Lajmi i fundit

LIVE/ 'Rama jepe dorëheqjen! Protestuesit rrethojnë kryeministrinë

Vdekja e qendrës së djathtë në Francë

Vdekja e qendrës së djathtë në Francë

10:31, 16/12/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Henry Samuel/

Është një histori e denjë për Aleksandër Dymanë.

Nga Pallati Elize në një burg të zymtë parizian, Nicolas Sarkozy tani mund të ndihmojë në nisjen e një prej tronditjeve më të mëdha politike në Francën moderne, duke rrezikuar të zhdukë edhe vetë lëvizjen e tij politike.

Këtë muaj, Sarkozy theu një tabu dhjetëra vjeçare duke i kthyer shpinën "frontit republikan", aleancës së partive që prej vitesh luftojnë kundër Tubimit Kombëtar të Marine Le Pen në çdo palë zgjedhje.

Me këtë veprim, ish-presidenti po pozicionohet si "kingmaker" i pushtetit dhe po legjitimon në praktikë një aleancë me partinë që dikur përpiqej ta mbante nën kontroll, një aleancë që mund të shënojë fundin e qendrës së djathtë franceze.

Te Ditari i një të Burgosuri, të shkruar gjatë 20 ditëve në burg, ku lexoi Kontin e Monte Kristos të Dymasë, historia klasike e një njeriu të burgosur padrejtësisht që kthehet për t'u hakmarrë, Sarkozy përshkruan një telefonatë me Le Penin.

Kur u pyet nëse do ta bllokonte ardhjen e saj në pushtet, ai shkruan: "Përgjigjja ime ishte e qartë: Jo", duke shtuar se përjashtimi i Tubimit Kombëtar nga fronti republikan do të ishte një "gabim".

"Rindërtimi i së djathtës mund të ndodhë vetëm përmes aleancës sa më të gjerë, pa përjashtime dhe pa anatema," shkruan ai.

Më pas, ai shkoi edhe më tej, duke e krahasuar Jordan Bardella-n,beniaminin 30-vjeçar të Le Penit, që pritet të kandidojë për president pranverën e ardhshme nëse ndalohet kandidimi i saj, me Zhak Shirakun, ish-presidentin golist që luftoi gjithë jetën kundër Frontit Kombëtar, pararendësit të Tubimit Kombëtar.

Sarkozy tha se diskursi i Bardella-s "nuk është shumë i ndryshëm nga yni në atë kohë", duke e paraqitur atë si trashëgimtarin modern të partisë konservatore dhe pro-biznesit RPR të Shirakut.

Për një parti që dikur qeveriste Francën dhe që sot ka vetëm 49 deputetë me emrin Les Républicains, krahasuar me 123 të Tubimit Kombëtar, tronditja është ekzistenciale për qendrën e djathtë.

Kjo pasqyron rënien e Partisë Konservatore në Britaninë e Madhe, ku Reform e Nigel Farage-it kryeson sondazhet, duke kërcënuar fundin e një brezi politikash kryesisht centriste.

Në një intervistë për The Telegraph këtë javë, Bardella i hodhi kripë plagës.

Duke i quajtur deklaratat e Sarkozy-t "të qarta", ai tha se Les Républicains "është bërë një parti e vogël që nuk mund të fitojë e vetme" dhe këmbënguli se kordoni sanitar i vjetër ka vdekur.

"Fronti republikan nuk është gjë tjetër veçse një manovër politike mes njerëzish që nuk bien dakord për asgjë, përveçse për të mbrojtur pozitat e tyre," i tha ai The Telegraph, duke shtuar se ata "nuk mund ta kenë si projekt të vetëm pengimin e fitores së Tubimit Kombëtar".

Sondazhet e reja tregojnë se votuesit e djathtë francezë janë dakord.

Një sondazh i Toluna Harris Interactive për RTL tregon se dy të tretat mbështesin një aleancë Les Républicains–Tubimi Kombëtar në zgjedhjet bashkiake, parlamentare dhe presidenciale; mes votuesve të qendrës së djathtë, së djathtës dhe ekstremit të djathtë, mbështetja shkon rreth 70 për qind.

Gjashtë nga dhjetë votues në total thonë se një kandidat i vetëm presidencial nga e djathta do të ishte "gjë e mirë", dhe 72 për qind e votuesve të djathtë duan që ky kandidat të vijë nga Tubimi Kombëtar. "Diga po shembet," thotë sondazhisti Jean-Daniel Levy.

Analisti veteran Alain Duhamel i tha The Telegraph se momenti është historik. "Ky është fundi i së djathtës goliste dhe i së djathtës së Shirakut, që gjithmonë kishte përjashtuar çdo afrim me të djathtën ekstreme."

Sipas tij, ky ndryshim te elektorati është tashmë i pakthyeshëm.

"Bashkimi i së djathtës me 'të djathtën ekstreme' nuk është ende i plotë mes të zgjedhurve, por mes votuesve ka ndodhur tashmë. Pjesa më e madhe e elektoratit republikan, sidomos në zonat rurale dhe bastione tradicionale, ka kaluar te Tubimi Kombëtar. Edhe përfaqësuesit e tyre do ta ndjekin me kohën."

Ai shtoi një paralajmërim të drejtpërdrejtë për zgjedhjet presidenciale të vitit 2027: "Asnjë kandidat i së djathtës tradicionale nuk mund të arrijë në raundin e dytë. Qoftë Bruno Retailleau, Michel Barnier apo ndonjë tjetër, askush nuk ka shanse kundër Bardella-s. Votuesit e tyre thjesht do të kalojnë te Tubimi Kombëtar."

Përçarja e brendshme e Les Républicains përkeqësohet edhe nga fakti se një pjesë e partisë është shkëputur tashmë drejt kampit të Emmanuel Macron-it, si Edouard Philippe dhe Gérald Darmanin, gjë që ndikon negativisht në sondazhe, pasi shihen si të komprometuar politikisht.

Brenda asaj që ka mbetur nga Les Républicains, pasojat janë bërë helmuese.

Retailleau, kreu i partisë, po lufton për të ruajtur vijën goliste, duke paralajmëruar se çdo pakt me Tubimin Kombëtar do të "vriste atë që ka mbetur nga e djathta republikane".

Përballë tij qëndron Laurent Wauquiez, kreu i vijës së ashpër dhe i grupit parlamentar të Les Républicains, i cili ka hedhur idenë e një primareje të gjerë të së djathtës, që do të shtrihej nga Gérald Darmanin, ish-ministër i Brendshëm në qeveritë e Macron-it, deri te Sarah Knafo, nënkryetare e lëvizjes së djathtë ekstreme Reconquête të Eric Zemmour-it.

Partia mbetet ende e tronditur nga dezertimi spektakolar i ish-kryetarit Eric Ciotti në vitin 2024, kur ai u përpoq njëanshëm ta tërhiqte Les Républicains në një pakt zyrtar me Tubimin Kombëtar. Njoftimi i tij tronditës shkaktoi një dramë politike "shekspiriane", ku drejtues të lartë të partisë ia ndaluan hyrjen në seli dhe e shpallën të shkarkuar.

Pas ditësh betejash ligjore, gjykatat vendosën kundër tij. Kalimi i Ciotti-t te Tubimi Kombëtar e dobësoi Les Républicains në numra, por la një plagë më të thellë: një parti përgjithmonë mosbesuese ndaj udhëheqjes së vet.

Pika që derdhi gotën erdhi në dhjetor, gjatë votimit të buxhetit të sigurimeve shoqërore.

Zoti Retailleau urdhëroi deputetët të rrëzonin atë që e quajti një tekst "socialist" që pezullonte reformën e pensioneve. Por zoti Wauquiez refuzoi të shihej duke votuar bashkë me të Majtën ose me Tubimin Kombëtar. 18 deputetë të LR-së, më shumë se një e treta e grupit, përfunduan duke mbështetur qeverinë për të shpëtuar kryeministrin Sébastien Lecornu.

Patrick Cohen i France Inter e përmblodhi situatën duke pyetur: "Kush mund të thotë se çfarë dëshiron realisht të bëjë LR-ja në ekonomi?" Ai e përshkroi partinë si "duke ecur pa kryetar dhe pa busull", e ndarë mes një të djathte që tani voton me të Majtën dhe një tjetre që po i afrohet gradualisht ekstremit të djathtë.

Ndërkohë, e djathta e fortë po rritet sipas çdo treguesi. Një sondazh i Harris Interactive mbi "potencialin elektoral" e vendos Bardella-n në 44 për qind (rritje me gjashtë pikë) dhe Le Pen-in në 43 për qind (rritje me shtatë). Marion Maréchal, mbesa e Le Pen-it, është e treta me 30 për qind, ndërsa kandidatët më të fortë makronistë, Edouard Philippe, Gérald Darmanin dhe Gabriel Attal, mbeten të ngrirë rreth 28–30 për qind.

Për Bardella-n, kriza në të djathtën tradicionale është provë se historia po anon në favorin e tij.

"Ka dy rryma tek e djathta," i tha ai The Telegraph. "Njëra është afër nesh, ideologjikisht dhe politikisht. Tjetra ka punuar me Emmanuel Macron-in që nga viti 2007."

Politika, shtoi ai, "është çështje valësh të mëdha… vala që po na mbart është e rrënjosur thellë në vend, e fortë elektoralisht, dhe besoj se mund të na çojë në pushtet."

Privatisht, rrethi i tij është edhe më i sigurt. Një këshilltar i lartë tha se janë "të bindur" se balotazhi i vitit 2027 do të jetë Bardella ose Le Pen kundër Jean-Luc Mélenchon-it, figurës së zjarrtë të ekstremit të majtë.

"Nëse është Bardella kundër Mélenchon-it," tha ai, "uniteti i së djathtës vjen vetvetiu. Debati brenda LR-së zhduket brenda natës." / The Telegraph – Syri.net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco