Lajmi i fundit

LIVE/ Kreu i PD, Sali Berisha paraqitet në SPAK

Trump sapo tregoi se sa të parëndësishëm janë bërë europianët

Trump sapo tregoi se sa të parëndësishëm janë bërë europianët

14:20, 30/07/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Jake Wallis Simons/

Ka qenë një kohë kur fjala e Britanisë dhe Francës kishte peshë. Gjatë periudhës së lavdisë dhe fuqisë së perandorisë, kur ato shpallnin qëllimet e tyre për Palestinën, Lindjen e Mesme, nënkontinentin indian apo Afrikën, bota ngrihej në këmbë dhe dëgjonte.

Deklarata e Balfour-it kishte rëndësi. Akti për Shfuqizimin e Skllavërisë kishte rëndësi. Kodi Napoleonik la një trashëgimi të fuqishme, ashtu si edhe Marrëveshja Sykes-Picot. Për mirë apo për keq, europianët formësuan botën.

Por jo më.

A nuk e kanë marrë njoftimin Emmanuel Macron dhe Sër Keir Starmer? Apo vazhdojnë të parakalojnë nga inercia e politikës së brendshme? Apo nga kotësia? Sido që të jetë, këta burra të vegjël janë të vendosur të përmendin lavditë e dikurshme, edhe pse koha e tyre ka perënduar.

Para se të nisej për në Skoci të premten, Donald Trump i dha presidentit francez një nga poshtërimet më të mëdha: atë të parëndësisë. Njoftimi i Macron-it për njohjen e Palestinës, të cilin Trump-i e cilësoi si “të paditur në aspektin gjeopolitik”, “nuk ka rëndësi”, tha ai.

“Është një djalë shumë i mirë. Më pëlqen, por ajo që tha nuk ka peshë,” shtoi ai, duke sjellë në mendje vërejtjen e Jon Snow-t në sezonin e shtatë të Game of Thrones: “Gjithçka që thuhet para fjalës ‘por’ është budallallëk.”

Sikur të mos mjaftonte kjo, erdhi edhe goditja përfundimtare. “Ja lajmi i mirë,” përfundoi Trump. “Ajo që thotë ai nuk ka rëndësi. Nuk do të ndryshojë asgjë.”

Pothuajse mund të dëgjohej Pallati Élysée teksa lëkundej mbi themele.

Të paktën Sër Keir duket se e kupton instinktivisht parëndësinë e tij. Gjuha e trupit të tij në konferencën e shtypit me Trump në Skoci të hënën tregonte gjithçka; përpjekja e dëshpëruar për të mbrojtur kryetarin e Bashkisë së Londrës, Sadiq Khan, “është mik i imi”, tingëllonte si vajtimi i një eunuku.

Kur Izraeli dhe SHBA bombarduan Iranin muajin e kaluar në mënyrë të shkëlqyer, Starmer u kujdes që të deklaronte mbështetje për fushatën, ndërkohë që njëkohësisht dukej sikur e dënonte. Aspak vendosmëria e një udhëheqësi të sigurt.

Në këtë frymë ai vazhdon të qahet për një shtet palestinez pa u angazhuar ndonjëherë për ta njohur. Tradhti dhe tradhtia e tradhtisë, në një kryeministër të parëndësishëm.

Në anën tjetër, Macron-i “Jupiterian” ka shpenzuar shumë energji për të mbledhur mbështetje për një shtet palestinez, duke u mbështetur në argumente ndër më të dobëtit. Motivimi i tij është i paqartë, duke qenë se më parë është shprehur në mënyrë elokuente se “ne nuk e njohim një shtet vetëm nga indinjata”. Por duke qenë se klima politike është gjithnjë e më shumë izraelofobike, askush nuk e vret mendjen për këtë.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara kanë kaluar nga fjalët në veprime. Ndërsa bota bashkohej në një fushatë propagandistike, duke akuzuar Izraelin për urinë në Gaza mbi bazën e një keqleximi të qëllimshëm të fakteve, SHBA dhe Izraeli u tërhoqën nga bisedimet në Katar dhe nisën të hartojnë një plan të ri.

Çfarë do të përmbajë ai plan, ende nuk dihet. Por europianët, të verbuar nga virtytet e tyre të vetë-shpallura, nuk kuptojnë se e vetmja gjë që ka prodhuar presioni i tyre i padrejtë mbi Izraelin ka qenë fuqizimi i Hamasit, duke e ashpërsuar qëndrimin e tij në negociata dhe duke i hedhur ato në erë.

Me fjalë të tjera, akti i demonizimit të Izraelit mund të ketë shkatërruar çdo mundësi për armëpushim, për të cilin europianët pretendojnë se janë të dëshpëruar. Ishte ky i vetmi rast kur fjalët boshe të Macron-it mund të kishin ndonjë ndikim real, duke arritur saktësisht të kundërtën e asaj që synonin.

Dhe cili do të jetë rezultati? Gjatë fundjavës, senatori Lindsey Graham i tha NBC News se Hamasi në thelb ka firmosur vetë dënimin e tij me vdekje, duke argumentuar se “nuk ka asnjë mënyrë për të negociuar fundin e këtij lufte me Hamasin”. “Ata do të bëjnë në Gaza atë që bëmë ne në Tokio dhe Berlin, do ta marrin territorin me forcë dhe do të nisin nga e para, duke u përpjekur të sjellin një të ardhme më të mirë për palestinezët, ndoshta me përfshirjen e shteteve arabe për të marrë kontrollin e Bregut Perëndimor dhe Gazës,” shtoi ai.

Pra, ja ku jemi. Morali i kësaj historie. Duke kërkuar për një kohë kaq të gjatë të demonizojnë Izraelin dhe të minojnë një aleat demokratik në favor të forcave të xhihadit, europianët ka të ngjarë ta kenë zgjatur luftën. Duartrokitje e ngadaltë.

Është e vërtetë që Franca është bashkuar me Arabinë Saudite, një fuqi shumë më me rëndësi, për të organizuar një konferencë në OKB në Nju Jork këtë javë për të shtyrë përpara zgjidhjen me dy shtete. Por sauditët janë mjeshtër në lojën me shumë nivele.

Në Lindjen e Mesme, ajo që thuhet publikisht, ajo që thuhet privatisht dhe ajo që mendohet vërtet janë zakonisht tre gjëra të ndryshme. Udhëheqësit sauditë kanë pak interes real për palestinezët; interesat e tyre mbeten të përqendruara te një aleancë më e ngushtë me Izraelin.

Megjithatë, pas një diete të gjatë me propagandë të Al Jazeera-s, populli i tyre nuk është i gatshëm të pranojë zgjerimin e Marrëveshjeve të Abrahamit, të paktën jo derisa të përfundojë konflikti në Gaza. Ndoshta kjo është arsyeja që ata marrin pjesë në projektin e kotësisë së Macron-it.

Sido që të jetë, nuk do të ketë shtet palestinez për sa kohë që amerikanët dhe izraelitët nuk e pranojnë. Dhe kjo nuk do të ndodhë për sa kohë që palestinezët udhëhiqen nga regjime që mbështesin terrorizmin dhe refuzojnë të njohin ekzistencën e Izraelit.

Për hir të Zotit, as vetë udhëheqësit palestinezë nuk e duan një shtet. Ata e kanë refuzuar në shumë raste, përfshirë në vitin 2008, kur iu ofrua pothuajse gjithçka që pretendonin se dëshironin. Ose më saktë: ata duan një shtet të tyren, por vetëm nëse ai zëvendëson Izraelin, jo nëse ekziston përkrah tij.

Ka, ndoshta, një anë pozitive. Ndoshta është një gjë e mirë që Macron-i dhe Starmeri kanë shumë më pak pushtet sesa mendojnë. Imagjinoni si do të dukej bota nëse ata ishin vërtet aq me ndikim sa e imagjinojnë veten. / The Telegraph - Syri.net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Më të lexuarat
Denonco