Lufta kundër femrave të bukura: Pse publiku 'woke' e urren Sydney Sweeney-n

Lufta kundër femrave të bukura: Pse publiku 'woke' e urren Sydney Sweeney-n

11:28, 31/07/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga C.J. Pearson - Fox News/

T'i lëmë budallallëqet: gratë liberale nuk janë të zemëruara me Sydney Sweeney-n sepse ajo "po i kthen gratë pas në kohë". Ky është thjesht justifikimi që po përdorin sepse nuk duan ta pranojnë të vërtetën.

Ato janë të zemëruara sepse ajo është e re, tërheqëse, e bardhë dhe bionde. Dhe janë të zemëruara që korporatat më në fund po zgjohen përballë një të vërtete: që populli amerikan është lodhur nga ideologjia "woke"!

Po të ishte 130 kg dhe të identifikohej si fluide për sa i përket gjinisë, do të shpallej si revolucionare. Po të përmendte përemrat e saj në çdo intervistë, të vishte një bluzë të shkurtër me mbishkrimin "FEMINISTE" në tapetin e kuq dhe të përsëriste slogane progresiste sipas kërkesës, do të nxitohej nga të gjitha anët për t'i dhënë një çmim GLAAD. Por vetëm sepse Sydney Sweeney ekziston, e sigurt në vete, tradicionalisht femërore dhe pa u përkulur ndaj agjendës "woke", ajo është kthyer në një shënjestër.

Kjo nuk ka të bëjë me feminizmin, por me smirën, me një lëvizje kulturore që ndëshkon bukurinë, turpëron feminitetin dhe e ngre viktimizimin si formën më të lartë të virtytit.

Dhe hipokrizia? Kalon çdo kufi.

Ku ishte gjithë ky zemërim feminist kur Dylan Mulvaney, një mashkull biologjik, mori sponsorizime nga marka për gra si Nike, Bud Light dhe Maybelline për "të lartësuar feminitetin"? Ku ishin këto zëra kur Mulvaney tallej me përvojën femërore përmes veshjeve si Barbie apo udhëzimeve për tamponët? Askund. Në fakt, ishin duke duartrokitur. Sepse në këtë distopi të sotme "woke", një burrë që shtiret si grua respektohet më shumë sesa një grua e vërtetë që guxon të duket si e tillë.

Ku ishin këta "kampionë të të drejtave të grave" kur sportistet e vërteta po poshtëroheshin nga meshkuj biologjikë në garat e tyre? Kur Lia Thomas po u zinte vendin në podium grave të mirëfillta, ku ishte indinjata? Askund. Sepse mbrojtja e të drejtave të grave të vërteta nuk i përshtatet narrativës. Nuk ka vlerë politike.

Prandaj i urrejnë gratë si Sydney Sweeney. Sepse ajo nuk u përshtatet. Nuk përpiqet të jetë "rebele". Nuk po rishkruan ç'do të thotë të jesh grua, por përkundrazi, e mishëron atë. Me bukuri, vetëbesim dhe pa kërkuar falje. Ky është kërcënimi i vërtetë.

E vërteta është se e majta moderne i ka shpallur luftë grave të bukura. Sepse grave të bukura nuk u duhet të luajnë rolin e viktimës. Nuk kanë nevojë të përkëdhelen apo të ripërkufizohen. Nuk kanë nevojë të shtiren sikur bukuria është ndërtim shoqëror apo që feminiteti është shtypës. Ato thjesht e jetojnë atë. Dhe kjo i tërbon ata që merren me "studime gjinore".

Sydney Sweeney përfaqëson gjithçka që publiku "woke" urren: natyrshmërinë, elegancën dhe refuzimin për të kërkuar ndjesë për cilësitë që dikur admiroheshin. Në një kulturë të fiksuar pas "shkatërrimit të standardeve të bukurisë", ajo na kujton se disa standarde nuk ishin kurrë problem. Obsesioni i ri i kulturës sonë me mesataren e shtyrë nga ideologjia "woke" është problemi i vërtetë.

Kjo nuk do të thotë se bukuria e bën dikë më të mirë, por me siguri nuk duhet ta bëjë atë më të keqe në sytë e mediave apo publikut. Dikur i lartësonim gratë që ndiheshin të fuqishme në feminitetin e tyre; tani i përbuzim për faktin që janë tërheqëse në mënyrë tradicionale.

Feminizmi, ashtu siç e përkufizon tani e majta, nuk ka lidhje me fuqizimin e grave. Ka të bëjë me imponimin e një konformiteti ideologjik. Nëse nuk i nënshtrohesh narrativës, qoftë për gjininë, politikën, racën apo pozitivitetin ndaj trupit, do të sulmohesh.

Prandaj le të mos shtiremi se kjo ka të bëjë me Sydney Sweeney-n. Aspak. Ka të bëjë me një lëvizje që u thotë grave se duhet të jenë gjithçka përveç asaj që është ajo: tërheqëse, tradicionale, krenare dhe e lirë.

Sydney Sweeney nuk i ktheu gratë pas. Ajo thjesht i preku në pikën e dobët ata që kanë ndërtuar identitetin e tyre mbi ankesat e jo mbi hijeshinë. Dhe për këtë? Më shumë fuqi pastë ajo.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Më të lexuarat
Denonco