SYRI TV
Në Ditën Botërore të Luftës Kundër HIV/AIDS, të dhënat tregojnë se në vendin tonë numri i personave që bashkëjetojnë me këtë virus mbetet i lartë. 119 raste në total janë evidentuar infeksione të reja me HIV deri në fund të Tetorit të këtij viti dhe 15 raste vdekjeje. Ashtu si dhe në vitet e mëparshme, më shumë meshkuj se femra u diagnostikuan me HIV në vitin 2024, ndërsa numri më i madh i rasteve është raportuar me vendbanim në Tiranë.
Në Ditën Botërore të Luftës Kundër HIV/AIDS, të dhënat tregojnë se në vendin tonë numri i personave që bashkëjetojnë me këtë virus mbetet i lartë. Nga viti 1993 deri në Tetor 2024 janë në total 1844 raste të diagnostikuar me HIV/AIDS, ndërsa sa i përket infeksioneve të reja me HIV deri në fund të Tetorit të këtij viti janë evidentuar 119 raste në total, 89 janë meshkuj, 30 femra, 4 fëmijë nën 15 vjeç, 14 të rinj 16-24 vjec, teksa ka pasur 15 raste vdekjesh në total dhe 7 vdekje te rastet e reja. Në periudhën 2010 -2023 numri vjetor i rasteve të raportuara me HIV u rrit më shumë se 2 herë në krahasim me numrin e raportuar para vitit 2010.
Ashtu si dhe në vitet e mëparshme, më shumë meshkuj se femra u diagnostikuan me HIV në vitin 2024, 89 dhe 30 respektivisht, duke rezultuar në një raport meshkuj-femra 3:1. Në rastet e diagnostikuara në vitin 2024, numri më i madh konstatohet te meshkujt e grupmoshës 30-39 vjeç dhe 40-49 vjeç ndërsa te femrat në grumoshën mbi 50 vjeç. Shpërndarja sipas grupmoshave tregon se në vendin tonë predominon grupmosha 35-44 vjec, e ndjekur nga 25-34 vjec. Grupmosha 45-54 vjeç raportohet 18 %, ndërsa një përqindje më të ulët paraqet grupmosha mbi 65 vjec në vlerën 3% .
HIV/AIDS mbetet një fenomen urban në vendin tonë, pasi shumica e personave janë me vendbanim në qytet. Numri më i madh i rasteve ose 48.4 % e tyre janë raportuar me vendbanim në Tiranë, më pas me një diferencë të madhe nga Tirana paraqiten rrethe të tilla si Durrës 7.6%, Elbasan 6,8%, Shkodër 4.5%, Vlorë 3.4%, Lushnjë 2.6%, Fier 2.4%, Korçë 2.3% etj.
Rruga seksuale e transmetimit të virusit HIV vazhdon të predominojë në vendin tonë, e cila konstatohet në 95% të rasteve. Sipas të dhënave transmetimi nëpërmjet marrëdhënieve heteroseksuale përbën 71.6% të rasteve, ndërkohë që mënyra e transmetimit nëpërmjet mardhënieve seksuale midis meshkujve haset në 23.5 % të rasteve. Transmetimi vertikal ose nga nëna e infektuar me HIV te fëmija përbën 2.5 % të totalit ose 46 raste.
Diagnoza e hershme është shumë e rëndësishme në ecurinë e infeksionit HIV dhe suksesin e mjekimit me Antiretrovirale (TAR). Diagnostikimi i vonshëm vijon të mbetet problem që paraqitet edhe me numrin e madh të rasteve që raportohen në stadin AIDS.
© SYRI.net