Nga Pranvera Shehaj/
Në vobektësinë e ditëve që zgjohen dhe erren ngjajtshëm me një kandil që ndizet e shuhet rutinshëm e në heshtje, ashtu siç i ka hije një vendi tanimë të mykur politikisht, të vetëflijuar në mosreagim e të vetëpranuar në zhgënjim, ka disa çaste ku topitja kolektive e zbut autoritetin, duke ia lejuar robërve të saj pak ngjyrim, si ai që një popull politikëdashës e përqafon pa u kursyer, ashtu si fëmijët përqafojnë çastet e argëtimit, qoftë edhe kur janë vetëm imagjinare në rrëfimet e më të rriturve. Ngjyrimi, - ai që mbush zbrazëtinë e një vendi që jehon boshësinë e mbrëmjeve pa sport, pa art, pa parqe, zëvendësuar nga forma argëtimi që shpesh përmbushin vetëm gogësinë, thashethemet, ose marketimin e vetes, - për politikëdashësit, vjen në formën e një loje mediatike: herë luajmë listash, herë luajmë particash, herë luajmë kandidatësh. Përpos çfarësoj loje që kemi hequr, - si ajo e gjithëmendësve që hartonin vullnetarisht listën fituese, apo ajo e shpëtimtarëve që me partica "tek-pullse" do i sillnin mëmëdheut flakën që nuk po ndizte opozita tradicionale, - të dyja paskëshin qenë aperitiv për hapje oreksi, se loja e kandidatit, qenkërka ilaç për shpirtin kolektiv, adrenalinë për ekstazë të një tjetri nivel.
U ulën shqiptarët për të marrë vesh cili kandidat do të marrë Kostandinopojën. Po pse vetëm Tirana? - do rebelohej ndonjë vlonjat që i vlon nervi më shumë se gjaku. Se për ju e për katër të tjerat s’ka lojtarë rezervë që t’ju këndojnë refrenin – do gjegjeshin me një vetëkënaqësi që hijëzon milanezë a berlinezë, metropolasit e Shqypnisë. Ndërsa sytë kapiten të mundur nga rraskapitja e ditës dhe truri doemos përpëlitet të mos fiket, loja e kandidatëve prej ditësh, me ndërrim turnesh, vazhdon. Media shqiptare ka shtruar odën e bisedimeve, ndërkaq të paftuarit e zellshëm për të luajtur me doemos, bëjnë si bëjnë në rrjetet sociale (aty rrihet rehatshëm se për çdo soj e sorollop idesh që nxjerr me shqipen shpesh të cunguar, ta rrisin libidon komentuesit). Se kush bisedon me kë, këtë e vendos ai ose ajo kudo që flet, veç tema mbetet e njëjtë, “Kush mund të ishte kandidati i opozitës?”. Dikush është fiksuar me flokët, i do të shkurtra se të gjata kanë frikë se do i thonë “flokë të gjatë në mendje të shkurtër”; dikush e ka fiksimin me thinjat, e do se s‘bën të ri se taksirat është fiksuar që të rinjtë qullosin më mirë se të thinjurit; dikush e do administrator se oratorët e lodhin; një tjetër e do orator afashinant që t‘ia kalojë edhe grave në këtë sport. E megjithatë, shijet nuk mbeten sipërfaqësore kur kulmi i mendimit sofoklian është ndarja mes pëlqyeshmërisë për një kandidat partiak apo jo-partiak, pika kulmore ku vizitën që përgjumja po i bënte trurit, e zbon shoku i të pakuptuarit. Loja ndizet dhe deliron tërësisht në skenar: të majtë të cilëve u tendosen damarët për t‘i sugjeruar opozitës një kandidat fitues, të djathtë të mbetur të tillë vetëm për veten që refuzojnë çdo dritë pozitive që vjen nga e djathta, opozitarë që çirren për një kandidat partiak ndonëse për arsye që vetëm ata i pranojnë kanë refuzuar të kontribuojnë si të tillë, profile nga shoqëria civile që përbuzin çdo kandidat jo-partiak po nga e njëjta origjinë, deri tek fytyra të mykura që dalin diku nga një sirtar kujtimesh të vjetra për të thënë edhe ata pse nuk besojnë tek cilido kandidati opozitës, ndërsa e përmbyllin jetimët e listave që tashmë janë gati të bëhen theror për këtë vend.
Nuk e di si i dorëzohen tronditjes së koshiencës shqiptarë të tjerë, por dëshmoj se një vlonjat do hiqte në zemër, si të donte ta çlironte me gjithë shpirt shprehjen: “Lumi që mori Vunonë, pse s‘mori dhe fshatin tonë?”
Të mësipërmin, një paragraf përshkrues të lodhjes për sytë dhe veshët prej ditësh, do ta quaja thjeshtësisht një bashkëjetesë - në skenarin më të butë, naive, e në atë më të ashpër, neveritëse në dashakeqësi - mes mirëkoordinimit mediatik me autor pushtetin dhe donkishotëve rreth e rrotull opozitarizmit në Shqipëri. Ndërsa opozita ka legjitimuar drejtësisht veten si bartëse e përballjes përtej çdo mundësie me pushtetin që po rrok dekadën e dytë, është e frikshme përfshirja në një kurth kaq të hapur për ta kuptuar, e cilitdo të vetëshpallur opozitar. Debati shterpë për profilin, curriculum-in dhe detajet e gjithësojta të kandidatit për bashkinë e Tiranës mbush haremet burrërore mediatike, me burra që nuk e zotërojnë mjaftueshëm kthjelltësinë për ta kuptuar edhe kaq.
Së pari, ai i mbivendoset qëllimshëm pakushtetshmërisë së zgjedhjeve, duke hijëzuar imponimin që pushteti po i bën opozitës për të pranuar zhvillimin e tyre, si për ta detyruar për të zgjedhur të keqen më të vogël pa i lejuar as diskutimin në media. Së dyti, ai zhduk çdo grimcë dinamizmi politik në pesë bashkitë e tjera duke hequr qoftë edhe mundësinë për të rekuperuar terren në rrethe. Së treti, ai nxit dhe i jep energji një përçarjeje në struktura në varësi të aftësisë për të imponuar preferencat e gjithësecilit me sado pak rol. Kur përfaqësuesi politik tejkalon në irracionalitet edhe militantin, ndërsa ky i fundit pret prej tij orientim të aksionit politik, me keqardhjen që nuk e zhbën dëmin, ai nuk është më i denjë për ta luajtur këtë rol. Së katërti, ky debat relativizon gjithkënd, i cili ende pa u nisur gara politike, shtrydhet deri në detajet e fundit të pro dhe kundër potencialit të tij, duke e zhveshur nga aura e besimit në garë dhe duke i shteruar krejt mundësinë e padiskutueshmërisë si alternativa optimale. Së pesti, ai shërben si shfrehje e plagëve vetjake shkaktuar nga pakënaqësia e të mos zgjedhurit në vijën e parë të aksionit opozitar, duke i hapur rrugë sugjerimeve të qëllimshme për të larë hesapet brenda llojit. Kjo është e turpshme së brendshmi, por përtej legjitimitetit të paturpësisë në politikë, është fataliste së jashtmi, sepse dërgon sinjalin e “djegies” së cilësdo figurë politike që do të marrë përsipër një fushatë në kushtet e së përtej-normales. Së gjashti, i këtillë debat, kurrë dhe në asnjë rrethanë, nuk ka ndalur argumentin tek krahasueshmëria me kandidaten përballë, duke lobuar përçarturazi deri për një kandidat utopik, të kristalizuar në një profil pa mëkate njerëzore, aq më pak politike. Së fundmi, pështjelluar nga ankandi i emrave, ai krijon një pritshmëri gati surreale, duke zhbërë faktorin kohë po aq sa pluhuros vigjilencën mbi autokracinë elektorale, duke e zhvendosur strategjinë krejtësisht nga fushata tek emri, ndonëse sukseset politike janë derivat i sinkronizimit të të dyjave.
Ndiej thirrjen prej reflektimit të mos e quaj më loja e kandidatëve, por “Loja e Kandidatit”, ndërsa kushdo që deri më tash ka lëvruar qoftë edhe një guriçkë në të këtillë lojë, do ta emëroja sërish në varësi të dy skenareve, - në atë të mirin, të paaftë intelektualisht për ta dalluar, e në atë më të keqin, keqdashës deri në fajësi. Mjafton pak kthjelltësi e shumë më shumë vërtetësi në qëllimin si opozitar për të kërkuar modelin, jo emrin, strategjinë, jo reklamën, bashkëpunimin, jo vetëmendësinë. Politika nuk është ankand, ndërsa partia nuk është strofull e përmbushjes së delireve vetjake. Gjithçka e abuzuar është e dëmshme, dhe në këtë postulat, demokracia e brendshme nuk bën përjashtim.
© SYRI.net