Njohjet e fundit të shtetit palestinez do të thellojnë përçarjet diplomatike globale

Njohjet e fundit të shtetit palestinez do të thellojnë përçarjet diplomatike globale

11:08, 22/09/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Njohja e një shteti palestinez nga Mbretëria e Bashkuar, Kandaja dhe Australia do të shkaktojë një përplasje diplomatike globale, ndërsa Izraeli po shqyrton aneksime hakmarrëse në Bregun Perëndimor, një veprim që do të thellonte përplasjen e tij me Evropën, do të zgjeronte përçarjen e tij me shtetet arabe dhe do ta distanconte më tej SHBA-në nga aleatët e saj në mbarë botën, ndërsa administrata Trump, ruan mbështetjen për Netanyahun dhe Izraelin në luftën e tij në Gaza.

Uashingtoni i kishte paralajmëruar aleatët përpara njoftimit të së dielës se Izraeli do të hakmerrej “simbolikisht” dhe zyrtarët e lartë ishin të vetëdijshëm se përgjigja e Izraelit mund të rrezikonte iniciativat themelore të administratës Trump, përfshirë Marrëveshjet e Abrahamit, të cilat synonin të normalizonin marrëdhëniet midis Izraelit dhe shteteve arabe, por që dukeshin në rrezik shembjeje.

Dhe njohja e Palestinës nga anëtarët e tjerë të aleancës ‘Five Eye’s, disa nga aleatët më të ngushtë të SHBA-së në çështjet e inteligjencës, do të rrisë tensionet në një kohë kur partnerët tashmë janë në mosmarrëveshje për ndihmën për Ukrainën, si dhe për çështje dypalëshe siç janë tarifat.

Në një letër të hapur, ligjvënës të lartë republikanë paralajmëruan kryeministrin britanik, Keir Starmer, kryeministrin e Kanadasë, Mark Carney, dhe kryeministrin australian, Anthony Albanese, të dielën se “vazhdimi me njohjen do ta vërë vendin tuaj në kundërshtim me politikën dhe interesat e hershme të SHBA-së dhe mund të sjellë masa ndëshkuese si përgjigje”.

Ajo që mbetet e paqartë është nëse SHBA-të do ta mbështesin në mënyrë aktive përgjigjen e Izraelit - duke përfshirë një pushtim të mundshëm të pjesëve të Bregut Perëndimor - apo nëse administrata Trump thjesht ka rënë dakord të mos i dalë në rrugë Netanyahut, pasi Izraeli duket se gjithnjë e më shumë e ka iniciativën në marrëdhënien e tij me SHBA-në.

Anëtarët e qeverisë së krahut të djathtë të Netanyahut kanë paraqitur tashmë një plan maksimalist për të aneksuar 82% të Bregut Perëndimor si përgjigje, duke i ndarë territoret e mbetura palestineze nga njëri-tjetri.

Ministri nacionalist i sigurisë kombëtare i Netanyahut, Itamar Ben-Gvir, tha të dielën se masa “kërkon kundërmasa të menjëhershme” dhe se ai do të paraqesë një propozim për “sovranitet në Jude dhe Samari”, termi biblik për rajonin që përdoret shpesh nga fanatikët.

Por edhe nëse plani maksimalist i miratuar nga ministri i Financave i ekstremit të djathtë të Izraelit, Bezalel Smotrich, nuk miratohet, Netanyahu mund të deklarojë të paktën një aneksim simbolik të territoreve të njohura ndërkombëtarisht si tokë palestineze, potencialisht gjatë një fjalimi në asamblenë e përgjithshme të OKB-së këtë javë.

Ky veprim do të zemëronte vendet arabe si Emiratet e Bashkuara Arabe, ku zyrtarët e kanë quajtur aneksimin e Bregut Perëndimor një "vijë të kuqe" dhe mund të çojë në një ulje të marrëdhënieve diplomatike vetëm pesë vjet pasi ata e njohën zyrtarisht Izraelin së bashku me Bahreinin, duke i bërë ato shtetet e para arabe që e bëjnë këtë që nga Jordania në vitin 1994.

Kjo gjithashtu do të rriste mbështetjen për sanksione dhe tarifa të reja në BE, duke rritur tensionet midis Izraelit dhe Brukselit në të njëjtën kohë kur SHBA-të thuhet se planifikojnë t'i shesin Izraelit armë me vlerë gati 6 miliardë dollarë (4.5 miliardë paund), duke përfshirë 3.8 miliardë dollarë (2.8 miliardë paund) për 30 helikopterë AH-64 Apache dhe 1.9 miliardë dollarë (1.4 miliardë paund) shitje për 3,200 automjete sulmi këmbësorie.

Të dielën, Netanyahu tha se Izraeli do të hakmerrej për njoftimin e së dielës pas vizitës së tij në OKB.

“Ne kemi dyfishuar vendbanimet hebraike në Jude dhe Samari – dhe do të vazhdojmë në këtë rrugë”, tha ai. “Përgjigja ndaj përpjekjes së fundit për të na imponuar një shtet terrorist në zemër të tokës sonë, do të jepet pas kthimit tim nga Shtetet e Bashkuara. Prisni.”

Në njoftimin e tij të dielën, Starmer tha se qëllimi ishte “ringjallja e shpresës për paqe dhe një zgjidhje me dy shtete”. Megjithatë, Izraeli e ka bërë të qartë se e sheh një zgjidhje me dy shtete tashmë si të pavlefshme, me Netanyahun që tha troç: “Nuk do të ketë shtet palestinez”.

Komentet erdhën në një ceremoni që shënonte zgjerimin e projektit E1 midis Jerusalemit dhe Ma’ale Adumim, i cili në fakt do të ndante në dysh sektorët e kontrolluar nga palestinezët në Bregun Perëndimor.

Smotrich tha muajin e kaluar se besonte që planet, do ta “varrosnin” idenë e një shteti palestinez/ The Guardian.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco