Mos u mërzit, baba, kur fëmija qan, por ndiq këto këshilla - Nga Polikron Çelo

Mos u mërzit, baba, kur fëmija qan, por ndiq këto këshilla - Nga Polikron Çelo

12:46, 22/01/2017
A+ Aa A-

Nga Polikron Çelo, pediatër

Mos u mërzit baba, se kush më shumë e kush më pak, të gjithë fëmijët qajnë, prandaj ju këshilloj që në vend që të ankoheni, mundohuni të kapni, të regjistroni e memorizoni në trurin tuaj çdo të veçantë të tyre, bëhuni “spiun” (ashtu si përgjonin dikur zbuluesit para shpikjes së mjeteve moderne); mandej deshifroni si fillojnë, ritmin e të qarave, tonin dhe volumin e tyre. Mbas disa ditësh keni për të parë se do të jeni “specialisti” më i përsosur i kuptimit të kësaj gjuhe të çuditshme me të cilën do të komunikoni e do të dalloni të paktën 6 tipe qarjesh. Mbas këtij “kualifikimi” keni për të thënë: këtë radhe qan, sepse:

1 - Ka uri?

I del gjumi (ose duke qenë zgjuar, e fillon të qajë me zë të ulët për pak kohë, mandej pushon. Mbas pak fillon të qajë përsëri, po këtë radhë më zë pak më të të lartë e më gjatë, mandej përsëri, po nuk do të kalojnë vetëm pak minuta dhe do të fillojë të qajë, po këtë radhë më zë më të fortë e më gjatë. Ky ritual do të përsëritet derisa t'i plotësohet ajo që kërkon, qëndron i qetë ose bie në gjumë.

2 - Ndihet i lodhur?

Qan në mënyrë monotone, herë me zë të ulët e herë pak më të lartë, pushojnë pak e fillojnë përsëri duke tundur kokën e fërkuar sytë; në dukje sikur duan të flenë, po nuk i zë gjumi.

3 - Ka ndonjë dhimbje?

Duke qenë mirë, papritur qan me zë të lartë e “me britma” sikur e ka pickuar njeri (ashtu si shpërthen alarmi i makinës kur e prek dikush);  shoqëruar me lot e fytyrë që shpreh vuajtje.

4 - Ndihet në siklet?

Janë qarje të vazhdueshme dhe nuk ndërpriten nëse nuk mënjanohet ajo që i shqetëson. Ndodhin zakonisht nga të ftohtët ose ngrohja e tepruar, qëndrimet në pozicione të papërshtatshme, ngacmime nga pelena të lagura ose të ndotura etj.

5 - Ndihet i vetmuar?

Qajnë e pushojnë, herë me zë të ulur e herë pak më të lartë; pra në mënyrë të çrregullt. Nuk janë qarje të shoqëruara me ndryshime në shprehjen e fytyrës. Shpesh ndërpriten menjëherë sa merren në dorë ose kur zhvendosen nga një mjedis në tjetrin.

6 - Këto qarje janë disi të veçanta (kolikat serale - lexoni "Të qarat e pasdites")* E mora vesh pse qan, po unë ç’të bëj, të rri duarkryq?  Absolutisht jo! Duke u orientuar lidhur me tipet e qarjeve, duhet të merrni masa për mënjanimin e shkakut të mundshëm.

Po ju tregoj dhe disa “marifete”:

Merrni një top të madh, p.sh.: nga ata që përdorni në ujë kur shkoni në plazh ose në palestra, vendoseni në dysheme, shtrijeni fëmijën përmbys mbi sipërfaqen e tij dhe bëni vazhdimisht lëvizje para - mbrapa. Nëse kjo nuk jep rezultat, kaloni në një tjetër. Për të nxjerrë gazrat, përveç vendosjes mbi sup mbas ushqyerjes, ka dhe një mënyrë tjetër. Shtrijeni në shpinë mbi një tavolinë, mandej kapini me duart tuaja të dy kërcinjtë dhe afrojini gjunjët afër lartësisë së gjoksit të bebit dhe bëni vazhdimisht lëvizje poshtë -  lart (ashtu sikur ecni me biçikletë)

Po të keni karrige që rrotullohet, merreni bebin në prehër dhe rrotullohuni së bashku Nëse dhe kjo nuk e qetësoi, ka dhe të tjera:

Provoni t'i ofroni një panoramë tjetër, duke vepruar si më poshtë.

- Mbajeni në krah duke qëndruar para një pasqyre, shumë qetësohen duke parë veten

- Bëni disa lëvizje poshtë e lart duke dalë në shkallë ose ballkon

- Variant tjetër - bëni xhiro me makinë.

- Merrni një çarçaf të vogël, në mes të tij shtrini fëmijën për së gjati, mandej kapni cepat nga një anë ju e nga ana tjetër gruaja dhe lëkundeni duke e kolovitur.

Një ditë u thirra për vizitë në shtëpinë e një mikut tim të vjetër dhe pashë atë që nuk e kisha parë ndonjëherë gjatë punës time shumëvjeçare. Meqë djali  qante shumë, gjyshi autoritar kishte urdhëruar të vendosej në një çarçaf (si më sipër) dhe 2 nga fëmijët e shtëpisë ta lëkundnin pa
pushim ditën dhe natën, prandaj u kish bërë grafik.

Ç’janë të qarat e mbasdites dhe të mbrëmjes (kolikat serale ose gazoze) (Uroj të mos u bien në pjesë se për nja 5-6 muaj keni për të thënë “Ç’i
paskam bërë Zotit”) Janë të qara me tipare disi të veçanta. Ato shfaqen zakonisht 1 ½ muaj mbas lindjes dhe zor se zhduken para moshës 5 - 6 muaj.

Të qarat fillojnë rregullisht në orët e mbasdites dhe të mbrëmjes dhe vazhdojnë disa orë; janë mjaft të forta (çka shprehet dhe në fytyrën që tregon vuajtje), fëmija përplas këmbët, afron kofshët pranë barkut, përpëlitet e nuk zë vend; një pamje me të vërtetë që ngjall keqardhje.

Ajo që i dallon nga qarjet për ndonjë shkak tjetër, është fakti se menjëherë mbas gjithë atij shqetësimi, fare papritur qetësohet dhe sikur
të mos kish ndodhur asgjë, kthehet në gjendjen e mëparshme, qesh, u gëzohet përkëdhelive e merr ushqimin si zakonisht.

*Cilësohen si të veçanta për arsye se këto dukuri që nuk i gjen në asnjë rast tjetër.

* Si mund ta qetësoj?

Duhet të dini se me gjithë përpjekjet e shumta, deri më sot nuk është gjetur as shkaku, as ndonjë medikament për qetësimin e këtyre qarjeve të
veçanta. Për të ndihmuar sadopak për lehtësimin e tyre, mund të veproni si më poshtë:

- vendoseni fëmijën me bark mbi gjunjët tuaja (me të ndenjurat pak më lart se koka)

- merreni midis pëllëmbëve, me fytyrë drejt dyshemesë dhe bëni lëvizje djathtas - majtas

- fërkojini shpinën

- hipni në makinë dhe ecni së bashku sa më tepër

* Po ndonjë medikament nuk ka?

Janë rekomanduar shumë e në çdo farmaci gjenden me emra të ndryshëm (Alginor pediatrik, Ovol etj), po për të qenë të sinqertë, mbi këto të qara nuk kanë ndikim, më tepër qetësojnë anën shpirtërore të prindërve sesa vetë fëmijën. Këtë e tregojnë dhe vetë “të pësuarit”, sidoqoftë nuk ka asnjë të keqe nëse mjeku jua jep.

Shumë specialistë këshillojnë: mos u jepni shumë mbas ilaçeve po ndiqni ecurinë e peshës dhe shfaqjen e ndonjë shenje tjetër (si temperaturë,
kollë, diarre etj) .

Për të përballuar këtë periudhë kalimtare, por të vështirë, mundohuni të ruani gjakftohtësinë dhe të largoni ankthin.

Në ndonjë shkrim mund të gjeni mendime të pavërtetuara shkencërisht se tek fëmijët që ushqehen me gji, dhimbjet mund t'u lehtësohen duke mënjanuar nga dieta e nënës disa produkte si lëngjet e frutave dhe frutat me përmbajtje të lartë sheqeri (fiq, rrush, pjeshkë, qershi, luleshtrydhe) dhe çdo ëmbëlsirë. Nënat që e kanë provuar me këmbënguljen e burrave, më kanë thënë se nuk kanë parë ndonjë rezultat./Shekulli

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco