Edhe pse trupi ka nevojë për kolesterol për të ndërtuar qeliza të shëndetshme, nivelet e larta të tij mund të shndërrohen në kërcënim serioz për shëndetin, veçanërisht për zemrën. Ekspertët theksojnë se kolesteroli i lartë shpesh nuk shfaq simptoma, çka e bën të vështirë për individin të kuptojë se është në rrezik. Pikërisht për këtë arsye, është e rëndësishme të njihen faktorët që ndikojnë në rritjen e kolesterolit të keq në gjak.
Regjimi ushqimor luan një rol kyç. Konsumimi i tepërt i yndyrnave të ngopura, që gjenden te mishi i kuq, produktet e qumështit dhe ushqimet e përpunuara si biskotat, rrit ndjeshëm kolesterolin e keq. Po ashtu, mbipesha është një tjetër faktor i rëndësishëm, duke ndikuar drejtpërdrejt në nivelet e kolesterolit në organizëm.
Mungesa e aktivitetit fizik, sipas specialistëve, jo vetëm që rrit kolesterolin e keq, por ul edhe atë të mirin, duke prishur balancën e nevojshme për një zemër të shëndetshme. Pirja e duhanit dëmton muret e enëve të gjakut dhe nxit grumbullimin e yndyrnave, ndërsa ndikon negativisht edhe në nivelin e kolesterolit të mirë.
Me kalimin e moshës, trupi ndryshon dhe mëlçia bëhet më pak e aftë të përpunojë kolesterolin, duke rritur rrezikun e akumulimit të tij. Edhe diabeti është një faktor tjetër shqetësues, pasi sheqeri i lartë në gjak ndihmon në rritjen e kolesterolit të keq dhe dëmton arteriet.
Për të parandaluar rritjen e kolesterolit, ekspertët këshillojnë reduktimin e kripës dhe yndyrnave shtazore, si dhe shtimin e konsumit të frutave, perimeve dhe drithërave. Mbajtja e një peshe të shëndetshme, aktiviteti fizik i rregullt, lënia e duhanit dhe menaxhimi i stresit janë hapa thelbësorë për një zemër të fortë dhe një jetë më të gjatë.
© SYRI.net