Kurti e Osmani paralajmërojnë ‘pranverën e vitit 2021’

Kurti e Osmani paralajmërojnë ‘pranverën e vitit 2021’

13:32, 03/02/2021

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LV) Albin Kurti dhe ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani kanë bërë hapjen e fushatës zgjedhore në qytetin e Pejës.

Kurti i cili është kandidat për kryeministër tha që në zgjedhjet e 14 shkurtit partia e tij do të marrë shumicën parlamentare në Kuvend.

“Shumicën qytetare që është për ndryshime progresive do ta dokumentojmë me votën e lirë të qytetarëve si shumicë të ardhshme parlamentare e qeveritare. Ne kemi një tubim të hapjes në Prishtinë, sonte në orën 19:30, mirëpo sot jemi këtu në Pejë në këtë qytetet të bukur, që i ka dhënë aq shumë edhe luftës çlirimtare edhe paqes në Kosovë”, tha Kurti.

Kurti tutje u shpreh se qytetarët e Pejës janë të vendosur për ndryshime, madje nga ky vend Kurti edhe paralajmëroi ‘pranverën e vitit 2021’

“Do të takojmë qytetarët pejan të cilët po ashtu janë të vendosur për ndryshime dhe do të ketë pjesëmarrje rekord të popullsisë në përgjithësi, përfshirë Pejën për zgjedhjet e 14 shkurtit. Po na merr moti i mirë dhe duket se kjo fushatë e paralajmëron pranverën e vitit 2021”, tha ai.

Ushtruesja e detyrës së presidentes Vjosa Osmani e cila në zgjedhjet e 14 shkurtit kandidon në një listë të përbashkët me LV-në, tha që Peja do t’i prijë ndryshimit në Kosovë.

“Shpresojë shumë që kjo frymë e ndryshimit që po ndihet kaq shumë e kaq qartë këtu në Pejë sot, të vazhdojë anë e kënd Kosovës dhe jam e bindur që do të vazhdoj anë e kënd Kosovës sepse Peja ka ditur për gjatë gjithë historisë, t’i prijë ndryshimit dhe jam e bindur që të gjithë këta qytetarë do ta bëjnë këtë kthesë më 14 shkurt”, tha ajo.

Sot zyrtarisht ka filluar fushata zgjedhore në Kosovë për zgjedhjet që do të mbahen më 14 shkurt. Prijësi i kësaj liste si dhe kandidati për kryeministër do të jetë Albin Kurti edhe pse nuk është certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco