Ekonomia: Një lajm i mirë, një i keq

Ekonomia: Një lajm i mirë, një i keq

Nga Artan Hoxha - 08/10/2017

Qeveria rilindëse pretendon se në mandatin e saj të parë “e rilindi ekonominë në rrënim që la Saliu” e se “do sjellë rritje të fuqishme ekonomike” në mandatin e dytë. Të dhënat nga burime më të besueshme se ato rilindëse rrezojnë arritjen e pretenduar e kjo zymtëson të ardhmen e ndritur që premtojnë rilindësit.

Në tabelën 1 jepet rritja ekonomike vit-pas-viti në Kontinentin Europian, Bashkimin Europian, Eurozonë, Ballkan (jo anëtar të BE), Shqipëri. Rezultatet e tabelës 1 bazohen në Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) në çmime korrente (në USD) të vendeve përkatëse, përllogaritur nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), e që jepen në tabelën 2 (në fund të shkrimit).

Image

Natyrisht që rezultatet në USD e në çmime korrente ndryshojnë në një farë mase nga ato të llogaritura në monedha të tjera sipas zonave e vendeve të ndryshme apo në çmime konstante, por fenomenet, në thelb, mbeten të njëjta.

Ndërsa ndryshon me diçka amplituda e luhatjes nga njëra zonë në tjetrën e nga njëri vend në tjetrin, janë të dukshme e të njëhkohëshme momentet e rënies e të ngritjes ekonomike, me tri goditje në frekuence thuajse të rregullt çdo tre vjet: 2009, 2012, 2015, në të gjithë Europën, edhe në Shqipëri.

Rënia ekonomike në 2015-tën, e vlerësuar në USD, duket edhe më e fortë se në 2009-tën dhe 2012-tën dhe rikuperimi në 2016-tën më i dobët se ai në 2011-tën dhe 2013-tën. Me gjasa kjo shpreh edhe efektin e krizës së azilantëve, efektin BREXIT si dhe të rënies së euros kundrejt dollarit amerikan.

Gjithsesi, FMN parashikon një rekuperim në shkallë botërore e gjithashtu edhe në vendet e BE-së për vitet 2017-2019. Nëse kjo do të verifikohet, kjo do të shënojë edhe përfundimin e ciklit rreth 10-vjeçar të kësaj krize globale. Gjithçka ndodhi e pritet të ndodhë sipas modeleve të mirënjohura ekonomike. Edhe në Shqipëri.

Afërmendsh që qeveria nuk mund të na shpëtojnë nga kriza globale dhe efektet e saj, por ajo ose mund ti zbusë diçka këto efekte ose mund ti rëndojë ato.

Gjatë trevjeçarit demokrat 2010-2012 u tentua, për aq sa mundej, zbutja e efekteve të krizës globale mbi ekonominë shqiptare përmes politikave lehtësuese fiskale, rritjes së investimeve dhe shpenzimeve produktive publike, thithjes së investimeve të huaja direkte. Të njëjtat instrumente që shërbyen mjaft mirë në mandatin e parë demokrat para krizës së 2009-tës shërbyen pas saj për zbutjen e efekteve goditëse. Demokratët provuan se për ta ekonomia qëndronte në plan të parë, të ardhurat buxhetore dhe shpenzimet publike në plan të dytë e në funksion të ekonomisë.

Gjatë trevjeçarit rilindës 2014-2016 u zbatuan masa me efekte rënduese të tilla si rritja e taksave, rritja e shpenzimeve joinvestuese e joproduktive publike, rritja e kostove administrative e ndëshkuese mbi sipërmarrjen për të reduktuar ekonominë informale ndërsa lulëzoi ajo kriminale, ndërsa investimet e huaja, nëse konsiderohen vetëm ato të reja e jo atë të nisura që nga qeveria e mëparshme, ranë ndjeshëm. Rilindësit provuan se për shpenzimet e rritura e të përdorura sipas qejfit qëndronin në plan të parë, ekonomia në plan të dyte a të tretë e në funksion të qëllimeve rilindëse.

Nëse ekonomia do të përmiresohet në shkallë globale dhe europiane, siç thotë FMN-në, edhe në Shqipëri me siguri që do ketë përmirësim. Ky është një lajm i mirë. Por, duket se rilindësit do të vazhdojnë me të njëjtin stil, në mos më keq, në mandatin e dytë e, me këtë stil, rilindësit do të rrëmbejnë të gjitha frytet e këtij përmirësimi.

Të tjerët me gisht në gojë.

Ky është një lajm i keq.

Shkruar për SYRI.net

ImageImage

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco