Nga Mia Cathell - Washington Examiner/
Megadonatori demokrat, George Soros, sapo mbushi 95 vjeç. Por trashëgimia e perandorisë së tij si filantrop progresiv tani është në duart djalit të tij të papërvojë e ambicioz, Alex-it.
Shumë njerëz pyesin nëse ai do të ndjekë gjurmët e të atit. Por që në dy vitet e para si drejtues, Alex Soros ka bërë disa lëvizje të mëdha në biznes dhe në politikë, duke dhënë shenja se po krijon një rrugë të vetën.
Ngjitja në fron
Në qershor 2023, George Soros ia dorëzoi “çelësat e mbretërisë” të birit, i njohur për jetën e shthurur dhe për festat. Bordi i Open Society Foundations (OSF), organizata kryesore donatore e Sorosit, kishte zgjedhur Alex-in si kryetar në dhjetorin e mëparshëm.
George Soros kishte thënë më herët se nuk donte që një nga pesë fëmijët e tij ta drejtonte OSF-në. Megjithatë, ai u shpreh për Alex-in: “E ka merituar.” Në atë kohë, Alex ishte 37 vjeç dhe i njohur si playboy që shijonte jetën luksoze në Hamptons.
“Ne mendojmë njësoj,” tha George për Wall Street Journal.
“Unë jam më politik,” shtoi Alex në të njëjtën intervistë, e para e tij si pasues.
Princi “më politik”
Alex ka krijuar lidhje me demokratët e brezit të Clinton-it, por edhe me figura më të reja politike.
Në zgjedhjet e vitit 2020, ai, bashkë me të atin, mbështeti financiarisht Joe Biden-in. Sipas dokumenteve zyrtare, Alex dha rreth 727 mijë dollarë për fondin e fushatës së Bidenit. Më pas, ai vizitoi Shtëpinë e Bardhë më shumë se 20 herë gjatë presidencës së Biden-it, madje dy herë u takua edhe drejtpërdrejt me të.
Në vitin 2024, Alex dhuroi 500 mijë dollarë për Kamala Harrisin, atëherë zv/presidente, e cila mori drejtimin e fushatës pasi Biden u tërhoq. Pak ditë para se George Soros të shpallte zyrtarisht se ia kalonte OSF-in djalit, Harris e ftoi Alex-in në një takim privat në shtëpinë e saj me disa donatorë të tjerë të fuqishëm. Një javë më pas, Alex publikoi një foto ku shihej me Harrisin, megjithëse ajo nuk e kishte përmendur këtë takim në kalendarin e saj publik.
Pas marrjes së drejtimit, Alex u takua edhe me demokratë të Nju Jorkut, përfshirë liderin e pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries, për të folur mbi strategjitë e zgjedhjeve të vitit 2024.
Në Konventën Kombëtare Demokrate të 2024-ës, shumë udhëheqës partie u shfaqën për të treguar respekt ndaj tij. Alex publikoi foto me figura të rëndësishme si senatori Chuck Schumer, kongresistja Jasmine Crockett dhe guvernatori Tim Walz, kandidat për zv/president në krah të Harris. Ai madje e ftoi Walz-in në apartamentin e tij luksoz në Nju Jork dhe publikoi foto nga takimi.
Në prag të zgjedhjeve, Alex parashikoi një “valë blu” demokrate në Miçigan dhe Pensilvani. Por, parashikimi doli i gabuar: Harris humbi të gjitha shtetet kryesore dhe votën popullore.
Një ndihmë të madhe politike pritet t’ia japë edhe bashkëshortja e tij, Huma Abedin, ish-këshilltare e ngushtë e Hillary Clinton-it. Abedin ka qenë një figurë shumë me ndikim në kabinetin e Clinton-it si sekretare shteti, duke vendosur kush kishte akses tek ajo.
Në prag të zgjedhjeve afatmesme të vitit 2026, Alex tashmë ka financuar kandidatë demokratë si senatori Jon Ossoff në Xhorxhia, deputetja Nikema Williams në Atlanta dhe Ro Khanna në Kaliforni, i cili përfaqëson Silicon Valley.
Bëmë baba të të ngjaj
Nuk është ende e qartë nëse Alex është më liberal apo më pak liberal se i ati. Por të dy ndajnë një pasion të madh për çështjen e klimës.
Sipas një raporti investigativ, OSF shpenzoi 194 milionë dollarë për aktivizmin klimatik midis 2016 dhe 2023 nën drejtimin e George Sorosit. Që kur Alex mori frenat, shuma u rrit në 619 milionë dollarë vetëm në vitin 2024. Pra, pjesa më e madhe e fondeve për klimën është dhënë gjatë kohës së tij si drejtues.
Alex gjithashtu ka qenë i përfshirë në organizata mjedisore si Global Witness dhe prej kohësh është angazhuar personalisht për çështjet e mjedisit.
Po ashtu, ai është shumë i angazhuar për të mbështetur Ukrainën kundër Rusisë. Në vitin 2022, OSF nën drejtimin e tij premtoi 25 milionë dollarë për ndihmë ndaj Ukrainës. Ai është takuar disa herë me Andriy Yermak, këshilltarin më të afërt të presidentit Volodymyr Zelensky, për të diskutuar plane për paqe dhe rindërtim të vendit.
Në rrjetet sociale, Alex dhe Yermak shfaqen si miq të afërt, duke shkëmbyer urime dhe falënderime publike.
Në prag të zgjedhjeve të vitit 2024, Alex premtoi të shpenzonte 50 milionë dollarë nga fondet e OSF për të nxitur pjesëmarrjen politike të grave dhe të rinjve, të cilët i quajti “shtylla e demokracisë”. Ai theksoi rëndësinë e tyre, sidomos pas vendimeve mbi abortin në SHBA.
Paratë, të marra nga entitete të ndryshme jofitimprurëse brenda rrjetit OSF, u fokusuan veçanërisht në angazhimin e grave të zeza dhe grave të reja me ngjyrë përmes disa organizatave të drejtësisë sociale. Përfituesit përfshinin Power Rising, pjesë e Black Women’s Leadership Collective, dhe Run for Something, një komitet politik që rekruton kandidatë demokratë që mbështesin politika të majta si shëndetësia nën kontrollin e shtetit dhe qasja e pakufizuar në abort.
Pjesë të tjera të fondeve afatgjata të OSF u caktuan për kauza liberale si të drejtat LGBT, “liria riprodhuese” dhe çështje që kritikët i quajnë alarmizëm klimatik.
Kur Washington Examiner kërkoi sqarime për prioritetet e financimit nën drejtimin e Alex-it, një zëdhënës i OSF tregoi faqen zyrtare të fondacionit, ku jepet një përmbledhje e punës filantropike në SHBA.
Kritikat për mungesë aftësie në biznes
Në vitin 2021, Soros Fund Management (SFM), ku Alex është i vetmi anëtar i familjes që ulet në komitetin e investimeve, investoi 2 miliardë dollarë në kompaninë e makinave elektrike Rivian, duke blerë 19.8 milionë aksione. Ky ishte një nga investimet më të mëdha të vetme në portofolin e kompanisë.
Brenda një viti, çmimi i aksioneve ra në 18 dollarë, dhe SFM shiti më shumë se 10 milionë aksione me humbje të madhe, rreth 75% të zotërimeve të veta. Humbjet totale arritën mbi 1 miliard dollarë. Faqja HedgeFollow e renditi Soros Fund Management si një nga fondet më të dobëta në SHBA, me vetëm 0.5 nga 5 yje.
“Unë do të thosha që Alex nuk është i përshtatur për të trashëguar rolin e të atit,” tha Parker Thayer nga Capital Research Center. “Ai nuk ka talent për investime, dhe humbjet e tij me Rivian e vërtetojnë këtë. Sot, fondi Soros është një nga më të dobëtit në Amerikë.”
Autori Matt Palumbo, që ka shkruar librin The Heir: Inside the (Not So) Secret Network of Alex Soros, shtoi se Alex ishte një zgjedhje e dobët për të udhëhequr OSF.
“Çdokush që kërkon emrin e tij në YouTube mund të shohë që ai është një folës shumë i dobët publik, edhe pse ka marrë trajnim, nuk ka ndryshuar,” tha Palumbo.
Edhe revista New York e portretizoi si zgjedhjen e “gabuar” për lidership, duke thënë se mënyra e tij e të folurit, plot “ah” dhe “um”, ngjan si një disk që kërcet, sikur nuk arrin të shprehë qartë atë që mendon.
Sipas një burimi anonim me lidhje të ngushta me OSF, “në privat ai është i mbyllur, mendjemadh dhe shpërthen shpejt në nerva.”
Një ish-zyrtar i lartë i OSF e krahasoi Alex-in me Roman Roy nga seriali Succession i HBO-së, duke e përshkruar si një “fëmijë të llastuar, i zgjuar por acarues dhe pa shumë interes për detajet.” Një tjetër burim tha se Alex është “djali plangprishës që gjithsesi shpërblehet me dashurinë e babait.”
Një dinasti në kaos: ristrukturimi i OSF
Nën drejtimin e Alex-it, OSF ka kaluar ndryshime të mëdha: shkurtim të stafit, bashkim operacionesh dhe një model të ri pune për të përdorur më me efektivitet fondet.
Një muaj pasi Alex mori drejtimin, OSF shpalli se do të pushonte nga puna 40% të stafit në mbarë botën. Po ashtu, për gjashtë muaj ndaloi dhënien e granteve të reja, deri në shkurt 2024. Pas një viti ristrukturimi, OSF rifilloi financimet, duke dhënë 400 milionë dollarë për punë të gjelbra dhe larg industrive ndotëse.
Alex tha se këto ulje ishin në linjë me dëshirat e të atit: “Ai ishte shumë i pakënaqur me burokracinë në fondacion. Më vjen keq vetëm që nuk e bëmë më shpejt.”
Por, sipas burimeve, mungesa e komunikimit të Alex-it për këto ndryshime krijoi tension brenda OSF. Shumë punonjës thanë se ristrukturimi ishte “shumë kaotik” dhe krijoi pasiguri për të ardhmen.
Një punonjës pyeti: “Pse nuk po dëgjojmë nga Alex? Pse nuk kemi takime ku ai të na tregojë drejtimin e organizatës? Nuk është e qartë se ku po shkojmë. Shumë njerëz janë të shqetësuar që nuk ka qartësi për afatin e gjatë.”
Në email-et e brendshme, Alex tha se OSF nuk do t’i gjejë gjithmonë idetë “në të njëjtat vende ku i gjente më parë.”
Sipas Thayer, Alex duket se po e ngushton fushën e OSF-së, duke e fokusuar më shumë tek SHBA dhe më pak tek veprimtaria ndërkombëtare, për të cilën njihej i ati. “Idetë janë të ngjashme, por metodat e Alex-it janë shumë më pak të fshehta,” tha ai.
Megjithatë, Alex ka takuar shumë liderë botërorë, duke bërë foto me kryetarë shtetesh nga vende si Shqipëria, Austria, Kanadaja, Kroacia, Franca, Kosova, Lituania, Holanda dhe Ukraina.
Përballë akuzave se nuk ndjek axhendën europiane të babait, Alex u shpreh për Financial Times: “Unë jam një europian i përkushtuar.”
Në gusht 2023, mes thashethemeve se OSF po tërhiqej nga Evropa, Alex i hodhi poshtë këto dyshime. “Ne nuk po largohemi,” shkroi ai në një artikull në Politico, duke sqaruar se OSF thjesht po ndryshon prioritetet në Evropë, “pasi po riorganizon mënyrën e punës në nivel global.” Kjo përfshinte “daljen nga disa fusha” dhe ulje të mëdha të numrit të punonjësve. “Shpresa ime e madhe është që Fondacionet e Shoqërisë së Hapur, në formën e tyre të re, të ndihmojnë projektin europian të arrijë potencialin e plotë,” shkroi ai.
Thayer komentoi: “E vetmja rrugë ku mund ta çojë Alex markën Soros është në boshllëk. Ai po shpenzon para pa kursim, po pushon punonjës, po ndryshon lidershipin dhe nuk ka shumë për të treguar, përveç një çeku të shpenzuar. Ai po merr të gjitha fotot dhe takimet që dëshiron, por pavarësisht se po e ngushton fokusin tek SHBA, ideja e ‘shoqërisë së hapur’ nuk ka qenë kurrë më e vdekur se tani.”
Një taktikë transparence?
Sipas një profili të revistës New York për Alex-in, fakti që ai poston hapur për takimet e tij luksoze i ka sjellë “dhimbje koke në PR”, duke treguar ose një indiferencë ndaj opinionit publik, ose mungesë vetëdijeje. Një ish-drejtues i OSF i tha revistës se Alex “pëlqen të mbledhë gjëra të ndritshme.”
Alex i tha Wall Street Journal se ishte më mirë që familja Soros të vepronte hapur para publikut, sesa të lejoheshin thashetheme që i përshkruanin si financierë misteriozë. “Ekziston një ide se ne jemi një lloj komploti i fshehtë,” tha ai.
Sipas Palumbos: “Ndryshe nga babai i tij, Alex nuk është fshehur në hije, por poston shumë nga takimet e tij me politikanë dhe liderë botërorë në rrjetet sociale. Kjo e bën imazhin e tij një faktor të rëndësishëm në aftësinë e tij si drejtues.”
Nëse aktiviteti i tij i madh në rrjetet sociale dhe udhëtimet pa pushim janë tregues, shumë mendojnë se Alex po përpiqet të bëhet po aq i kudondodhur sa emri George Soros. Por vetëm koha do të tregojë nëse ai po sjell një epokë të re për perandorinë Soros apo po shënon fillimin e fundit.
“Alex nuk duket se ka të njëjtin talent për manovra politike dhe krijim rrjetesh si i ati,” tha Thayer. “Ai sigurisht ka një album plot foto me demokratë të njohur, por kjo nuk do të thotë shumë. Ai duket më i fokusuar tek shfaqja dhe imazhi sesa tek pushteti i vërtetë.” / Washington Examiner - Syri.net
© SYRI.net