Vizion + Bashkëpunim = Fitore

Vizion + Bashkëpunim = Fitore

11:14, 03/10/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Juxhin Gjoni/

Kur Skënderbeu po luftonte për Shqipërinë kundër Osmanëve, duke pasur ushtrinë e tij dhe vizionin për Shqipërinë, ai kërkonte vazhdimisht aleatë dhe erdhi një moment që duhej të bashkonte forcat me Huniadin nga Hungaria. Ushtritë e tyre do të takoheshin përballë armikut kryesor të kohës, Sulltan Muratit. Pika e tyre e përbashkët ishte vizioni që kishin për vendet e tyre: të ishin të lira nga osmanët. Për fat të keq, koalicioni nuk u bashkua kurrë në betejën e Kosovës në vitin 1448 dhe ne kurrë nuk do ta dimë se çfarë do të kishte ndodhur nëse ajo betejë do të ndodhte me forcat e bashkuara.

Me të njëjtin parim, sot vendi ynë është në rrezik politik dhe lufta jonë për demokraci kundër autoriteteve të Edi Ramës dhe PS është e vazhdueshme. Nëse mund të krahasojmë partitë e opozitës me Skënderbeun dhe Huniadin, dhe Ramën me Sulltan Muratin, tani po përballemi me një moment historik që mund të ndryshojë rrugën që ka marrë Shqipëria. Pyetja e vetme është: a ndajnë partitë e opozitës të njëjtin vizion për Shqipërinë?

Tani, pas zgjedhjeve të 11/05 me rezultatet katastrofike që pamë për partitë e opozitës, që sërish vërtetoi se zgjedhjet mund të manipulohen lehtësisht, unë besoj se partitë politike që duan të luftojnë për demokraci dhe ndryshim për të hequr regjimin gangrenoz të Ramës, duhet të punojnë së bashku. Nuk ka diskutim për këtë. Partitë që nuk do të punojnë së bashku, de facto po bëhen pjesë e shumicës.

Prej ditësh shohim në media që partitë opozitare po kërkojnë një figurë jashtë strukturave politike për Tiranën. Po për qytetet e tjera? Çfarë do të ndodhë atje? Janë 6 qytete që garojnë më 09/11 dhe ne dëgjojmë vetëm për një, kryeqytetin. Kjo tregon shumë.

Ajo që na duhet për të fituar është një vizion i përbashkët dhe jo figura. Askush nuk do të fitojë nëse vendosim disa “fytyra të pastra” pa vizion për qytetin. Skënderbeu dhe Huniadi kishin një vizion të përbashkët, jo pëlqime dhe komente në Facebook.

Nëse partitë e koalicionit duan të dalin fitimtare në zgjedhjet që po afrojnë, duhet të jenë të zgjuara për të pasur një strategji për tani por edhe për vitin 2027. Berati dhe Vlora duhet të kthehen blu. Berati është me rëndësi të madhe me vota 99.9% për PS dhe askush nuk e besoi këtë shifër, duke treguar se manipulimi është i madh në rajon. Vlora me ndërtimet dhe kaosin që PS ka sjellë, duhet të sjellë një vizion të ri për qytetin dhe turizmin.

Partitë e koalicionit, nëse e quajnë veten politike, duhet të kenë të paktën vizionin e tyre për çdo centimetër të tokës dhe detit të Shqipërisë. Njerëz dhe struktura që dinë se çfarë ka nevojë çdo qytet dhe çdo fshat. Shqipëria nuk është vetëm Tirana dhe Tirana nuk është Shqipëria. Ne jemi më shumë se kaq.

Në vitin 1448, vizioni dhe armiku i përbashkët ishin komponentët kryesorë për koalicionet mes forcave që nuk flisnin të njëjtën gjuhë. Në vitin 2025, vizioni dhe armiku i përbashkët duhet të jenë komponentët kryesorë për koalicionet mes forcave që flasin të njëjtën gjuhë. Vetëm kjo do të sjellë ndryshimin në Shqipëri.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco