FDA jep miratimin për ilaçin e parë që ngadalëson përparimin e Alzheimerit

FDA jep miratimin për ilaçin e parë që ngadalëson përparimin e Alzheimerit

20:44, 07/07/2023

Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) dha sot miratimin e saj për ilaçin e parë që ngadalëson përparimin e sëmundjes Alzheimer.

Bëhet fjalë për barin “Lecanemab”, i cili do të tregtohet me emrin “Leqembi”. Të gjitha barnat e tjera që tashmë kanë marrë dritën jeshile nga (FDA) trajtojnë simptomat e sëmundjes, por ky ilaç, i prodhuar nga kompania japoneze “Eisai” dhe amerikania “Biogen”, është i pari që fokusohet në një proteinë në tru, beta-amiloid, i cili është një nga shkaktarët kryesorë të sëmundjes.

Ilaçi “Leqembi”, i cili synon të reduktojë rënien njohëse, ka marrë miratimin për pacientët që nuk kanë arritur ende një fazë të avancuar të sëmundjes, transmeton CNN. Ai administrohet në mënyrë intravenoze çdo dy javë me çmimin e trajtimit që shkon në 26,500 dollarë për pacient në vit, siç raportohet nga rrjeti amerikan dhe shton:

“Leqembi është pjesë e një gjenerate të re trajtimesh që synojnë proteinën ‘beta-amiloide’ që formon pllaka në trurin e pacientëve. Ilaçi është i pari që tregon një reduktim të qartë të dëmtimit njohës (me 27%) në provat klinike. Mund të lejojë ngadalësimin e përparimit të sëmundjes”, theksojnë ekspertët.

Megjithatë, mjekët paralajmërojnë se pacientët mund të përjetojnë efekte anësore serioze, të tilla si ënjtje ose gjakderdhje në tru, të cilat mund të rezultojnë fatale.

“Ky trajtim, edhe pse nuk është një kurë, mund t’u japë njerëzve më shumë kohë për të ruajtur pavarësinë e tyre dhe për të bërë gjërat që duan,” tha Joan Peek, presidente e Shoqatës së Alzheimerit.

“Ata që janë të sëmurë meritojnë të kenë mundësinë të diskutojnë dhe të vendosin, me mjekun dhe familjen e tyre, nëse ky trajtim është i duhuri për ta,” shtoi ai. Veçanërisht, Leqembi u miratua për njerëzit me dëmtim të lehtë njohës ose sëmundje të Alzheimerit në fazën e hershme. Nga ana e tyre, mjekët rekomandojnë që pacientët të bëjnë EEG periodike për të monitoruar për çdo efekt anësor. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco