Gjumi është një nga shtyllat kryesore të mirëqenies sonë fizike dhe mendore, dhe pozicioni në të cilin flejmë luan një rol të rëndësishëm në cilësinë e tij.
Një nga pozicionet më të preferuara nga të rriturit është të fjeturit në anë, i cili lidhet me një sërë përfitimesh shëndetësore, duke përfshirë lehtësimin nga dhimbjet e shpinës, urthi, gërhitja dhe ruajtjen e një qëndrimi të mirë trupor.
Megjithatë, këto përfitime mund të zbehen ndjeshëm nëse përdorim jastëkun e gabuar. Ekspertja e gjumit Lisa Artis nga Shoqata Britanike e Gjumit thekson se për të ruajtur shtrirjen natyrale të shtyllës kurrizore gjatë gjumit, është jetike të zgjidhet një jastëk që përputhet me pozicionin e gjumit. Për ata që flenë anash, rekomandohet një jastëk më i lartë dhe më i fortë për të mbështetur kokën dhe për të plotësuar hapësirën ndërmjet shpatullave dhe dyshekut.
Një fakt shqetësues është se 35% e njerëzve që zgjohen gjatë natës dhe kanë vështirësi për të rifilluar gjumin, fajësojnë jastëkun për këtë shqetësim. Për më tepër, 25% e të rinjve të moshës 18-24 vjeç pranojnë se përdorin jastëkë divani apo jastëkë udhëtimi në vend të atyre të posaçëm për gjumë, një zakon që mund të ndikojë negativisht në cilësinë e gjumit. Këta jastëkë, ndonëse estetikisht tërheqës apo të përshtatshëm për udhëtime, nuk janë projektuar për të ofruar mbështetjen e nevojshme për qafën dhe kokën gjatë gjumit.
Sipas studimeve shkencore, mbështetja jo e duhur e kokës dhe qafës gjatë natës mund të çojë në keqpozicionimin e shtyllës kurrizore. Kjo shkakton dhimbje, tension të muskujve dhe prishje të ciklit të gjumit. Jastëkët cilësorë janë të dizajnuar për të ndihmuar në ruajtjen e lakimit natyral të qafës dhe për të shmangur presionin e panevojshëm mbi shpinë dhe muskuj.
Ekspertët këshillojnë të investoni në një jastëk që i përshtatet formës dhe përmasave të trupit tuaj:
1.Për trup më të gjatë ose më të rëndë: kërkohet një jastëk më i fortë dhe me volum më të lartë për të mbajtur shtyllën kurrizore në vijë të drejtë.
2.Për individë më të lehtë apo më të vegjël: një jastëk më i butë dhe më i ulët ofron mbështetje pa ushtruar presion të panevojshëm.
Nëse ju pëlqejnë jastëkët me pamje dekorative, mund të zgjidhni përmasa si 65x65 cm në stilin kontinental, por sigurohuni që materiali dhe mbushja të jenë të përshtatshme për gjumë dhe jo thjesht për pamje.
Një jastëk i duhur nuk është luks, por një domosdoshmëri për shëndetin tuaj afatgjatë. Ai ndihmon në parandalimin e dhimbjeve, përmirësimin e cilësisë së gjumit dhe rritjen e ndjesisë së çlodhjes kur zgjoheni në mëngjes. Nëse vuani nga pagjumësia apo zgjoheni me dhimbje, ndoshta është koha të rishikoni jastëkun që përdorni. Syri.net-iefimerida
© SYRI.net