Çfarë fshihet pas kostove më të larta në botë të transaksioneve të pronave në Singapor?

Çfarë fshihet pas kostove më të larta në botë të transaksioneve të pronave në Singapor?

17:08, 25/09/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Gjatë një fundjave në gusht, afro 90 për qind e apartamenteve në një kompleks 36-katësh në zonën luksoze River Valley të Singaporit u shitën, edhe pse objekti pritet të përfundojë pas katër vitesh.

Me çmime që varionin nga 1.2 milionë dollarë singaporianë(900,000 USD) deri në 3.5 milionë dollarë për apartamente me një deri katër dhoma gjumi, blerësit u tërhoqën nga pamjet buzë lumit, pishina 50 metra, klubi dhe palestra.

Në total, më shumë se 900 apartamente u shitën atë fundjavë, duke çuar shitjet e reja të banesave në nivelin më të lartë në nëntë muaj, pavarësisht masave të qeverisë për të ftohur tregun e pronave që vazhdon të rritet.

Qytet-shteti ka tashmë disa nga taksat më të larta të transaksioneve të pronave në botë, që godasin kryesisht të huajt, ndërsa qeveria përpiqet të frenojë inflacionin e çmimeve të pasurive, i cili ishte 3.9 për qind vitin e kaluar dhe 6.8 për qind vitin para tij.

"Çmimet e pronave po vazhdojnë të rriten pavarësisht rritjes së taksave të regjistrimit," tha Christine Sun, kërkuese dhe stratege në grupin e pasurive të patundshme Realion. "Ka ende shumë kërkesë për prona luksoze, veçanërisht nga vendasit."

Investimi në pasuri të paluajtshme është një obsesion kombëtar në Singapor, ku shkalla e pronësisë së shtëpive është 91 për qind. Kjo traditë lidhet me themelimin e shtetit rreth gjashtë dekada më parë.

Si një shtet ishullor i vogël, i rrethuar nga fqinjë të dyshimtë, udhëheqësit e Singaporit që sapo fitoi pavarësinë, i nxitën qytetarët të blinin shtëpi në të njëjtën kohë që u prezantua shërbimi ushtarak kombëtar. Qeveria shiste rregullisht parcela toke për zhvillim, për të nxitur ndërtimin e banesave të reja.

"Qëllimi ishte që singaporasit të zotëronin shtëpitë e tyre, të kishin një pjesë në atdhe në mënyrë që ta mbronin atë," tha AlanCheong, drejtor kërkimesh në Savills Singapore.

Me kalimin e kohës, stabiliteti politik dhe rritja ekonomike e Singaporit tërhoqën të huaj të pasur nga Azia, Europa dhe SHBA. Fillimisht erdhën emigrantë nga Indonezia në vitet 1970, më pas valë nga Kina dhe rajone të tjera.

Ky fluks kapitali të huaj, i kombinuar me brezin e "babyboomers" singaporianë që investonin kursimet e tyre në pasuri, e ngriti ndjeshëm tregun. Çmimet mesatare janë rritur mbi 150 për qind gjatë 20 viteve të fundit.

Me koston e jetesës si shqetësim kryesor të votuesve në zgjedhjet e këtij viti, qeveria është treguar e kujdesshme që të mos e lejojë tregun të dalë jashtë kontrollit.

Për këtë arsye, në vitin 2011 ajo prezantoi "taksa shtesë për blerësit" (ABSD), mbi normën ekzistuese prej 1–3 për qind. Fillimisht, singaporasit paguanin 3 për qind ABSD për pronën e tretë dhe çdo pasuri pas saj, ndërsa të huajt 10 për qind për çdo blerje.

Por me rritjen e çmimeve, normat janë rritur vazhdimisht. Sot, të huajt duhet të paguajnë 60 për qind ABSD për çdo pronë, ndërsa singaporasit 20 për qind për shtëpinë e dytë dhe 30 për qind për çdo blerje tjetër.

Këto masa kanë frenuar ndjeshëm kërkesën e huaj. "Shohim shumë pak të huaj që blejnë ditët e sotme," tha Eugene Lim, nga kompania ERA. Para dy vitesh, shumica e blerësve të huaj vinin nga Kina, Indonezia, Malajzia dhe India. Por me normën 60 për qind, shumë prej tyre po presin të marrin statusin e banorëve të përhershëm, që i ul taksat në 5 për qind për pronën e parë.

Megjithatë, qytetarët e vendeve me marrëveshje të tregtisë së lirë me Singaporin, përfshirë SHBA-në, Islandën, Lihtenshtajnin, Norvegjinë dhe Zvicrën, përjashtohen nga ky nivel i lartë taksimi. Si rrjedhojë, amerikanët janë bërë blerësit më të mëdhenj të huaj të pasurive në Singapor, duke përbërë 40–50 për qind të tregut.

Ndërkohë, singaporasit e pasur përpiqen të anashkalojnë taksat duke blerë prona në emër të anëtarëve të familjes.

Në korrik, qeveria riktheu një masë të mëparshme për të ndaluar investitorët të shisnin shpejt pasuritë për fitim. Tani, nëse një pronar shet brenda vitit të parë, paguan 16 për qind taksë, që bie gradualisht në 4 për qind pas 3–4 vitesh. Pas katër vitesh, nuk ka taksë shitjeje.

Sipas Cheong, masat e reja të këtij viti tregojnë përpjekjet e vazhdueshme të qeverisë për të kontrolluar spekulimin.

"Ende ka sjellje spekulative për shkak të shumës së madhe të parave që qarkullojnë në treg," tha ai. / Financial Times - Syri.net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco