Lajmi i fundit

LIVE/ Unioni i sindikatave në protestë para Minstrisë së Financave

Kriza e institucioneve konservatore

Kriza e institucioneve konservatore

14:26, 07/11/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Chadwick Hagan - European Conservative/

Konservatorëve të Europës nuk u mungojnë idetë; u mungojnë institucionet që mund t'u japin jetë atyre ideve. Prej më shumë se 70 vjetësh, e majta ka kontrolluar terrenin kulturor dhe intelektual të kontinentit. Ajo që nisi si një projekt për të mirën e përbashkët, u shndërrua në një monopol moral që riformësoi gjuhën e jetës publike duke gërryer njëkohësisht shtetin-komb. Edhe kur kanë qeverisur konservatorët, e kanë bërë këtë brenda strukturave të ndërtuara nga kundërshtarët e tyre. Trashëgimia e "Rrugës së Tretë" vazhdon të përcaktojë politikën europiane, duke krijuar një konsensus qendror që anon majtas dhe mbron status kuonë institucionale. Fitoret konservatore rrallëherë prodhojnë rezultate konservatore. Edhe lëvizjet e moderuara të qendrës së djathtë trajtohen si kërcënime ndaj demokracisë, ndërsa dominimi i së majtës në kulturë dhe burokraci pranohet si rend natyral.

Kjo vihet re më qartë se kudo tjetër në Bruksel. I ndërtuar për ta depolitizuar qeverisjen, aparati burokratik europian është shndërruar në mishërimin më të pastër të ideologjisë menaxheriale. Fjalori i tij mbi "vlerat e përbashkëta" dhe "harmonizimin" fsheh një neveri të thellë ndaj zgjedhjes demokratike. Ajo që dikur u shit si projekt paqeje e stabiliteti, tashmë funksionon si një mekanizëm kontrolli që mban gjallë një klasë teknokrate që sundon pa bindje dhe pa përgjegjësi. Shteti menaxherial që lindi nga Brukseli gjeti pasqyrën e tij në Uashington, ku administrimi ka zëvendësuar politikën dhe përputhshmëria ka zëvendësuar bindjen.

Përvoja ime e parë në politikë erdhi gjatë fushatës së parë presidenciale të George W. Bushit, kur kujtimi i Reagan-it dhe Thatcher-it i jepte ende drejtim moral së djathtës atlantike. Edhe "Rruga e Tretë" e Tony Blair-it, me gjithë kontradiktat e saj, dukej se premtonte një ekuilibër të qëndrueshëm mes realizmit të tregut dhe përgjegjësisë shoqërore. I besoja atij premtimi derisa ai u shemb nën peshën e ngjarjeve, fillimisht me Luftën e Irakut dhe, më pas, me krizën financiare globale.

"Rikthimi në Azi" i Barack Obamëss, i nxitur nga utopizmi i Silicon Valley-t dhe iluzionet e teknokracisë globale, imagjinonte një shekull të ri të ndërtuar rreth brigjeve të Paqësorit. Në realitet, ai shënoi një tërheqje nga bota atlantike që kishte mbajtur gjallë demokracinë dhe lirinë. Nuk ishte një rilindje, por një shmangie, një politikë simbolike që zëvendësonte strukturën me aspiratën. Në Shtetet e Bashkuara, trashëgimia e të dy presidentëve demokratë është rrënuar. Blairizmi, përkundrazi, mbijetoi. "Rruga e Tretë" e Blair-it mbetet kushtetuta e pashkruar e qeverisjes institucionale. Edhe kur konservatorët janë në pushtet, ata veprojnë brenda sistemeve që ai krijoi. Qëndrueshmëria e saj është e jashtëzakonshme, e ndërtuar mbi disiplinë, rrjete dhe koherencë institucionale. Ajo i ka mbijetuar si idealizmit të Obamës, ashtu edhe populizmit të Biden-it, dhe ka zhdukur plotësisht ndikimin e administratës Bush. Arkitektura politike e Blair-it mbijeton sepse është e organizuar. E djathta europiane duhet të marrë të njëjtin mësim.

Simptoma më e dukshme e shpërbërjes institucionale shihet sot në fushën e ligjit. Siç paralajmëroi Lord Sumption në leksionet Reith të vitit 2019: "Ligji nuk është zëvendësim për politikën. Kur gjykatat bëhen arena kryesore e konflikteve politike, rezultati është njëherësh ligj i keq dhe politikë e keqe."

