Premtimet parazgjedhore në politikat sociale mbeten të pabazuara dhe të pashpjeguara

Premtimet parazgjedhore në politikat sociale mbeten të pabazuara dhe të pashpjeguara

14:07, 11/02/2021

Instituti për Politika Sociale "Musine Kokalari" vlerëson se premtimet dhe zotimet në politikat sociale të partive kryesore politike për zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë ose të pabazuara ose të pashpjeguara mjaftueshëm.

Nga ato që kanë paraqitur partitë politike, vërehet se paraqiten premtime që tingëllojnë mirë, porse nuk tregohen afatet sesi do të realizohen ato dhe as nuk ka ndonjë analizë sesi masat e propozuara do të mbërrijnë efekt.

Premtimet dhe zotimet janë bërë shpesh duke e marrë për bazë shpenzimin, por jo edhe të hyrat se nga do të vijnë ato para. Pra, nuk ka analizë dhe shpjegim se nga ku mund të merren ato para për t'i shpenzuar këto premtime.

Kësisoj, edhe në këto zgjedhje, partitë politike vazhdojnë të operojnë me traditën e vjetër të premtimeve megalomane dhe të përgjithësuara në funksion të maksimalizimit të votës.

P.sh:

Partia Demokratike e Kosovës duhet të tregojë se ku do t'i merr 1 miliard euro për ta ndihmuar ekonominë. Propozimi i PDK-së shpjegon në pak detaje se si do të veprojë në lidhje me caktimin e pagës minimale. Ajo e ka dhënë si premtim të cilin do ta bëjë menjëherë pas marrjes së qeverisjes, por pa analizuar qartë dhe saktë sesi do të ndikojë në sektorin ekonomik të Kosovës, që ky vendim të mirëpritet e të zbatohet me lehtësi.

Nga ana e saj, Lëvizja VETËVENDOSJE!, programin e ka shumë të përgjithësuar. Në këtë kuptim, nga ajo që lexohet në programin e tyre prej 52 faqesh shihet se si zotimet konkrete nuk janë të zbërthyera në afate kohore se kur do të realizohen.

Instituti për Politika Sociale "Musine Kokalari" rikujton se paga minimale në Republikën e Kosovës nuk ka ndryshuar që nga viti 2010, kur është caktuar 130 euro dhe 170 euro (në bazë të ndarjes moshore). Ndonëse qeveritë e dhjetë viteve të fundit kanë promovuar rritje ekonomike, paga minimale nuk është rikonsideruar, edhe pse me Ligjin e Punës është obligim ligjor që ajo të caktohet në çdo fundvit. Vendimi për ta rritur pagën minimale është neglizhuar nga secila qeveri dhe është heshtur gjatë gjithë kohës.

Konsiderojmë se mënyra e tillë e premtimeve dhe zotimeve po shkakton dy probleme:

- Po ndikon në humbjen e kredibilitetit të partive politike, apo po e zhduk rëndësinë e programeve;

- Po ndikon në besueshmërinë e institucioneve në përgjithësi.

POLITIKAT SOCIALE NË PROGRAMET PARAZGJEDHORE TË PARTIVE POLITIKE

Partia Demokratike e Kosovës

‘Rimëkëmbje dhe zhvillim i qëndrueshëm ekonomik’

Në programin e Partisë Demokratike të Kosovës, propozimet për politikat sociale përfshijnë në sërë masash të cilat janë të formësuara e të prezantuara në rritjen e përqindjes për aspekte të ndryshme sociale. Në vijim i gjeni rritjet e propozuara për kategoritë e caktuara:

Rritja e pagës minimale - nga 130 & 170 euro në 300 euro

Rritja të numrit të Inspektorëve të Punës për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit të Punës dhe mbrojtjen e të drejtave të të punësuarve;

30% rritje të pagave për të gjithë zyrtarët në sektorin publik;

30% rritje të ndihmës sociale për të gjithë përfituesit e ndihmës sociale;

40% rritje të pensioneve të moshës

30% rritje të pensioneve kontributdhënëse

30% rritje të pensioneve luftës

30% rritje të të gjitha pensioneve tjera

Lidhja Demokratike e Kosovës

‘Programi qeverisës’

Në programin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, teksti për politikat sociale është i shkurtër dhe pa ndonjë detaj konkret që do të ishte në funksion të zgjedhësve për t'i informuar. Më poshtë do t'i listojmë masat e propozuara nga Lidhja Demokratike e Kosovës:

* Rishikim i skemave sociale dhe pensionale;

* Paga minimale 300 euro dhe heqja e nivelizimit sipas moshës;

* Heqja e kufizimit prej 15 vjet për pensionet kontribut-dhënëse;

* Nuk ka pensione nën pagën minimale nga viti 2023;

* Asistenca sociale lidhet me koston e jetesës dhe rritet për 30%;

* Personat me nevoja të veçanta dhe kujdesi për grupe të caktuara - institucionalizimi i kujdesit.

Lëvizja VETËVENDOSJE!

‘Prioritetet për KREJT qytetarët DREJT së ardhmes’

Lëvizja VETËVENDOSJE! ishte fituese relative e zgjedhjeve në vitin 2019 e cila e mori qeverisjen e vendit dhe e ushtroi deri me 25 mars të vitit 2020. Për kaq pak kohë, ajo kishte pak mundësi që të ofronte zgjidhje për problemet e grumbulluara dhe për zgjidhjet që do t'i bëjë sipas programit të zgjedhjeve të kaluara. E për arsye që nuk ka qenë pjesë e qeverisjeve të kaluara, ne do të fokusohemi se çfarë masa kanë propozuar dhe si do t'i implementojnë gjatë qeverisjes së tyre.

· Çdo vend pune të jetë me kontratë, me kontribute pensionale të paguara dhe jo më shumë se 40 orë pune të rregullt në javë.

· Do të pesëfishohet numri i inspektorëve të punës, me synim parandalimin e diskriminimit të punëmarrësve dhe parandalimin e rreziqeve në punë.

· Fuqizimi i bashkëpunimit me sindikata;

· Rritja e pagës minimale në 250 euro për angazhimin prej 40 orësh në muaj.

· 12 muaj pushimi i lehonisë dhe ai prindëror – pjësëmarrës për pagesën edhe shteti, me mundësi për të dy prindërit;

· 250 euro pagë minimale për nënat që janë të papuna për 6 muajt e pushimit të lehonisë;

· Krijimi i Skemës së Punësimit të Garantuar, ku moshat 16-18 vjeç do të kenë mundësinë e përfitimit të pagës dhe vendit të punës të garantuar nga shteti deri në një vit të plotë.

· 20 milionë euro për themelimin e një tekno-parku dhe një fakultet për teknologji informative dhe hapësira për start-ups - që për vajzat dhe djemtë nga i gjithë vendi që orientohen nga ndërmarrësia në këtë fushë, do të vihen në dispozicion deri në 2 mijë grante në vit;

· 22 milionë euro për banimin e përballueshëm për 4.000 familje. Kjo do të arrihet përmes programit “120x120” dhe “150x150”, ku familjet përfituese do bëhen pronarë të banesave me këste mujore prej vetëm 120 respektivisht 150 eurove maksimumi dhe për një periudhë kohore prej jo më shumë se 150 muajve.

· 20 euro për muaj për fëmijët nën moshën 2 vjeçare

· 10 euro për muaj për fëmijët nën moshën 16 vjeçare;

· 50 euro për fëmijë nëse familja ka të ardhura vjetore më pak se 7 mijë euro në vit;

· 100 euro për fëmijë nëse familja ka të ardhura vjetore më pak se 6 mijë euro;

· 150 euro për secilin fëmijë nëse familja ka të ardhura vjetore më pak se 5 mijë euro.

· 160 çerdhe në të gjithë vendin dhe shujta falas për të gjithë nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën.

· Funksionalizimi i sigurimeve shëndetësore publike është detyrë e jonë për të cilën zotohem para jush se do të përmbushet;

· Lista esenciale e barnave do të buxhetohet ashtu që për rezultat të kemi të gjitha barnat nga kjo listë e cilësisë më të lartë të mundshme;

· Çdo vit buxhetit për shëndetësi do t’i shtohen 40 milionë euro. Kjo do të përmisojë edhe infrastrukturën e kushtet e punës për personelin shëndetësor.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës

‘Programi Zgjedhor’

· 100 euro për çdo qytetar rezident në Kosovë – 170 milionë euro;

· Një kartelë e veçantë, shpenzimet e së cilës orientohen në prodhime vendore me vlefshmëri prej 60 ditësh prej ditës kur lëshohet;

· Subvencionim i pagës prej 80% për 3 muaj, për secilin punëtor të kthyer në punë, dhe që ka kontratë së paku 1 vjeçare – 60 milionë euro;

· 50% të pagës, por jo më pak se 170 euro, për secilin punëtor që e ka humbur

· vendin e punës për tre muaj pas miratimit të këtij vendimi;

· Subvencionim i shumës prej 150 euro për tre muaj, për secilën grua të punësuar nga data e miratimit të këtij vendimi, me kusht që kontrata të jetë së paku 1 vjeçare dhe paga e plotë të mos jetë nën 270 euro. – 25 milionë euro (mbulon punësimin e 50 mijë grave);

· Subvencionim prej 40 euro, për secilin fëmijë të regjistruar në kopsht parashkollor publik apo privat për vitin 2021 dhe 2022 – 32 milionë euro.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco