhe për t'u shpërfillur.

Shpresoj që kjo fotografi t'ia njollosë ditët e fundit dhe, mbi të gjitha, trashëgiminë. Dëmi që ka shkaktuar gjatë jetës së tij është i pallogaritshëm dhe i pafalshëm, jo vetëm përmes librave të tij kundër Izraelit dhe Perëndimit, si On Palestine, The Myth of American Idealism, Occupy dhe Gaza in Crisis, por edhe përmes çdo ndjekësi të frymëzuar prej tyre.

Natyrisht, sot është bërë e vështirë të gjesh figura publike që nuk janë fotografuar me Epstein-in, nga David E. Brooks te Woody Allen. Disa thonë se u mashtruan nga prania e "profesorëve, shkencëtarëve, fituesve të Nobelit". Por Chomsky, një njeri i mësuar me elitat, vështirë se mund të justifikohet kështu. Përfundimi duket i qartë: Chomsky e pëlqente Epstein-in. Dhe i pëlqente edhe më shumë fluturimi me avion privat. / The Telegraph – Syri.net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Më të lexuarat
Denonco