Nga Matthew Lynn/
Ajo është, sipas të gjitha gjasave, një grua e guximshme dhe e aftë. Maria Corina Machado ka udhëhequr me kurajë dhe dinjitet luftën për liri dhe demokraci në Venezuelë. Ndoshta ajo do të ndihmojë një ditë të sjellë ndryshime të vërteta në një vend që ka vuajtur gjatë nga një sërë sundimtarësh të tmerrshëm.
Megjithatë, pothuajse çdo njeri tjetër, përveç komitetit të Çmimit Nobel për Paqe në Oslo, mund ta shohë qartë se kush duhet të ishte fituesi i vërtetë i çmimit të këtij viti: presidenti Trump. Sigurisht, duhet parë nëse marrëveshja do të qëndrojë, por armëpushimi në Gaza është goditja diplomatike e shekullit.
Skeptikët thanë se një gjë e tillë ishte e pamundur. Të dyja palët ishin shumë larg njëra-tjetrës. Ishte derdhur shumë gjak. Dhe fanatikët nga të dyja anët nuk do të pranonin asgjë më pak se fitoren totale dhe shkatërrimin e plotë të palës tjetër.
Megjithatë, pavarësisht gjithçkaje, presidenti Trump, për sa kohë që gjithçka shkon sipas planit, do të jetë këtë fundjavë në Egjipt për të marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit. Pengjet do të lirohen. Dhe luftimet do të ndalen, të paktën për tani.
Në të vërtetë, presidenti Trump ka bërë siç duhet tri gjëra të mëdha. Së pari, ai qëndroi besnik ndaj parimeve të tij. Ai nuk ishte i gatshëm të tradhtonte shtetin e Izraelit apo të komprometonte sigurinë afatgjatë të aleatit më të afërt të Amerikës në rajon. Ndryshe nga udhëheqësit patetikë të Europës, dhe sidomos kryeministri britanik Sir Keir Starmer, ai nuk pranoi të njohë një shtet palestinez dhe as të shpërblejë grupin terrorist për sulmin brutal që nisi ndaj Izraelit në vitin 2023.
Së dyti, ai tregoi vendosmëri. Gjithmonë e dinim se do të ishte i ashpër ndaj Hamasit. Por ai ishte gjithashtu i gatshëm të luante fort edhe me shtetet e tjera të Lindjes së Mesme që ndikojnë në konflikt në prapaskenë, ndërkohë që sulmet e tij ndaj Iranit më herët këtë vit dobësuan pozitën e vendit që kishte më shumë gjasa ta pengonte një marrëveshje. Në të njëjtën kohë, ai ushtroi presion mbi kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahun për të bërë kompromise, duke e bërë të qartë se mbështetja amerikane nuk ishte e pakushtëzuar.
Së treti, ai ka një plan për rindërtimin pas luftës të Rripit të Gazës. Sigurisht, disa do të qeshin me projektin e tij "Gaza Riviera". Një brez i ri "Gaz-ilionerësh" duket i pamundur tani për tani. Por para 30 vjetësh, edhe ideja për ta kthyer shkretëtirën e Dubait në një qendër të madhe tregtare dukej po aq qesharake. Vetëm përmes mirëqenies mund të vijë paqja e qëndrueshme në rajon, dhe Trump, i cili gjithmonë ka qenë në ambientin e tij kur planifikon apartamente luksoze dhe resorte të mëdha, ka paraqitur një vizion se si mund të duket Gaza pas luftës.
Duke i mbledhur të gjitha këto, një gjë është e qartë: Presidenti Trump ka arritur goditjen diplomatike më të madh të shekullit deri tani. Komiteti i Çmimit Nobel vuan qartësisht nga një rast i rëndë i "Sindromës së çmendurisë nga Trump-i", ndaj nuk arrin ta shohë këtë. Por (pothuajse) të gjithë të tjerët mund ta shohin,dhe kush e di, ndoshta edhe vetë komiteti do ta korrigjojë këtë kur të vijë tetori i ardhshëm. / The Telegraph - Syri.net
© SYRI.net