Nga Anne-Sylvaine Chassany/
Muajin e shkuar, Gerhard Schröder u shfaq disi i turbullt në ekranet e mëdha të një salle plot me këshilltarë gjermanë. Por shumë shpejt u kuptua se ish-kancelari, që prej kohësh është kthyer në një figurë të urryer politike, nuk ishte aspak burri i brishtë që kishte përshkruar avokati i tij.
I nxirë nga dielli dhe i qetë, me një xhaketë blu të errët mbi një bluzë të bardhë, 81-vjeçari ishte thirrur të dëshmonte përpara një komisioni të ngritur nga shteti verior i Mecklenburg-Vorpommern-it për të hetuar origjinën e gazsjellësit rus Nord Stream 2 drejt Europës dhe ai ishte i përgatitur për betejë.
Hetimi përqendrohej në rolin e Schröder-it në një fondacion për mbrojtjen e klimës dhe mjedisit, krijuar në vitin 2021 me fonde ruse. Qëllimi i tij ishte të anashkalonte sanksionet amerikane mbi gazsjellësin. Pyetja që shtrohet është nëse kjo përfshinte korrupsion.
Schröder, i cili është ende kryetar i kompanisë NS2, kishte shtyrë më herët dëshminë për arsye shëndetësore dhe kishte marrë leje të paraqitej nga distanca. Meqë seanca publike nuk u transmetua drejtpërdrejt, udhëtimi në Schwerin, selia e qeverisë së Mecklenburg-Vorpommern-it, pranë Detit Baltik, ku del në breg gazsjellësi, ishte e vetmja mënyrë për ta parë.
I vlerësuar gjerësisht nga ekonomistët dhe institucionet ndërkombëtare për ringjalljen e ekonomisë gjermane në fillim të viteve 2000, Schröder konsiderohet ende si udhëheqësi i fundit që ndërmori reforma të thella strukturore në tregun e punës. Kancelari aktual, Friedrich Merz, madje i ka vënë programit të tij ekonomik emrin "Agenda 2030", në nder të "Agenda 2010" të Schröder-it.
Por Partia Socialdemokrate (SPD) që atëherë e ka mohuar ish-kreun e saj, duke e fajësuar për rënien elektorale në mesin e punëtorëve. "Që nga ajo kohë, obsesioni i partisë ka qenë t'i zhbëjë ato reforma," thotë Nils Schmid, deputet i lartë i SPD-së.
Schröder humbi edhe mbështetësit e fundit kur iu bashkua bordit të kompanisë shtetërore ruse të naftës Rosneft në vitin 2017 dhe vazhdoi të vizitonte rregullisht "mikun" e tij Vladimir Putin. Ai ka përsëritur propagandën e Kremlinit për përgjegjësinë e Perëndimit në konfliktin ukrainas.
Në Schwerin, Schröder vazhdoi të mos tregonte pendesë.
Për gati tri orë ai mbrojti gazsjellësin, i cili nuk hyri kurrë në funksion dhe u dëmtua nga një shpërthim në vitin 2022 (thuhet se nga një operacion ukrainas).
Sipas tij, projekti ishte çështje me interes kombëtar. Pas vendimit të Gjermanisë për të hequr dorë nga energjia bërthamore, "ne morëm energji miqësore me mjedisin dhe me çmime të arsyeshme," tha ai. "Fondacioni ishte një mjet për të penguar ndërhyrjen amerikane në politikën tonë energjetike."
Duke folur nga një dhomë e ndritshme me një piano dhe skulptura në sfond, ai rikujtoi për një çast politikanin e zjarrtë që dikur ishte: rrotullonte sytë dhe thumbonte ata që e pyesnin, sidomos një këshilltar të ri ngulmues.
Në një moment ai iu lut kryetares së komisionit "t'ia jepte fund kësaj marrëzie", duke shkaktuar të qeshura në sallë. Në pjesën më të madhe të dëshmisë, përgjigjet e tij kufizoheshin në "s'kam asnjë ide" dhe "nuk e di".
Pas seancës, një fotograf veteran i Bild në audiencë kujtoi se sa argëtuese kishte qenë dikur mbulimi i Schröder-it si kancelar, "një njeri i drejtpërdrejtë, njeri i popullit," tha ai.
Schröder nuk është i vetmi që vajton humbjen e gazit të lirë rus. Shumë gjermanë ende ushqejnë shpresën se një ditë mund të rikthehet.
Gazsjellësi mbetet, edhe pse i dëmtuar, një pasuri e vlefshme: para se BE të vendoste sanksione mbi të verën e shkuar, një investitor amerikan kishte shfaqur interes.
Ish-ministri i ekonomisë i CDU-së, Peter Altmaier, dhe kancelari i mëparshëm socialdemokrat, Olaf Scholz, pritet të pyeten nga i njëjti komision. Por Angela Merkel, e cila inauguroi Nord Stream 1 në vitin 2011 dhe u rezistoi kërkesave të ish-presidentit amerikan Donald Trump për ta ndaluar ndërtimin e linjës së dytë, është kursyer.
Schröder u kujtoi anëtarëve të komisionit se "zonja Merkel ishte shumë e angazhuar për këtë çështje". Ai nuk ka ndër mend të pranojë rolin e dashit të kurbanit për një projekt që është kthyer në simbolin e gabimit më të madh gjeopolitik në historinë e afërt të Gjermanisë. Lidhja e së ardhmes energjetike të vendit me Rusinë, thekson ai, ishte një vendim kolektiv. / Financial Times - Syri.net
© SYRI.net