Superioria ndizet me Skënderbeu-Partizani

Superioria ndizet me Skënderbeu-Partizani

13:30, 24/02/2018

Skënderbeu – Partizani vitet e fundit ka qenë më tepër se thjesht një ndeshje në kalendarin e Superiores, ka qenë gjithmonë sfida që ka përcaktuar diçka të rëndësishme jo vetëm për objektivat e dy skuadrave, por mbi të gjitha për fatet e sezonit. Dhe këtë herë Skënderbeu-Partizani nuk ndryshon, duke mbetur takimi që ka jo vetëm vëmendjen e atyre që zbresin në fushë, por dhe të rivalëve të drejtpërdrejtë. Të dyja skuadrat nuk kanë kaluar ditë të qeta, me Skënderbeun që është nën presionin e dënimit 10-vjeçar nga UEFA, ndërsa Partizani për shkak të mungesave të lojtarëve të rëndësishëm. Në dy fazat e para, korçarët kanë marrë 4 pikë ndaj të kuqve dhe për më tepër nuk kanë pësuar asnjëherë. Megjithatë, çdo ndeshje është histori më vete, sidomos kur janë përballë dy rivalë të denjë për njëri-tjetrin. Partizani e di mirë se në Korçë luan një etapë të rëndësishme për ambicien europiane dhe do të përpiqet të bëjë maksimumin për të mos dalë pa rezultat nga kjo transfertë. Pavarësisht humbjes me Kukësin, të kuqtë kanë treguar shenja të dukshme përmirësimi në lojë, duke zhvilluar madje dhe një futboll dëfryes, ndërsa Skënderbeu mbetet gjithsesi skuadra me një lojë të konsoliduar. Në Korçë gjithçka pritet të jetë e ezauruar, ashtu siç i ka hije një sfide të madhe, sepse një përballje e tillë mund të ketë për kryefjalë vetëm spektaklin, atë që duhet mbi të gjitha në ditë të vështira.

Nga një skuadër me pretendime në fillim të sezonit, Teuta tashmë luan për mbijetesën me Kategorinë e Parë që duket gjithmonë e më pranë. Java 21-të sjell një kundërshtar aspak të lehtë, pasi në Niko Dovana udhëton Flamurtari, forca e dytë e kampionatit. Djemtë e detit treguan sinjale të mira loje në transfertën e shkodrës, por rezultatet janë ato që mungojnë. Fitorja e fundit është 3 muaj më parë, më 19 nëntorin e vitit të shkuar, pikërisht në shtëpi ndaj Vllaznisë, që u pasua nga barazimi me Flamurtarin në transfertë. Megjithatë vlonjatët kanë triumfuar në fazën e parë kur mposhtën Teutën e drejtuar nga Gugash Magani me shifrat 2-1, në një transfertë nga e cila nisi ecuria e pathyeshmërisë larg Vlorës që zgjati me 8 ndeshje radhazi. Trajnerit Gentjan Begeja i rikthehet mesfushori Ardit Hila pas pezullimit ndërkohë që pritet të mungojë mbrojtësi kroat ante hrkac, pas dëmtimit të pësuar ndaj Vllaznisë. Një situatë aspak pozitive përsa i përket dëmtimeve është edhe në Vlorë, ku trajneri Shpëtim Duro duhet të bëjë llogaritë me mungesat e Tonkuara dhe Juffo, ndërkohë që në pikëpyetje është Muarem, i cili pritet ta nisë nga stoli. Shpresat e golit janë tek kapiteni Busic, autor i dy golave në fitoren e fazës së parë, teksa është ndalur përpara portës që nga sfida ndaj Partizanit më 26 janar. Pavarësisht problemeve derbi bregdetar pritet të jetë emocionues, pavarësisht se në 6 përballjet e fundit e kanë mbyllur 3 herë në barazim pa gola midis tyre.

