‘Tradhton’ Kombëtaren, rrëfehet Kapllani: Ja përse hoqa dorë nga pasaporta shqiptare

‘Tradhton’ Kombëtaren, rrëfehet Kapllani: Ja përse hoqa dorë nga pasaporta shqiptare

10:38, 23/01/2017

Pas 6 golash me Kombëtaren sulmuesi, Edmond Kapllani ka vendosur të heqë dorë nga nënshtetësia shqiptare për të marrë pasaportën gjermane.

Pas dekretit të presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, ish-sulmuesi kuqezi pret tashmë të marrë pasaportën gjermane, por ai zbulon se do të tentojë sërish t’i rikthehet nënshtetësia shqiptare.

Në një intervistë për të përditshmen “Panorama Sport”, Kapllani sqaron arsye përse ka marrë këtë vendim të rëndësishëm.

Edmond, në faqen zyrtare të presidencës, mes personave që kanë kërkuar të lënë nënshtetësinë shqiptare është edhe emri juaj, teksa kreu i shtetit, Bujar Nishani, e ka dekretuar tashmë. Si është e vërteta?

Problemi është se Gjermania nuk e lejon mbajtjen e dy nënshtetësive dhe për të marrë tashmë pasaportën gjermane, më duhet të heq dorë nga nënshtetësia shqiptare. Gjithsesi, unë jam konsultuar me avokatin dhe do të gjejmë mënyrën, që pasi të marr nënshtetësinë gjermane, të nis më pas procedurat për të pasur edhe atë shqiptare. Shqipëria si shtet e lejon dynënshtetësinë, kështu që mund ta rifitoj sërish.

Pse ndodhi në këtë moment kërkesa nga ana juaj në një kohë që u bëtë shumë vite në Gjermani?

Kam 13 vite në Gjermani dhe erdhi momenti që unë të vendosja, pasi nëse në vitet e kaluara do të kisha marrë një hap të tillë atëherë do t’i krijoja probleme vetes në raportin me Kombëtaren. Pra nuk do të luaja dot me Kombëtaren nëse do të hiqja dorë nga nënshtetësia shqiptare. Dhe aktualisht që flas po lëviz me pasaportë shqiptare, derisa të plotësohet dokumenti dhe ta marr të plotë atë gjermane. Kjo që bëra ishte e pashmangshme pasi ligji gjerman ta dikton, duke më imponuar heqjen dorë nga pasaporta shqiptare. U bëra një vit që kam nisur procedurat për pasaportë gjermane dhe ende po pres.

Besoj se ndien keqardhje për mënyrën sesi rrjedhin gjërat teksa duhet të heqësh dorë nga nënshtetësia shqiptare, për një tepër si një ish-sulmues i njohur i Kombëtares që keni dhënë shumë për vendin tuaj?

Normalisht që më vjen shumë keq. Më besoni kjo nuk është gjë e lehtë aq më tepër për mua. Gjithsesi kjo është diçka që unë duhet ta bëja patjetër. Është e domosdoshme pasi kam shumë vite në Gjermani dhe gjithçka po e bëj për fëmijët e mi. Megjithatë nuk do të thotë që unë e lashë përfundimisht nënshtetësinë shqiptare.

Me pasaportën gjermane do ta keni më të thjeshtë për të nisur kursin për trajner?

Po natyrisht për çdo gjë e kam më të lehtë. Në çdo derë që do të shkoj do ta kem më të thjeshtë. U bëra shumë vite këtu dhe kjo është e gjitha. Pastaj ky është një obligim për mua edhe prej familjes. Është diçka normale pasi kam menduar për fëmijët e mi.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco