Disa prindër po u japin foshnjave të tyre gjalpë në sasi të mëdha, duke besuar se kjo ndihmon për gjumë më të mirë, zhvillim të shëndetshëm dhe ndjesi ngopjeje më të gjatë. Në TikTok qarkullojnë video ku foshnjat hanë lugë apo copa gjalpi, madje disa prindër e përziejnë gjalpin me qumështin para gjumit. Disa pretendojnë se fëmijët deri në 2 vjeç mund të konsumojnë sasi të pakufizuara gjalpi, sidomos nëse është pa kripë dhe nga lopë të ushqyera me bar.
Këto video shpesh shkaktojnë reagime të forta, pasi për vite me radhë studimet kanë lidhur yndyrnat e ngopura me sëmundjet kardiovaskulare tek të rriturit. Megjithatë, ekspertët thonë se prindërit janë pjesërisht të drejtë. Foshnjat kanë nevojë për shumë energji gjatë rritjes dhe yndyra është thelbësore në këtë fazë. Qumështi i gjirit dhe formula përmbajnë rreth 50% kalori nga yndyra, çka tregon rëndësinë e saj në dietën e tyre.
Sipas dietologes Amy Reed, nuk ka një kufi të caktuar për yndyrnat e ngopura nga mosha 6 muajsh deri në 2 vjeç, sepse ato ndihmojnë veçanërisht në zhvillimin e trurit. Pas moshës 2 vjeç, rekomandohet ulja e tyre për të shmangur rreziqet afatgjata për shëndetin. Megjithatë, mungesa e kufirit nuk do të thotë që foshnjat duhet të hanë gjalpë pa masë.
Pediatrja dr. Molly O'Shea thekson se një ose dy lugë gjelle gjalpë në ditë mund të jenë në rregull, por ai nuk duhet të zëvendësojë një vakt të balancuar. Periudha e fillimit të ushqimeve të ngurta është shumë e rëndësishme për t'i mësuar fëmijët me shije dhe ushqime të ndryshme. Krijimi i zakonit për të ngrënë copa gjalpi mund të sjellë vështirësi më vonë.
Gjithashtu, gjalpi nuk ofron shumë proteina dhe ka sasi të kufizuara vitaminash. Ekspertët rekomandojnë që yndyrnat të shpërndahen gjatë ditës dhe të shtohen në ushqime të tjera, si puretë apo perimet. Burime të tjera të shëndetshme yndyre janë avokado, humusi dhe peshku.
Sa i përket gjumit, ekspertët thonë se zgjimi natën është normal për foshnjat. Nëse ato zgjohen shpesh, mund të jetë shenjë se nuk po marrin mjaftueshëm kalori gjatë ditës, jo domosdoshmërisht se kanë nevojë për gjalpë para gjumit. Prindërit këshillohen të flasin me pediatrin për çdo shqetësim, në vend që të mbështeten te "zgjidhjet" që shohin në rrjetet sociale. / CNN – Syri.net
© SYRI.net