Në Zeqir Ymeri java e 21-të propozon një nga duelet më të nxehta të kampionatit, pasi Kukësi kampion në fuqi pret Laçin, një rival me të cilin është ndeshur shpesh sidomos në Kupën e Shqipërisë, aty ku kanë nga një triumf për secilën skuadër. Ndryshe nga edicioni i kaluar, skuadrat vijnë në këtë ndeshje me të njëjtin objektiv, të sigurojnë fitoren që e afron akoma më shumë me zonën europiane. Kampionët e nisën edicionin me ambicie të mëdha, për të ruajtur titullin ndërkohë që kurbinasit për të qënë surpriza e këtij sezoni. Megjithatë gjërat nuk kanë shkuar ashtu siç ishin parashikuar. Laçi humbi trajnerin Stavri Nica pikërisht pas duelit të fazës së parë në Zeqir Ymeri, pasi humbja 3-0 nuk u kapërdi nga ish timonieri bardhezinjve që dha dorëheqjen nga drejtimi. Nica u pasua nga Gentjan Mezani që diti të ringrejë Laçin, por pa mundur dot të ndalë ecurinë negative ndaj Kukësit që e mposhti në shtëpi edhe në fazën e dytë. Kampionët kthehen në kështjellën e tyre që tashmë po rezulton prej rëre, pasi stadiumi i tyre ka humbur statusin e dikurshëm, me Kukësin që ka pësuar 5 nga 6 humbjet sezonale pikërisht përpara publikut të vetë. Të dy ekipet vijnë në këtë duel me nga një mungesë të sigurtë, pasi kampionët janë pa Bakajn ndërsa kurbinasit pa Fangajn, të dy të ndëshkuar me karton të kuq javën e kaluar. Diferenca midis tyre në klasifikim është dy pikë, por nuk është ky fakt që e bën të rëndësishme këtë duel, pasi edhe kur skuadrat janë të distancuara, Kukësi–Laçi ka gjithmonë rivalitet, shihet si një finale midis tyre.

Java e 21-të e Superiores mund të jetë java e Kamzës, me skuadrën surprizë të këtij sezoni, që ëndrrën “Europë” mund të fillojë ta bëjë realitet për shkak të një kalendari që të paktën për këtë javë mund ta favorizojë të marrë pikë të rëndësishme ndaj rivalëve direkt. Në fillim të kampionatit, ajo që u nis si një garë për mbijetesë, po shndërrohet pak nga pak në një vrapim drejt ambicieve të mëdha, pavarësisht se te Kamza nuk dëshirojnë ta thonë diçka të tillë. Transferta me Lushnjën, të një mijë e një problemeve duke e kalueshme në letër për Kamzën, që mund të përfitojë nga dueli direkt Skënderbeu-Partizani, por dhe nga përballja tjetër direkt mes Kukësit dhe Laëit për të rrëmbyer pikë ndaj rivalëve. Gjithsesi, për të dalë fitimtare në Lushnjë, Kamza ka nevojë për një paraqitje ndryshe nga ajo e fazës së parë, ku barazoi 0-0 në këtë transfertë. Sigurisht atëherë ishte fillimi i kampionatit për një skuadër debutuese dhe tashmë duket se te Kamza kanë fituar përvojën e duhur për të zgjidhur të tilla ndeshje. Humbja e javës së kaluar me Skënderbeun mund të hidhet shpejt pas krahëve, aq më tepër që Lushnja duket e dënuar për t’u rikthyer në Kategorinë e Parë dhe situata e vështirë me siguri do të jetë një plus për Kamzën, që këtë bonus të kalendarit për t’u afruar me Europën do të përpiqet ta mbërthejë fortë, ashtu sië bëhet pak a shumë me ëndërrat e mëdha.

Java e 21-të

Kukësi-Laçi                          14:00   

Lushnja-Kamza                   14:00   

Skënderbeu-Partizani        17:00   

Teuta-Flamurtari                17:00   

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco