Lajmi i fundit

Bardhi: Provohet bashkëpunimi i Olsi Ramës me grupin e kokainës në Xibrakë, 10 prova

E enjtja e zezë e Edi Ramës

E enjtja e zezë e Edi Ramës

Nga Enton Abilekaj - 02/11/2017

Në orën e kulmit të debatit në Parlament, atëherë kur aktorët kryesorë morën përsipër si përherë të shpëtojnë shfaqjen bajate të politikës, Edi Rama spikati me tragjikomizmin. I vënë përpara me akuzat për 1.3 miliard euro trafikim kanabisi, për shndërrimin e Shqipërisë në parajsën e trafikantëve të drogave, bënte zhurmuesin pas krahëve të Lulzim Bashës.

Ndërsa kryetari i PD-së fliste për krimin, ai i kërkonte të ndërronte temë. Si një sufler i kontrabanduar në shfaqje, shpërqendronte folësin, duke e ftuar të fliste për Himarën. Nuk ia arriti, por u çua dhe e hapi vet temën e preferuar.

Çjerrjet nacionaliste ishin në fakt lutje për të ndërruar temë, për të folur për Greqinë, për Himarën, për armiqtë e atdheut. Ishin lutje e fshehtë që mos të ishte ‘kryekanabizuesi”, “kryetrafikanti”, “ shoku dhe bashkëpunëtori I kriminelëve më të rrezikshëm”, “izoluesi i vendit” që sheh opozita,  por “vigani liberator” që ka ardhur nga Noli në kohën tonë, për të shpëtuar Shqipërinë.

Ndërsa fliste për Himarën, ishte gati të tregonte takimin me ekspertët grekë, raportin që pritet së shpejti, pengun për mosnjohjen e greqishes nga njëra anë dhe dhimbjen që pala tjetër nuk po e ndihmonte të shpëtonte atdheun përballë grekëve në anën tjetër. Asgjë për t’u sharë.

Një formë prekëse për zemrat që kërkonte. Po të mos e tradhtonte përmbajtja bajate dhe e stërpërdorur, mund t’ja kishte hedhur edhe sot. Nëse nuk do të priste me ankth vendimin e Gjykatës së Katanias, nëse opozita nuk do t’i tundte përpara syve raportet e ndërkombëtarëve për Kanabisin, nëse do të kishte një përgjigje për atë që i bëri vendit në 2016, mund të ishte vërtet “vigani liberator”. Kapet pas Himarës, që ta përdorë si gomë për të fshirë nga mendja e shqiptarëve dhe raportet e ndërkombëtarëve, gjithë bëmat e kanabisit, por goma është e vogël. Pas çdo seancë në parlament, bëhet më e qartë se nuk mund ta fshijë atë që ka bërë në sytë e të gjithëve.

Nuk mjaftojnë as spektaklet me 12 ushtarakë të habitur, që ftohen në skenën  e mbushur me kriminelë dhe kanabis për të balancuar raportet, krim-shtet në qeverisje. Përkundrazi, ato e dekonspirojnë më keq, që në janar të këtij viti shkarkoi një ministër, vetëm se kërkoi ndërhyrjen e ushtrisë. Pikërisht Edi Rama, që hoqi Ylli Manjanin nga Drejtësia, vetëm se kërkoi luftë me ushtrinë kundër Kanabisit, emëron 12 ushtarakë në detyra civile për të luftuar kanabisin.

10 muaj me vonesë, tani atyre u ka mbetur vetëm të veshin me uniformë administratën publike, t’i nxjerrin me kombajna nëpër fusha për të gjetur kanabisin që e korri në 2016 bashkë me të ardhurat dhe me votat 1 vit më pas. “I gjithë populli ushtar”, nuk mund të ketë efektin e kohës kur u shpik, sepse ushtria ka ulur radarët para trafikantëve, policia ka ulur kokën para kanabisit dhe qeveritarët kanë ulur Shtetin përballë krimit. Veshja me uniformë e administratës parazitare të Prefekturave, duket vetëm si një stërvitje qesharake, në zboret e diktaturës. Kryeministri nuk di ta rivendosë Shtetin përballë Krimit, ashtu si në pikturat e tij, nuk ndan dot njeriun nga monstra.

Çdo përpjekje për ta ndarë, e bën edhe më të shëmtuar qeverisjen, e dekonspiron më shumë pafuqinë e saj përballë krimit. Veshja me uniformë e 12 prefekturave, dështoi që në lindje, ashtu si letra e Prokurorisë së Katanias, që tentoi të përdorej për të shfajësuar Tahirin, apo si vendimi i gjykatës për dënimin e Zaganit. Propaganda është çarmatosur nga argumentet, kur mundohet të bindë shqiptarët se Tahiri nuk ka asnjë përgjegjësi për trafikun e Habilajve, me një shkresë të prokurorisë së Katanias, apo kur kërkon të shesë, dënimin e Zaganit për largim nga vendi, si dënim për shpërdorim detyre. 

Me të gjitha mediat në dispozicion, me të gjitha institucionet nën kontroll, Edi Rama nuk po arrin të krijojë as një alibi të vetme për veten. E enjtja është shndërruar për të në ditën më të keqe. Eshtë shndërruar tashmë në një shënjestër të palëvizshme, që goditet me artilerinë e importuar nga Perëndimi. Veshja nacionaliste nuk po e shpëton dot.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Daj Jaku04/11/2017 08:01

Ke shumë të drejtë Sonja. Por Përbindëshi ka futur në thes Lulin e Vocërr. Opozita duhej të kishte shkallmuar sheshet për çka ka ndodhur. A të kujtohet Rumania? Bëri me kryeministrin po atë që bëri me Çausheskun. Por Lulushi nuk ka k***, opozita e tij është gjysmë/gjasme opozit?. EDrama ka blerë gjithë median, ka blerë gjithë votat e shqiptarëve, ka harxhuar miljardat e kanabisit dhe të konçesioneve, paratë e buxhetit pa kontroll. A mendoni se nuk është në gjendje të blejë një Lulush?

Sonja02/11/2017 18:25

Rama do te krijoj ngjarje te tjera per te harruar problemin e grupit mafioz te trafikimit , droges, ai do qe te traferohet problemi real ne problemet e zakoneshme. Opozita nuk duhet te merrret me asnje problem tjter pa cuar ne finde ceshtjen Tahiri. E bashke me opoziten te bashkohen te gjithe intelektualet dhe ata qe munde te shprehin fjalen e lire. Sote kerkohet nje bashkim i te gjitheve perballe mafies.

Shto koment

Denonco