Djegia nga dielli nuk është thjesht një skuqje e përkohshme e lëkurës. Ajo është një formë e inflamacionit serioz dhe një sinjal i qartë për dëmtime të thella në trup, përfshirë dëmtimin e përhershëm të ADN-së së qelizave të lëkurës. Mbrojtja me krem kundër diellit nuk është një luks, por domosdoshmëri.
Që nga vitet ’90, rastet e kancerit të lëkurës në Mbretërinë e Bashkuar janë më shumë se dyfishuar. Vetëm në vitin 2024, Cancer Research UK parashikon mbi 20,800 raste të reja, një rekord historik, sipas një raporti të Sky News.
Si ndodh dëmtimi?
Sipas dermatologes Dr. Rachel Abbott, rrezet UVB dhe UVA depërtojnë në lëkurë, duke shkaktuar një reagim inflamator dhe dëmtim të ADN-së. Trupi reagon duke çliruar substanca mbrojtëse si histamina dhe prostaglandinat. Edhe pse skuqja dhe dhimbja largohen, dëmtimi gjenetik mbetet – dhe me kalimin e kohës mund të çojë në forma të ndryshme të kancerit të lëkurës.
Fajtorët?
Sipas Macmillan Cancer Support, rritja e rasteve lidhet edhe me ekspozimin e brezave të mëparshëm ndaj diellit pa informacion apo mbrojtje të duhur – sidomos pas bumit të pushimeve të lira në vitet ’60 dhe ’70.
Parandalimi është kyç
Aktualisht nuk ekziston një trajtim efektiv për të rikthyer ADN-në në gjendjen e saj të mëparshme. Prandaj, parandalimi është masa më e mirë mbrojtëse. Për këtë arsye:
-SPF 30 ose 50 është minimumi i rekomanduar.
-Riaplikimi çdo 2 orë është thelbësor, sidomos pas notit ose djersitjes.
-6–8 lugë çaji krem nevojiten për të mbuluar të gjithë trupin e një të rrituri.
Po ashtu, hija, veshjet mbrojtëse, kapelat me strehë të gjerë dhe syzet e diellit janë mburoja e parë kundër rrezeve.
Së fundmi, ideja e një 'nxirjeje të sigurt' është një mit i rrezikshëm, sa më shumë e përsërisni ekspozimin pa mbrojtje, aq më i madh bëhet rreziku për melanomë dhe sëmundje të tjera të rënda të lëkurës. Syri.net-iefimerida
© SYRI.net