Opinion nga dr. Rebecca Grant/
Xi Jinping-ut të Kinës i pëlqen të trazojë botën me konfrontime ushtarake. Ndoshta për këtë arsye ai veshi kostumin me të stilit të Mao Ce Dunit, duke përcjellë atmosferën e revolucionit të vitit 1949, në paradën e parë madhore ushtarake në Kinë që prej vitit 2019.
Përkrah tij qëndronin Vladimir Putini i Rusisë dhe Kim Jong Uni i Koresë së Veriut, duke shënuar herën e parë pas 66 vitesh që kjo treshe e frikshme, liderët e Kinës, Koresë së Veriut dhe Rusisë, të bashkoheshin.
Dhe a e vutë re momentin kur mikrofoni i mbeti i hapur, ku Xi dhe Putin, të dy 72 vjeç, rënkonin si "pleq gërnjarë " që janë, duke thënë se "70 vjeç është ende fëmijë" dhe duke spekuluar nëse transplantet e organeve mund të sjellin pavdekësi? Kim, vetëm 41 vjeç, mezi po mbante të qeshurën. Kush e di kush do të qeshë i fundit nga kjo treshe. Unë nuk i shoh si kandidatë për pavdekësi.
Xi, Putin dhe Kim rifituan fytyrën e tyre serioze diktatoriale teksa shikonin Forcat Raketore të Ushtrisë Çlirimtare Popullore të Kinës, të preferuarat e Xi-së, duke parakaluar me raketat bërthamore ndërkontinentale DF-5C nëpër rrugët e Pekinit. U shfaq edhe një variant i ri i raketës me rreze të mesme DF-26D. Ata pretendojnë se mund të godasë anijet dhe aeroplanmbajtëset amerikane ose ishullin Guam.
Të përballesh me këtë treshe është një sfidë më vete. Por për presidentin Donald Trump, kjo është thjesht pjesë e punës së përditshme. Trump tha se nuk ishte i shqetësuar dhe i sulmoi me gjuhën e tij thumbuese, duke postuar në Truth Social për përpjekjet e tyre të dukshme për të "komplotuar" kundër SHBA-së.
Aleanca ushtarake Kinë-Rusi është rreziku më i madh që ka hasur ndonjëherë ushtria amerikane.
Megjithatë, plani i Xi-së për dominim botëror po shfaq probleme. Xi është përpjekur për 13 vite të ndërtojë fuqinë ushtarake të Kinës. Strategjia e tij bazohet tek akumulimi i raketave, sa më shumë, aq më mirë. Por, pavarësisht dekadave të spiunazhit, kopjimeve dhe shpenzimeve të mëdha ushtarake, realiteti është se Kina nuk arrin të kapë teknologjinë ushtarake amerikane.
SHBA ka sisteme shumë më superiore. Për shembull, bombarduesit e rinj të padukshëm B-21 dhe avionët luftarakë të gjeneratës së gjashtë F-47. Kina nuk ka ekuivalente të vërteta.
Gjithashtu, SHBA ka mjete të reja për t'u përballur me raketat kineze. Sistemi i ri i Forcës Hapësinore të SHBA për gjurmimin dhe mbikëqyrjen e raketave hipersonike dhe balistike përdor një mori satelitësh në orbitë të ulët, të aftë të ndjekin manovrat e raketave hipersonike të Kinës. Inovacione të tilla i zbehin përfitimet kineze.
Parada që duhej të shfaqte teknologjitë "shumëdimensionale" për një pushtim të mundshëm të Tajvanit, rezultoi zhgënjyese. Topi me lazer i montuar mbi kamion, anijet sipërfaqësore pa pilot dhe madje edhe dronët gjigantë nënujorë nuk ishin aspak mbresëlënës. SHBA i ka të gjitha këto. Merrni si shembull dronin gjigant Orca të Marinës Amerikane, që mund të vendosë mina nënujore. Apo testet verore të Ushtrisë Amerikane me lazer me energji të lartë kundër tufave të dronëve në Fort Sill, Oklahoma.
Xi ka nevojë për shokët e tij brutalë për të sfiduar SHBA-në dhe aleatët. Fatkeqësisht, Kina i jep Putinit luksin e refuzimit për të folur mbi përfundimin e luftës në Ukrainë. Mikpritja e ngrohtë ndaj Koresë së Veriut tregoi se Kina mezi pret që aftësitë bërthamore në rritje të Kimit të provokojnë SHBA-në dhe partnerët në Paqësor. Kim vizitoi një fabrikë të raketave me karburant të ngurtë përpara se të nisej për në Pekin me tren, dhe Koreja e Veriut po punon gjithashtu për nëndetëse bërthamore. Kjo është vërtet shqetësuese.
Qasja e ftohtë e Trump-it përballë kësaj tresheje të rrezikshme është e mundur sepse administrata po merr masa çdo ditë për të forcuar fuqinë amerikane dhe për të kundërshtuar aleancën Kinë-Rusi.
Në Zyrën Ovale, të martën, Trump tregoi fuqinë amerikane me dy njoftime të ndryshme.
Së pari, forcat amerikane shkatërruan një anije të shpejtë të trafikut të drogës të bandës Tren de Aragua me një raketë kundër-anije. Ky sulm hapi një kapitull të ri në luftën kundër drogës.
Tren de Aragua është organizatë e shpallur terroriste, kështu që, nga ana taktike, nuk ndryshon nga goditja ndaj ISIS-it apo huthive në Lindjen e Mesme. Dhe më besoni, Marina Amerikane ka me shumicë raketa kundër-anije. Është koha për të pastruar Hemisferën Perëndimore. Monroe do të ishte krenar.
Më pas, Trump shpalli se Komanda Hapësinore e SHBA do të ketë selinë në Huntsville, Alabama. Dominimi amerikan në hapësirën ushtarake dhe komerciale është jetik për ekonominë dhe fuqinë globale; pikërisht për këtë arsye Trump krijoi Forcën Hapësinore të SHBA si degën e gjashtë ushtarake në vitin 2019.
Starlinku i Elon Musk-ut dhe tani Kuiper-i i Amazon po e nxjerrin Kinën jashtë loje me mijëra satelitë në orbitë të ulët për të ofruar internet me brez të gjerë dhe për të siguruar lirinë e veprimit ushtarak amerikan në hapësirë. Dhe Forca Hapësinore është kyçe për mbrojtjen me "Kupolën e Artë" të SHBA-së.
Së fundi, asnjë paradë ushtarake nuk mund të fshehë faktin se Kina, Rusia dhe Koreja e Veriut po përballen me probleme ekonomike. Norma e rritjes së Kinës është përgjysmuar vitet e fundit dhe tarifat kërcënojnë prioritetin kryesor ekonomik të Xi-së: zgjerimin e vazhdueshëm në tregjet globale. Rusia po mbijeton vetëm me prodhimin e armatimeve dhe shitjen e naftës, ndërsa Koreja e Veriut nuk ka ekonomi të dukshme përveç tregtisë me Kinën.
Liderët e tjerë që pozuan në foton e paradës bëjnë mirë të mos mendojnë për më shumë biznes me SHBA-në në të ardhmen e afërt. Realiteti më i gjerë ekonomik është se SHBA po fiton garën e inteligjencës artificiale dhe, me përpjekje të përqendruara, mund t'i mbyllë derën përpjekjeve të Kinës për të dominuar në këtë fushë. / Fox News - Syri.net
© SYRI.net