Ky paralajmërim përshkruan gjendjen si në Britani, ashtu edhe në Shtetet e Bashkuara, ku salla e gjyqit ka zëvendësuar Parlamentin si vendin e debatit kombëtar. Edhe Baroneshë Hale ka bërë të njëjtën vërejtje, duke theksuar se nëse Britania dëshiron të reformojë ose të kufizojë ndikimin e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, duhet të nxjerrë ligje drejtpërdrejt. Kjo mund të marrë disa forma: shfuqizimin ose zëvendësimin e Ligjit për të Drejtat e Njeriut të vitit 1998, kufizimin e autoritetit të brendshëm të vendimeve të Strasburgut, apo edhe tërheqjen nga Konventa Europiane sipas nenit 58. Secila nga këto do të rivendoste sovranitetin parlamentar dhe përparësinë e ligjit kombëtar, por qeveritë e njëpasnjëshme kanë preferuar retorikën ndaj përgjegjësisë. Rezultati është paraliza, biseda të pafundme për "rishikime" e "reforma", pa guximin për të miratuar ligje. Marrëdhënia e Britanisë me Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut mund të kthehet në një përballje kushtetuese po aq të thellë sa Brexit-i. Reform UK dhe disa elementë brenda Partisë Konservatore kanë lënë të kuptohet për një tërheqje, por pa një bazë të fortë ligjore, një hap i tillë do të sillte krizë juridike. Si në vitin 2016, çështja nuk lidhet vetëm me sovranitetin, por edhe me legjitimitetin: kush qeveris, Parlamenti apo makineria e përhershme e ligjit transnacional? Përgjigjja, pa dyshim, është Parlamenti.

Ky model nuk kufizohet vetëm në vendet me ligj të zakonshëm; ai shtrihet në gjithë Europën. Në Francë, Conseil d'État dhe Conseil Constitutionnel janë kthyer në skena për konfliktet politike rreth emigracionit dhe sekularizmit. Në Gjermani, vendimi i vitit 2020 i Gjykatës Kushtetuese Federale mbi programin e blerjes së obligacioneve të Bankës Qendrore Europiane sfidoi përparësinë e ligjit të BE-së. Në Itali, gjykatat kanë bllokuar në mënyrë të përsëritur përpjekjet e qeverisë për të kufizuar operacionet e shpëtimit të OJQ-ve në Mesdhe. Këto raste tregojnë se si ligji, morali dhe sovraniteti janë përplasur. Ato zbulojnë nevojën për një jurisprudencë të re konservatore të bazuar në realizëm dhe përgjegjësi kombëtare.

Pra, si duhet të veprojmë? Rruga përpara është mjaft e qartë. Italia mbetet shembulli i rrallë ku e djathta zotëron një strukturë funksionale, falë aftësisë së Silvio Berlusconi-t për të reformuar një sistem që dikur ishte i paralizuar nga korrupsioni dhe inercia post-komuniste. Marine Le Pen në Francë ka një bazë të gjerë mbështetjeje, por i mungon një klasë teknokrate e gatshme për të qeverisur. Fidesz i Hungarisë ka ndërtuar një ekosistem të plotë konservator që përfshin media, universitete dhe rrjete kulturore, por Viktor Orbán demonizohet nga po ato elita që justifikojnë çdo teprim progresist. Gjetkë, partitë konservatore paraqiten mirë në zgjedhje, por kufizohen nga burokraci tejet socialdemokrate.

Së djathtës i duhet thellësia: një brez i ri mendimtarësh, administratorësh dhe strategësh që mund ta shndërrojnë mbështetjen popullore në qeverisje të qëndrueshme. Çdo fitore konservatore paraqitet nga komentuesit si gabim ose rastësi. Dështimet zmadhohen, sukseset minimizohen dhe pushteti mbetet i përqendruar në duart e drejtuesve të pazgjedhur. E djathta mbetet e fortë në bindje, por e dobët në strukturë. Ajo shkëlqen në momente krize, por ka vështirësi për të mbajtur pushtetin. Konservatorizmi mbijeton sepse qytetarët ende preferojnë rendin para kaosit, përgjegjësinë para kënaqësisë dhe përkatësinë para abstraksionit. Por instinkti nuk mund të zëvendësojë organizimin. Tani duhen institucione që mendojnë strategjikisht, edukojnë liderë dhe lidhin lëvizje përtej kufijve.

Për shumë kohë, konservatorët kanë luftuar me gjuhën e vlerave, ndërsa kanë lënë pas dore makinerinë e politikave. E majta e kuptoi se sistemet kanë rëndësi: komitetet, bordet e financimit dhe kornizat që përcaktojnë çfarë e lejon dhe çfarë e ndalon një komb. Detyra tani është të rindërtohet arkitektura e ndikimit në fushën e ligjit, arsimit, medias dhe kulturës. Pa strategji në nivel institucional, edhe fitoret morale shuhen në simbolikë.

Europa nuk ka mungesë talenti, kapitali apo mbështetjeje publike. I mungon organizimi. Ringjallja konservatore do të ketë sukses vetëm kur të ndërtojë institucione që mendojnë qartë, veprojnë me koherencë dhe qëndrojnë në kohë. Puna përpara nuk është retorike, por strukturore. Ose e djathta riorganizohet nga themelet, ose zhduket në kujtesë, duke ia lënë qeverisjen e shekullit Blairizmit. / European Conservative - Syri.net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Më të lexuarat
Denonco