Rëndohet gjendja shëndetësore e Violeta Ricës, e cila u dhunua tre ditë më parë nga policia e rendit dhe ajo bashkiake në Mat. Policia e Dibrës reagoi për ngjarjen, duke mohuar se punonjësit e saj të kenë ushtruar dhunë ndaj qytetares. Por, në reagimin e saj, policia nuk shpjegon pse nuk ka reaguar për të parandaluar dhunën ndaj Violeta Ricës apo pse nuk po e heton atë, tashmë që qytetarja është në rrezik për jetën.

SYRI TV

Një ditë pas denoncimit të dhunës së policisë së Burrelit në Syri Televizion, gjëndja shëndetësore e të dhunuarës Violeta Rica është përkeqësuar. Familjarë të saj tregojnë se ajo është nisur me urgjencë drejt spitalit të Traumës në Tiranë për të marrë mjekim të specializuar.

Sipas familjarëve, Violeta Rica ka pasur të vjella dhe probleme të tjera shëndetësore, për shkak të dhunës së policisë së rendit dhe asaj bashkiake në Mat. Violeta u dhunua tre ditë më parë nga forcat e policisë, pasi kundërshtoi prishjen e murit rrethues të banesës së saj nga bashkia e Matit. Por, policia e Dibrës, ka reaguar një ditë pas ngjarjes së rëndë, duke i cilësuar të pavërteta pretendimet e Violeta Ricës se ajo është dhunuar nga policia.

Pretendimet e shtetases Violeta Rica, janë të pavërteta, pasi nuk është dhunuar nga asnjë efektiv Policie. Theksojmë se Policia  e Matit, ka qenë në mbështetje  të Inspektoriatit të  Mbrojtjes së Territorit, në Bashkinë Mat. Shtetasja Violeta Rica ka tentuar disa herë të pengojë punonjësit e IMT, të bashkisë Mat për të mos prishur murin, por në asnjë moment punonjësit e Policisë nuk kanë ushtruar dhunë ndaj kësaj shtetaseje,  por i kanë dhënë ndihmë duke e çuar në Spital  kur ka pretenduar se nuk ndihej mirë nga ana shëndetësore.

Policia thotë gjithashtu se i ka marrë deklarime vëllait të të dhunuarës, dhe sipas bluve të Dibrës, ai nuk ka shfaqur asnjë pretendim. Mirëpo, vetëm Violeta Rica në deklarimin e saj tregoi se është dhunuar nga forcat e policisë në momentin që e kanë futur në furgon.

Madje, familjarët e të dhunuarës kanë filmuar edhe një moment të shoqërimit të Violetës, ku dallohet qartë një efektiv policie që shoqëron prej krahu Violetën, i cili reagon ashpër ndaj kolegëve të tij duke u kërkuar që të mos lejojnë filminin e ngjarjes.

Dhe, nëse pretendimi i policisë se Violeta Rica nuk është dhunuar nga efektivët e rendit, atëherë pse këta të fundit nuk kanë parandaluar dhunën ndaj kësaj shtetaseje, duke qenë se ishin të pranishëm në vendngjarje. Madje, pyetja tjetër ngrihet, pse policia nuk thotë asnjë fjalë nëse po heton dhunën ndaj Violeta Ricës, e cila tashmë ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në spitalin ushtarak, ku janë të dukshme frakturat që i janë shkaktuar.

 

VIDEO-SYRI TV/ Rëndohet gjendja shëndetësore e Violeta Ricas: U dhunova në furgonin e policies

Denonco